“Bjellorusia ka kaluar të gjitha vijat e kuqe të mundshme”
Nga Msc. Mimoza Golikja
Mediet raportuan se gazetari 26-vjeçar Raman Pratasevich u arrestua të dielën, më 23 maj 2021, pasi avioni i pasagjerëve Ryanair me të cilin po udhëtonte u detyrua me forcë të ulej në Bjellorusi ndërsa fluturonte mbi hapësirën ajrore bjelloruse. Aeroplani i nisur nga Greqia kishte destinacion Lituaninë. Autoritetet bjelloruse pretenduan “pa ofruar prova” se ekzistonte “një kërcënim për bombë dhe dërguan një avion luftarak për t’i zënë rrugën avionit të pasagjerëve”. Pratasevich dhe partnerja e tij ruse Sofia Sapega u arrestuan pas uljes së avionit. Tre pasagjerë të tjerë zbritën gjithashtu në Minsk. “Besohet se ata ishin agjentët bjellorusë që po gjurmonin gazetarin Pratasevich”, thanë mediet.
Ndërsa zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian shprehën zemërim pas një takimi në Bruksel të hënën më 24 maj. “Ky është një sulm ndaj lirisë së shprehjes dhe sovranitetit evropian. Kjo sjellje e egër kërkon një përgjigje të fortë, prandaj Këshilli Evropian vendosi që do të ketë sanksione shtesë për individët e përfshirë në rrëmbim, por kësaj here, gjithashtu edhe për bizneset dhe subjektet ekonomike që po financojnë atë regjim”, tha Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. Presidenti Joe Biden gjithashtu ka kërkuar mbajtjen përgjegjës të individëve të përfshirë në incident dhe Kombet e Bashkuara po ashtu kanë bërë thirrje për një hetim të plotë, transparent dhe të pavarur. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, mbajti qendrimin e tij dhe dënoi veprimin. “Ky është një rrëmbim shtetëror dhe demonstron se si regjimi në Minsk sulmon të drejtat themelore demokratike.”, tha Stoltenberg.
NATO i bën thirrje Bjellorusisë t’i përmbahet rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla
Ndërkohë Këshilli i Atlantikut të Veriut, lëshoi një deklaratë ditën e mërkurë më 26 maj 2021 lidhur me situatën e marrjes me forcë dhe arrestimin e gazetarit dhe shoqërueses të tij, në ulejn e detyruar të avionit teksa fluturonte mbi Bjellorusi. “Këshilli i Atlantikut të Veriut dënon me forcë devijimin e detyruar në Minsk, Bjellorusi të një fluturimi të Ryanair midis Athinës dhe Vilnius më 23 maj, si dhe lagimin me forcë nga avioni dhe arrestimin e Raman Pratasevich, një gazetar i shquar Bjellorus që udhëtonte në bord si dhe të Sofia Sapega. Ky veprim i papranueshëm shkel seriozisht normat që rregullojnë aviacionin civil dhe rrezikoi jetën e pasagjerëve dhe ekuipazhit. Ne mbështesim thirrjet për një hetim urgjent të pavarur, përfshirë nga Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (ICAO). Ne mbështesim masat e marra nga aleatët individualisht dhe kolektivisht në përgjigje të këtij incidenti.”, thotë deklarata.
Më tej ajo vazhdon se “Ndalimi i z. Pratasevich është një shkelje e parimeve të mospajtimit politik dhe lirisë së shtypit. Bjellorusia duhet të lirojë menjëherë dhe pa kushte z. Pratasevich dhe znj. Sapega. Aleatët e NATO-s i bëjnë thirrje Bjellorusisë të respektojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe t’i përmbahet rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Aleatët qëndrojnë në solidaritet me Letoninë pas dëbimit të pajustifikuar të diplomatëve Letonezë”, përfundon deklarata e publikuar e NATO-s.
Raman Pratasevich mërgoi në Poloni në vitin 2019 dhe kërkoi azil politik. Ai drejtoi kanalet e njohura Nexta dhe Nexta Live në faqen e mediave sociale Telegram. Që nga fillimi i protestave në gusht, “pas zgjedhje të diskutueshme”, autoritetet bjelloruse kanë arrestuar rreth 35,000 njerëz.
