Arrestohet shoferi që shembi urën në Darzezë: Kaloi me kamion të tonazhit të rëndë
Eshtë arrestuar nga policia shoferi i kamionit i cili mbeti i plagosur një ditë më parë, pasi me një kamion të tonazhit të rëndë shembi urën në Darzezë.
Policia e Fierit, njofton se ka arrestuar 52-vjeçarin me iniciale L.P, për veprën penale ‘Shkatërrimi i rrugëve’. 52-vjeçari banues në Roskovec, duke drejtuar automjetin me një rimorkiator mbi të cilin kishte ngarkuar një skrep, ka kaluar në urën e rrugës automobilistike Fier-Darzezë jashtë tonazhit të parashikuar në tabelën sinjalistike, duke e shëmbur urën.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shkatërrimi i rrugëve” shtetasin L. P., 52 vjeç, banues në Roskovec, pasi në orët e para të mëngjesit të djeshëm, duke drejtuar automjetin me një rimorkiator mbi të cilin kishte ngarkuar një skrep, ka kaluar në urën e rrugës automobilistike Fier-Darzezë jashtë tonazhit të parashikuar në tabelën sinjalistike, duke e shëmbur urën.’- njofton policia.
Ura e fshatit Darzezë u shemb një ditë më parë, ndërsa një mjet i tonazhit të rëndë që po kalonte ka rënë në lumë. Megjithëse ishte premtuar se do të ndërtohej një urë e re 6 muaj më parë, ende nuk ishin marrë masat.
Ura ishte e amortizuar prej kohësh dhe nuk ka arritur që ta mbante peshën e madhe prej 50 tonësh që kishte kamioni, pasi ura në fjalë mund të mbante vetëm 15 tonë peshë.
Nga shembja e urës nuk ka persona të lënduar, por ajo ndërpret komunikimin e banorëve të fshatit me zonat e tjera përreth.
Fraksion.com