AktualitetEkonomiTë fundit

Gratë menaxhojnë më shumë se çerekun e ndërmarrjeve; Sipërmarrëset: Sfidat me të cilat përballemi

Gratë menaxhojnë apo zotërojnë pak më shumë se çerekun e ndërmarrjeve aktive gjithsej dhe aktiviteti tregtar shënon pjesëmarrjen më të lartë të tyre në vendimmarrje, me 35%.

Fuqizimi i gruas sidomos në aspektin ekonomik luan një rol të rëndësishëm edhe në fuqizimin dhe zhvillimin e ekonomisë dhe shoqërisë.

Valbona Begolli, një ndër gratë sipërmarrëse në vend, anëtare e Dhomës Ekonomike të Gruas, thotë për ATSH-në se sfidat e grave në biznes janë shumë edhe pse ajo beson fort se gratë kanë potencial të jashtëzakonshëm për të qenë sipërmarrëse të suksesshme.

Për Begollin, e cila e nisi aktivitetin e saj në vitin 2011 sfidë ka qenë financimi i kufizuar dhe mjedisi i pafavorshëm për të bërë biznes.

“Në fillimet e mia nuk kam pasur mundësi për të marrë mbështetje financiare, mbase kjo dhe për arsye të paragjykimeve si grua në biznes, pasi edhe vetë institucionet financiare jepnin më shumë mbështetje bizneseve në pronësi të burrave”, thotë Begolli.

Po ashtu, ajo e rendit si barrierë të madhe edhe kulturën maskiliste, çka, sipas saj, pengonte femrat për tu rritur në biznes.

“Problemet dhe barrierat mund të jenë të shumta, por gjithçka fillon nga mendja jonë. Unë e kam nisur në vitin 2011 me të gjitha këto vështirësi, por kam bërë së pari një luftë me veten në mënyrë që të largoja barrierat e vendosura vetes që të rritesha në aspektin profesional dhe personal”, thotë ajo.

Qeveria shqiptare përmes politikave dhe mekanizmave të saj ka mbështetur fuqizimin e gruas në biznes.

Agjencia e Zhvillimit të Investimeve ka hartuar dhe po zbaton disa politika që e mbështesin gruan në biznes.

“AIDA, në mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme shqiptare me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë së tyre, forcimin e kapaciteteve prodhuese dhe daljen e tyre në treg, ka mbështetur financiarisht gratë sipërmarrëse nëpërmjet Fondit të Konkurrueshmërisë, Fondit të Ekonomisë Kreative (Artizanatit), Fondit Start-up, Fondit të Inovacionit. Janë mbështetur në total 137 gra sipërmarrëse ose 38% nga totali i NVM-ve të mbështetura me fond për periudhën 2014-2019”, bën të ditur Migena Muslli, pëgjegjëse sektori pranë AIDA-s.

“Ne duam t’i ndihmojmë gratë të arrijnë pavarësinë financiare dhe duam t’i mbështesim ato në këtë rrugëtim”, tha ajo.

Së fundmi, shprehet Muslli, AIDA ka prezantuar edhe platformën “Aksesi në financë”, portën unike të informacionit mbi grantet dhe kreditë, ku në prioritetet tona është edhe një mbulim i plotë i thirrjeve që kanë në fokus të tyre gratë sipërmarrëse.

Gratë në Shqipëri, edhe pse përbëjnë gjysmën e popullsisë kanë bërë një rrugëtim të vështirë drejt ngritjes së sipërmarrjeve jo pak të suksesshme.

Sipas raportit më të fundit të publikuar nga INSTAT, gratë menaxhojnë apo zotërojnë 25,5% të ndërmarrjeve aktive gjithsej. Aktiviteti tregtar shënon pjesëmarrjen më të lartë të grave në vendimmarrje, me 35%.

Referuar të dhënave, qarku i Tiranës ka edhe përqendrimin më të madh të ndërmarrjeve të drejtuara nga gratë, përkatësisht 32,8%, nga të cilat 22,8% janë ndërmarrje me 50 e më shumë të punësuar.

Ndërmarrjet e drejtuara nga grate janë kryesisht ndërmarrje me 1- 4 të punësuar.