Opozita e Izraelit shpall qeverinë e re, për herë të parë përfshihet Lista Arabe
Lideri i opozitës izraelite, Yair Lapid, bëri edhe një hap për rrëzimin e kryeministrit Benjamin Netanyahu nga pushteti, kur zyrtarisht i tha presidentit se ka arritur marrëveshje me aleatët politikë për ta formuar qeverinë e re.
Rreth 35 minuta para afatit të mesnatës së të mërkurës, Lapid i tha presidentit Reuven Rivlin përmes një shkrese elektronike: “Jam i nderuar t’ju informoj se kam arritur sukses për formimin e qeverisë.”
Presidenti Rivlin, i cili ishte duke e shikuar finalen e kupës në futboll në atë kohë, e përgëzoi Lapidin përmes telefonit, njoftoi zyra e tij.
Partneri kryesor i liderit të opozitës është nacionalisti Naftali Bemnnett, i cili pritet të shërbejë si kryeministër me rotacion. Lapid, i cili më parë ka qenë ministër i Financave dhe udhëheqës i një emisioni televiziv, pritet të bëhet shef i qeverisë pas dy vjetëve, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Koalicioni i ri do të përbëhej nga një grup i partive të mesme dhe të vogla nga i tërë spektri politik, përfshirë partinë që përfaqëson pakicën arabe – Listën e Bashkuar Arabe. Kjo gjë do të ishte historike, sepse do të ndodhte për herë të parë në historinë e Izraelit.
Në koalicionin e ri do të përfshihej edhe partia e politikanit që shërbeu si ministër i Mbrojtjes në qeverinë e Netanyahut, Benny Gantz, partinë majtiste, Meretz, dhe një parti djathtiste, të udhëhequr nga ish-ministri i arsimit, Gideon Saar, i cili është larguar nga partia e Netanyahut.
Qeveria e re pritet të betohet vetëm pas 10-12 ditësh, duke lënë hapësirë për Netanyahun që t’i bëjë përpjekjet e fundit që t’ia ndryshojë mendjen ndonjë deputeti për të dalë në anën e tij. Analistët politikë presin që Netanyahu të shfrytëzojë çdo manovër të mundshme politike që ta arrijë këtë qëllim.
Fraksion.com