AktualitetPolitikëTë fundit

Holanda vlerëson përparimin e Shqipërisë: Mbështesim raportin e KE për konferencën!

Holanda deklaron mbështetjen për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në. Qeveria holandeze thekson se “Shqipëria ka bërë progres në fusha prioritare siç janë reforma në drejtësi dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Ambasada e Holandës në Shqipëri konfirmoi për ATSH qëndrimin zyrtar të qeverisë holandeze në raportin e  saj lidhur me procesin e integrimit të Shqipërisë.

“Qasja e qeverisë holandeze kundrejt zgjerimit është strikte, e drejtë dhe e angazhuar/gjithëpërfshirëse. Vendimmarrjet për hapat vijuese që do të ndërmerren në lidhje me pranimin në BE janë të bazuara mbi meritat individuale të vendeve përkatëse”, thekson ambasada.

Në raportin përkatës, qeveria e Holandës thekson se Shqipëria ka bërë progres në fusha prioritare siç janë reforma në drejtësi dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në dokumentin zyrtar drejtuar Parlamentit, qeveria holandeze kërkon që të mbështetet raporti i Komisionit Europian për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare Shqipëri-BE.

“Raporti aktual i progresit i Komisionit Europian paraqet një pamje kryesisht pozitive. Qeveria është e kënaqur që Shqipëria së fundmi ka bërë përparim me reformat në temat prioritare dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Të dhënat e deritanishme tregojnë progres, megjithëse një numër më i lartë dënimesh për zyrtarë të niveleve të larta mbetet një çështje shumë e rëndësishme në vëmendjen tonë. Qeveria miraton përfundimin e Komisionit se Shqipëria tani ka bërë përparim të mjaftueshëm në këto kushte”, thuhet në raport.

Në deklaratë nënvizohet se si pjesë e qasjes së rreptë dhe të drejtë të qeverisë për zgjerimin e BE-së, Konferenca e parë ndërqeveritare me Shqipërinë mund të ndodhë sa më shpejt, që të arrihet marrëveshja mbi kornizën negociuese me Shqipërinë.

“Kjo nuk do të thotë që Shqipëria së shpejti do të jetë në gjendje të anëtarësohet në BE. Reformat e sundimit të ligjit janë larg nga të plota dhe për këtë arsye do të jenë thelbësore për procesin e gjatë pas hapjes së negociatave të pranimit me Shqipërinë. Institucionet duhet të forcohen, politikanët dhe qytetarët duhet të mësohen me pavarësinë e gjyqësorit, shqyrtimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe të plotësohen të gjitha vendet e lira në fushën e drejtësisë. Regjistrimet nuk janë përfunduar gjithashtu. Progres është bërë, por lufta e vazhdueshme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do të kërkojë vëmendje të vazhdueshme dhe bashkëpunim ndërkombëtar, përfshirë partnerë të tillë si Holanda”, nënvizohet në deklaratë.

 

Fraksion.com