AktualitetBota+Të fundit

A po i vjen fundi dashurisë mes Evropës Lindore dhe Kinës?

Nga një marrëdhënie e ngrirë për investime me Bashkimin Evropian e deri te tërheqja e Lituanisë nga formati i Kinës për përfshirje në Evropën Qendrore dhe Lindore, Pekini e ka gjetur veten në situatë jo të mirë në javët e fundit.

Marrëveshja ambicioze e Kinës për tregti dhe investime në Bashkimin Evropian është në teren të rrëshqitshëm dhe situata nuk pritet të ndryshojë shpejt.

Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë më 20 maj, që ndalon zbatimin e marrëveshjes derisa Kina të heqë sanksionet e vendosura ndaj ligjvënësve dhe institucioneve evropiane.

Këto sanksione kanë qenë përgjigje ndaj mospajtimeve që lidhen me trajtimin që i bën Pekini minoritetit ujgur dhe myslimanëve tjerë në Provincën Ksinjiang, si dhe për sanksionet e vendosura ndaj Kinës nga ana e Brukselit, në muajin mars.

Vendimi për të penguar zbatimin e marrëveshjes jep shenja për qasje më të ashpër ndaj Kinës në Evropë. Gjermania do të mbajë zgjedhjet në shtator të këtij viti, të cilat mund të ndikojnë në politikë të jashtme më të ashpër ndaj Pekinit, dhe e njëjta gjë mund të ndodhë me Republikën Çeke në tetor.

Opozita në Hungari po ashtu synon të largojë nga pushteti kryeministrin Viktor Orban më 2022, gjë që mund të kthejë mbrapsht qëndrimin e Budapestit pro-Kinës.

Ndërkohë, Lituania ka çimentuar largimin e saj nga formati 17+1, të lansuar nga Kina, me qëllim të angazhimit në shtetet e Evropës Lindore dhe asaj Qendrore.

Ministri i Jashtëm i Lituanisë Gabrielius Landsbergis ka thënë për mediumin Politico se ky format është përçarës. Ai u ka bërë thirrje vendeve tjera që t’i bashkohen Vilniusit dhe të tërhiqen.

Pse ka rëndësi kjo gjë?

Muaji i mjaltit me Kinën mund të ketë mbaruar, mirëpo kjo nuk nënkupton se divorci është mundësi në tavolinë.

Mirëpo duke gjykuar nga reagimet zyrtare të Pekinit, përmirësimi i marrëdhënieve tejet të tendosura, nuk do të ndodhë shpejt.

Pas bërjes publike të lajmit se marrëveshja nuk do të zbatohet, Kina ka fajësuar BE-në, dhe zëdhënësi i ministrisë së Jashtme kineze, ka thënë se Brukseli duhet të fokusohet “më pak në shpërthime emocionale dhe më shumë në mendim racional”.

Kjo gjë më pas është përcjellë nga Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi, i cili ka kritikuar bllokun evropian pse ka vendosur sanksione për shkak të të drejtave të njeriut.

Duke folur përmes video-lidhjes në Konferencën për Siguri, të mbajtur në Mynih sa i përket akuzave për gjenocid në Ksinjiang, Wang ka thënë se “miqtë tanë evropianë e dinë çfarë është gjenocidi”.

Mirëpo përtej fjalëve të ashpra, Pekini ka treguar po ashtu se strategjia e tij e madhe nuk ka devijuar rrugën plotësisht në rajon.

Kina ka organizuar një seri të takimeve të profilit të lartë me Kroacinë, Hungarinë, Poloninë, Serbinë dhe Slloveninë.

Kroacia dhe Polonia kanë ofruar përkrahje zyrtare për përfshirje të Kinës në rajon, derisa Serbia ka nënshkruar një mori marrëveshjesh me të.

Ekspertët: Kina përshtatet me një Lukashenka të çrregullt

Kur disa lexues kanë pyetur se si incidenti me aeroplan në Bjellorusi ndikon në lidhjet mes Minskut dhe Pekinit, disa përgjigje kanë qenë kështu:

“Incidenti i fundit me aeroplan në Bjellorusi do të ndikojë më shumë në rikrijim sesa dëmtim të lidhjeve në mes të Minskut dhe Pekinit. Për aq kohë sa Minsku të plotësojë kushtet kreditore të huasë kineze dhe sanksionet perëndimore të mos pengojnë tregtinë e Bjellorusisë, atëherë projektet dhe tregtia me Kinën do të vazhdojnë të zhvillohen, pavarësisht rrugës më pak të parashikueshme”, ka thënë Peter Braga, ekspert për marrëdhëniet në mes të Bjellorusisë dhe Kinës në Universitetin College të Londrës.

“Pekini ka kritikuar reagimet evropiane për incidentin në Bjellorusi, duke iu referuar rrëmbimit si ‘opinion dhe jo fakt’, si dhe i ka quajtur sanksionet të pabaza.

