“Fali o Zot ata që nuk dinë se çfarë bëjnë”; Meta për shkarkimin nga Elbasani: Kam ardhur këtu pikërisht për t’iu bashkuar këtij mesazhi…
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ishte sot i pranishëm në Elbasan në festën fetare të Shën Joan Vladimirit prej nga dha edhe një prononcim për gazetarët, duke iu përgjigjur interesimit në lidhje me procedurat e shkarkimit të tij të nisura nga Kuvendi.
I pyetur nëse po lutet që të mos shkarkohet nga Komisioni Hetimor, duke iu referuar pranisë në festën fetare, Meta tha se “lutja e tij është që Zoti të falë ata që nuk dinë se çfarë bëjnë”.
“Nuk ekziston asnjë lutje e tillë, lutja është Zoti t’i falë të gjithë ata që nuk dinë se çfarë bëjnë dhe t’i udhëheqë të gjithë në rrugën e të mirës së përbashkët. Besoj se është përgjigje shumë e qartë. Kam ardhur këtu pikërisht për t’iu bashkuar këtij mesazhi, bashkëjetese të gjithë besimeve të ndryshme dhe popujve të ndryshëm”, deklaroi Meta.
Teksa u pyet në lidhje me faktin nëse do të jetë president deri në 2022-shin, Meta, tha se tema e shkarkimit është vënë në dukje pas zgjedhjeve të 25 prillit.
“Nuk dëshiroj që të flas në një vend të shenjtë për çështje që nuk ekzistojnë. Që do të thotë, që kjo tema e shkarkimit është bërë aq më tepër pas 25 prillit dhe aq më tepër kur është konfirmuar gjithçka që Presidenti ka thënë para 25 prillit dhe ku u tregua qartë që Kuvendi i dy viteve të fundit ishte një Kuvend pa opozitë, edhe sot është për fat të keq 3 herë më antikushtetues sesa ka qenë. Dhe nuk kam asnjë shqetësim të tillë. Nëse doni të merreni me gjë serioze, merruni me hetimin e krimeve zgjedhore para 25 prillit, gjatë 25 prillit dhe pas 25 prillit. Kjo është çështja më e rëndësishme për të gjithë, sepse në një vend demokratik qytetarët duhet të jenë të sigurt që vota tyre është e barabartë, që vota e tyre nuk tjetërsohet. Sepse të gjithë duan të jenë të barabartë përpara ligjit. Barazia para ligjit garantohet vetëm kur vota është e tillë, pra kur është e barabartë”, tha Meta.
Meta tha se e pranoi me kënaqësi ftesën e komunitetit ortodoks dhe të Mitropolitit të Elbasanit, Imzot Andonit, për t’iu bashkuar sot festës fetare të Shën Joan Vladimirit, një prej shenjtorëve më të rëndësishëm në Ballkan, simbol i përbashkimit të popujve pavarësisht kombësive.
“I lumtur të takoja shumë qytetarë edhe nga vende të rajonit, Mali i Zi, Greqia, Maqedonia e Veriut, Bullgaria dhe Serbia, të cilët kishin ardhur në Shijon për të festuar së bashku e në harmoni të plotë me besimtarët shqiptarë”, theksoi Meta.
“Të promovojmë çdo vlerë që i bashkon kombet tona, duke inkurajuar bashkëpunimin, bashkëjetesën, dialogun dhe tolerancën mes etnive dhe besimeve, për të forcuar paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajonin tonë”, theksoi ai.
Fraksion.com