Në Portugali në prag të Samitit të NATO-s
Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg vizitoi Lisbonën më 26 maj 2021 për takime për përgatitjen e Samitit të NATO-s, si dhe për të përuruar akademinë e re kibernetike portugeze. Në takim me Kryeministrin António Costa, Z. Stoltenberg vlerësoi Portugalinë për kontributet e saj të shumta në NATO, përfshirë vendosjet në praninë shumëkombëshe të Aleancës në Rumani, punën për të luftuar terrorizmin ndërkombëtar përmes misioneve të NATO-s në Afganistan dhe Irak, si dhe praninë e Portugalisë në Afrikë. Ai përgëzoi Portugalinë për pritjen e mjediseve të NATO-s dhe për bërjen e bashkëpunimit NATO-BE një përparësi të presidencës së vendit të Bashkimit Evropian. Të dy udhëheqësit diskutuan përgatitjet për Samitin e NATO-s në Bruksel që do të mbahet në 14 qershor. Z. Stoltenberg nënvizoi se iniciativa e NATO-s 2030 do të jetë në zemër të Samitit, dhe tha se “ne duhet të marrim vendime ambicioze dhe të demonstrojmë përkushtimin tonë për lidhjen transatlantike si me fjalë ashtu edhe me vepra”. Ata diskutuan gjithashtu situatën në Bjellorusi. Z. Stoltenberg tha se “Unë dënoj me forcë uljen e detyruar të një avioni pasagjerësh gjatë rrugës nga një kryeqytet i NATO-s në tjetrin. Kjo përbën rrëmbim shtetëror, vë në rrezik një numër të madh të qytetarëve të vendeve aleate dhe është një sulm i qartë nga regjimi i Minskut ndaj të drejtave themelore demokratike dhe mediave të pavarura.”, ai shtoi se “i mirëpres sanksionet e rëna dakord nga Bashkimi Evropian dhe kërkoj lirimin e menjëhershëm të gazetarit Raman Pratasevich dhe shoqërueses së tij Sofia Sapega, si dhe të gjithë të burgosurve të tjerë politikë, përfshirë anëtarët e Unionit të Polakëve. Duhet të ketë një hetim urgjent ndërkombëtar për këtë incident të egër.”, tha Stoltenberg.
Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg dhe Kryeministri Costa adresuan gjithashtu tërheqjen e trupave nga Afganistani dhe planet për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s, duke përfshirë trajnimin dhe mbështetjen financiare për forcat afgane. Ata diskutuan më tej se çfarë mund të bënte më shumë NATO për të ndihmuar në luftën kundër terrorizmit në Sahel. “Unë përgëzoj angazhimin e Portugalisë në këtë fushë, e cila ka një rëndësi strategjike për NATO-n. Ne po studiojmë mënyra për të rritur mbështetjen tonë, duke përfshirë përmes G5 dhe partnerit tonë të NATO- Mauritania”, tha Sekretari i Përgjithshëm. Z. Stoltenberg përuroi gjithashtu Akademinë e Komunikimit dhe Informacionit të NATO-s në Oeiras, së bashku me Kryeministrin Costa. Akademia do të luajë një rol kryesor duke trajnuar brezin e ardhshëm të mbrojtësve kibernetikë aleate, duke ndihmuar në mbajtjen e avantazhit teknologjik të NATO-s. Sekretari i Përgjithshëm mori pjesë në një takim të Këshillit të Shtetit, të kryesuar nga Presidenti portugez Marcelo Rebelo de Sousa. ndërsa në datën 27 maj 2021, Sekretari i Përgjithshëm vizitoi transportuesin e avionëve ‘HMS Queen Elizabeth’ të Marinës Mbretërore të Mbretërisë së Bashkuar, duke marrë pjesë në stërvitjen e NATO-s “Steadfast Defender 2021”. Ai gjithashtu mori pjesë në një takim të ministrave të Mbrojtjes të Bashkimit Evropian.