Tri rrëfime tjera nga Euroazia

Testimi i ujërave të mbrojtjes

Serbia ka shpenzuar 19.3 milionë dollarë në gjashtë dronë ushtarakë kinezë, sipas një hulumtimi të gazetares Milla Gjurgjeviq nga Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Dronët e tipit CH92-A janë blerë nga Beogradi në korrik të vitit 2020 dhe janë prezantuar në një konferencë për media nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Megjithatë, çmimi i dronëve nuk është bërë i ditur. Vuçiq ka refuzuar të përgjigjet kur është pyetur për çmimin, duke thënë se ky informacion është ‘sekret ushtarak”.

“Kjo gjë është e zakonshme dhe nuk ka të bëjë me Kinën, mirëpo këta dronë nuk janë të shtrenjtë”, ka thënë Vuçiq atëbotë.

Mirëpo gjatë një hulumtimi të databazën e Zyrës së Statistikave të Serbisë është parë se 19.3 milionë dollarë janë harxhuar për blerje të pajisjeve ajrore nga Kina më 2020.

Dronët kanë qenë të vetmit që janë bërë nga Kina gjatë atij viti.

Përveç çmimit të dronëve, kjo vlerë ka rëndësi pasi tregon për shtrirjen e Kinës në sektorin evropian të mbrojtjes.

Ndonëse dronët ushtarakë të Kinës janë parë në konfliktet në Lindje të Mesme dhe Afrikë Veriore, dërgimi i tyre në Serbi ka shënuar herën e parë që Kina ka eksportuar këto produkte në Evropë.

Sipas një raporti të muajit janar nga Instituti Mbretëror i Shërbimeve të Bashkuara, Kina ka synuar që të zgjerojë tregun e saj në Evropë për një kohë tashmë, mirëpo kjo gjë është penguar nga një embargo për armët që blloku evropian ka vënë më 1989, për shkak të shtypjes së protestave në Sheshin Tiananmen nga ana e Pekinit.

Ashtu si me shumë fusha të tjera të politikave – nga bashkëpunimi arsimor te teknologjitë e mbikëqyrjes – Serbia funksionon si një vitrinë në pragun e BE-së për industritë dhe iniciativat që Pekini po kërkon t’i zgjerojë.

Përforcues diplomatik për Azinë Qendrore

“Diplomacia me vaksina” e Kinës ka marrë vëmendje nga të gjitha mediat në botë, mirëpo sa po funksionojnë përpjekjet e Pekinit në Azinë Qendrore?

Ndonëse pesë vaksinat e ndryshme të Kinës kanë gjetur relativisht mbështetje në vendet në zhvillim – sidomos në Ballkan, Azinë Jugore dhe Afrikë – Azia Qendrore vazhdon të jetë rast interesant studimi.

Dozat e vaksinave janë duke mbushur zbrazëtirat që kanë mbetur në shpërndarje të vaksinave, mirëpo besimi në to në Azinë Qendrore është i ulët.

Vaksina më e preferuar në këtë rajon është Sputnik V e Rusisë.

Mirëpo prodhimi dhe furnizimi me vaksinën ruse është duke rënë, çka ka lënë këtë rajon të varur nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që synon të shpërndajë vaksina në vendet e varfra por edhe nga një përzierje e vaksinave kineze, me qëllim të plotësimit të kërkesave.

Kjo zonë është e komplikuar për të zbatuar “diplomacinë me vaksina”, pasi Taxhikistani pretendon se nuk ka regjistruar asnjë rast me koronavirus këtë vit derisa Turkmenistani ka thënë se nuk regjistruar kurrë persona të infektuar me koronavirus, pavarësisht të dhënave për të kundërtën.

Rruga në Podgoricë

Pekini është i gatshëm që t’i ofrojë Malit të Zi një greis periudhë për borxhin (një afat i caktuar për mospagim të kredisë) prej 1 miliard dollarësh që ka ndaj Bankës Eksport-Import të Kinës, për projektin kundërthënës të ndërtimit të autostradës.

Ky projekt ka bërë që Mali i Zi të futet në një situatë të vështirë financiare, ka raportuar Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Ky diskutim ka ardhur pas një bisede telefonike në mes të presidentit malazez Millo Gjukanoviq me presidentin kinez Xi Jinping më 26 maj.

Gjukanoviq, i cili ka qenë kryeministër kur është nënshkruar projekti për autostradën më 2014, ka mirëpritur më shumë investime kineze në këtë shtet, dhe ka diskutuar bashkëpunimin më të gjerë edhe në fusha tjetër, përfshirë turizmin dhe edukimin.

Xi po ashtu ka përmendur projektin e hekurudhave dhe ka ofruar mundësinë që afati i caktuar për mospagesë të kredisë të zgjatet në Podgoricë, e cila duhet të kryejë pagesat e para në korrik të këtij viti.

