Rinisin fluturimet mes Gjermanisë dhe Rusisë, pas pezullimit 2 ditor
Fluturimet e pezulluara midis Gjermanisë dhe Rusisë, rinisin ditën e sotme. Njoftimi vjen pasi trafiku i linjave ajrore midis dy vendeve u pezullua të martën dhe të mërkurën, pasi autoritetet ruse nuk autorizonin mbërritjet e fluturimeve të Lufthansa në aeroportet e saj.
Bllokimi I fluturimeve erdhi në një kohë tensionet mes Perëndimit dhe Moskës janë shtuar ndjeshëm, pasi Bjellorusia devijoi një avion pasagjerësh për të arrestuar një gazetar opozitar të Lukashenkos. Veprim që nxiti vendet evropiane të vendosin të ndalojnë përdorimin e hapësirës ajrore bjelloruse.
Agjencia e Sigurisë së Aviacionit të Bashkimit Evropian u bëri thirrje autoriteteve kombëtare të bllokut t’u tregojnë operatorëve të tyre të avionëve “që kryerja e operacioneve në hapësirën ajrore të Bjellorusisë nuk lejohet më, përveç nëse kërkohet për operacione të sigurta në rrethana të paparashikuara”.
Fluturimet mes Rusisë dhe Gjermanisë janë pezulluar pasi Moska ka dështuar që të zgjasë në kohë lejet e fluturimit për kompaninë gjermane Lufthansa, duke nxitur kështu përgjigje të njëjtë nga Berlini. Si rezultat, Aeroflot dhe S7 nuk kanë mundur të realizojnë fluturimet më 2 qershor.
Fraksion.com