Ish-ministrja austriake që vallëzoi me Putinin merr post të lartë në kompaninë e naftës (video)
Një ish-ministre austriake, e cila kishte vallëzuar në një dasmë me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, është emëruar anëtare e bordit të drejtorëve në gjigantin shtetëror rus të industrisë së naftës, Rosneft, njoftoi kjo kompani.
Karin Kneissl e kishte ftuar Putinin në dasmën e saj. Fotografitë ku ajo shihej duke vallëzuar me presidentin rus në Styria, afër kufirit me Slloveninë, kishin qarkulluar në tërë botën në gusht të vitit 2018.
Pamjet ishin transmetuar ekskluzivisht nga transmetuesi shtetëror rus, Russia Today. Gjesti i austriakes kishte nxitur shumë kritike, sepse ishte bërë pasi disa vende të BE-së, përjashtuar Austrinë, kishin dëbuar diplomatë rusë shkaku i helmimit të Sergei Skripalit me agjent nervor, shkruan The Guardian.
Kneissl e kishte pasur kontaktin e parë me Putinin gjatë kohës kur shërbente si ministre e Punëve të Jashtme. Pasi ishte larguar nga qeveria në vitin 2019, ajo u bë kolumnsite mysafire në Russia Today, medium që shihet si mjet propagande i Kremlinit.
Pas takimit vjetor të aksionarëve, Kompania ruse e naftës njoftoi përmes një deklarate se austriakja Kneissl do të jetë drejtoreshë e pavarur, ndërsa për këtë post u nominua në mars.
Nuk dihet se sa do të paguhet zonja Kneissl në postin e ri, por ajo si duket i ka ndjekur hapat e ish-kancelarit gjerman, Gerhard Schroeder, i cili u bë mik i Putinit gjatë kohës së tij në pushtet. Ai është anëtar dhe shef i bordit të drejtorëve në Rosneft për katër vjet dhe është konfirmuar se paguhet 600.000 dollarë në vit apo 50.000 dollarë në muaj.
Fraksion.com