Ky çmim tejet i lartë ka fituar vëmendje ndërkombëtare më herët në pranverë, pasi zëvendëskryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq ka kërkuar ndihmën e Bashkimit Evropian për t’i ndihmuar Malit të Zi që të paguajë huanë.

Më vonë Brukseli ka refuzuar kërkesën.

Ky projekt ka qenë kontrovers nga ditët e para, ndonëse kishte pranuar dritën e gjelbër nga mbështetësit kinezë dhe Qeveria e Gjukanoviqit, pavarësisht dështimit në dy studime fizibiliteti.

Hekurudha është e pakompletuar dhe vlerësohet se çmimi i saj është rritur me kalimin e kohës. Kina tani ka në dorë një të katërtën e borxhit të përgjithshëm të Malit të Zi, i cili ka arritur 103 për qind të bruto prodhimit të brendshëm vitin e kaluar.

Kina nëpër kontinent

Një komunë në Budapest ka riemëruar rrugët rreth zonës së propozuar për Univeristetin Fudan në Hungari në Rrugën Dalai Lama, Rruga e Martirëve Ujgurë dhe Rruga e Hong Kongut të lirë, ka raportuar Shërbimi hungarez i Radios Evropa e Lirë.

Qeveria serbe ka ndarë 19.5 milionë dollarë për ndërtim të një fabrike që do të prodhojë vaksinën Sinofarm të Kinës, ka raportuar Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto ka njoftuar po ashtu gjatë një udhëtimi më 31 maj se Sinofarm do të prodhohet edhe në Hungari, në një fabrikë që aktualisht është duke u ndërtuar, ka raportuar Shërbimi hungarez i Radios Evropa e Lirë.

Kazakistani ka refuzuar që t’iu sigurojë shtetësinë tre kazakëve, të cilët kanë ikur nga rajoni Ksinjiang i Kinës dhe janë nisur ilegalisht në këtë shtet, duke u frikësuar se mund të dërgohen në kampe të internimit, ka raportuar gazetari Aigerim Toleukhanova nga Shërbimi kazak i Radios Evropa e Lirë.

Qaisha Aqan, Murager Alimuly, dhe Kaster Musakhanuly u është garantuar statusi i refugjatit në Kazakistan, mirëpo kjo nuk iu jep të drejta në këtë shtet, sikurse e drejta për të punuar. Meqë shtetësia u është refuzuar, e ardhmja e tyre mbetet e pasigurt.

Yang Jiechi, i cili drejton Komitetin Qendror të Kinës për Marrëdhënie me Jashtë, ka qenë në Moskë në periudhën 24-26 maj, për të diskutuar për sigurinë, në kohën e forcimit të lidhjeve në mes të Pekinit dhe Kremlinit, të cilat po rrisin konfrontimin me Shtetet e Bashkuara.

Beogradi dhe Pekini kanë shkruar një seri marrëveshjesh në mes të ministrive të tyre të brendshme më 27 maj, të cilat parashohin më shumë stërvitje dhe trajnim për luftim të terrorizmit dhe krimit të organizuar, ka raportuar Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Hulumtimi shtatëmujor nga agjencia e lajmeve Associated Press ka gjetur se një mori llogarish të rreme kanë shpërndarë deklaratat e diplomatëve kinezë dhe mediave shtetërore “duke tentuar të fshehurazi të shpërndajnë propagandën te qindra miliona persona”.

Ku duhet fokusuar?

Presidenti amerikan Joe Biden ka urdhëruar agjenci shtetërore të inteligjencës që të rrisin përpjekjet për të gjetur origjinën e koronavirusit, pasi teoria se virusi mund të ketë dalë nga Instituti i Vuhanit për Virologji është kthyer sërish në lojë.

Fillimisht e konsideruar si teori konspirative dhe e politizuar nga administrata e ish-presidentit Donald Trump, Biden është duke folur hapur për këtë teori pas sigurimit të informacioneve të reja nga inteligjenca amerikane.

Shumica e ekspertëve besojnë se virusi është bartur nga kafshët te njerëzit, mirëpo sekreti i Kinës rreth virusit ka nxjerrë në pah edhe mundësi tjera.

Në një letër të shkruar për revistën shkencore Science, një grup prej 18 shkencëtarësh kanë thënë se të dyja teoritë janë të mundshme dhe duhet trajtuar me seriozitet, derisa të sigurohen të dhëna tjera.

Zyrtarët kinezë kanë hedhur poshtë idenë se virusi ka dalë nga laboratori, mirëpo me rritjen e zërit nga administrata Biden për këtë teori, lufta e fjalëve në mes të Pekinit dhe Uashingtonit pritet të rritet sërish./REL

 

Fraksion.com