AktualitetTë fundit

“Karikator me 30 plumba”; I ndjeri la makinën ndezur dhe iku me vrap, por nuk shpëtoi dot

Policia ka shoqëruar 4 persona që mund të kenë qenë në dijeni për ngjarjen, e ndodhur mbrëmë pak pas mesnate në Vlorë, ku mbeti i vrarë nga një atentat në derën e shtëpisë Shkëlzen Velaj.

Policia njofton se janë ngritur edhe disa pika postblloqe për kapjen e autorëve. Pika kontrolli janë ngritur në Vlorë, Orikum, autostradën Vlorë-Fier, madje edhe në Elbasan.

I ndjeri Shkëlzen Velaj  i cili u ekzekutua mbrëmë në Vlorë duket se e kuptoi që po e ndiqnin ndaj kur u afrua te shtëpia doli me vrap nga makina dhe u sul për në shtëpi.

Por derisa u ngjit për në katin e pestë, edhe agresori e ndoqi nga pas duke arritur ta shënjestrojë dhe lëshoi mbi të një breshëri kallashnikovi.

Makina e të ndjerit u gjet e ndezur poshtë pallatit të tij. Kjo e bën policinë të dyshojë se 35 vjeçari ka nxituar për të hyrë në apartamentin e tij në katin e pestë, por nuk kishte shpëtim.

Shkëlzen Velaj ka qenë duke hyrë për në shtëpi, kur ka vënë re se pranë pallatit ka qenë duke u ndjekur nga një makinë e dyshimtë, thonë hetuesit.

Atentatori ka lëshuar breshëri plumbash në drejtim të tij. Policia thotë se plumbat në drejtim të 35-vjeçarit kanë qenë nga një distancë e afërt. Në trupin e Velaj është lëshuar një karikator automatiku me 30 plumba.

Pak minuta më vonë, pranë fshatit Risili, një makinë u pa të kishte marrë zjarr. Në makinën e djegur që dyshohet se është përdorur nga autorët e krimit është gjetur një armë kallashnikov.

 

Fraksion.com