Portugalia aleate e palëkundur në zemër të Aleancës
Konferenca e përbashkët për shtyp e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg dhe kryemistrit portugez António Costa, theksoi edhe njëherë para medies vlerësimin për Portugalinë. “Që nga themelimi i NATO-s, Portugalia ka qenë një aleate e palëkundur dhe shumë e vlerësuar, një komb Atlantik në zemër të Aleancës tonë transatlantike. Forcat tuaja të Armatosura marrin pjesë në praninë tonë shumëkombëshe në Rumani. Ju ndihmuat për të luftuar terrorizmin dhe paqëndrueshmërinë ndërkombëtare, përmes misioneve tona në Afganistan dhe Irak, dhe përmes pranisë tuaj në Afrikë. Portugalia pret struktura të ndryshme të NATO-s, përfshirë akademinë tonë të re kompjuterike. Për të cilën jam krenar që unë dhe ju do të përurojmë së bashku më vonë sot”, tha në krye të fjalës së tij Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg. “Nesër do të marr pjesë në Steadfast Defender 2021. Një stërvitje e rëndësishme, që përfshin mbi 9,000 trupa nga më shumë se 20 vende aleate të NATO-s dhe partnerë. Kjo demonstron gatishmërinë e NATO-s. Ajo tregon aftësinë tonë për të projektuar fuqinë detare në një epokë të konkurrencës gjeopolitike. Dhe më lejoni gjithashtu të përgëzoj Portugalinë për presidencën tuaj në Bashkimin Evropian dhe për ta bërë bashkëpunimin NATO-BE një nga përparësitë tuaja kryesore”, nënvizoi edhe njëherë Jens Stoltenberg marrëdhënien NATO-BE. “Gjatë takimit tonë sot, ne diskutuam përgatitjet për Samitin tonë muajin tjetër.
Në zemër të Samitit të NATO-s në Bruksel është iniciativa NATO 2030 për të përgatitur Aleancën tonë për të ardhmen. Ne përballemi me shumë sfida të ndryshme të cilat asnjë vend ose kontinent nuk mund t’i trajtojë i vetëm. Pra, ne duhet të marrim vendime ambicioze dhe demonstrojmë përkushtimin tonë për lidhjen transatlantike. Edhe me fjalë edhe me vepra. Ne gjithashtu diskutuam një sërë temash të ndryshme të ngutshme, duke përfshirë siç e përmendët ju, situatën në Bjellorusi” informoi ai, duke përcaktuar në të njëjtën kohë edhe qëndrimin e tij lidhur me situatën. “Unë dënoj me forcë uljen e detyruar të një avioni pasagjerësh gjatë rrugës nga një kryeqytet i NATO-s në tjetrin. Kjo barazohet me rrëmbim shtetëror, vë në rrezik një numër të madh të qytetarëve të vendeve aleate. Dhe është një sulm i qartë nga regjimi i Minskut ndaj të drejtave themelore demokratike dhe mediave të pavarura. Unë i mirëpres sanksionet e dakorduara nga Bashkimi Evropian, që kërkojnë lirimin e menjëhershëm të gazetarit Raman Pratasevich dhe shoqërueses së tij Sofia Sapega. Si dhe të gjithë të burgosurit e tjerë politikë, përfshirë anëtarët e Unionit të Polakëve. Duhet të ketë një hetim urgjent ndërkombëtar për këtë incident të egër.”, tha ai për rrëmbimin e gazetarit dhe shoqërueses të tij.
“Ne gjithashtu iu drejtuam Afganistanit, ku tërheqja e trupave tanë vazhdon në një mënyrë të koordinuar. Në të njëjtën kohë, NATO mbetet e përkushtuar në partneritetin tonë të qëndrueshëm me Afganistanin. Kjo përfshin trajnimin e vazhdueshëm dhe mbështetjen financiare të forcave afgane, dhe duke mbështetur të gjitha përpjekjet drejt një paqe të qëndrueshme. Ne gjithashtu diskutuam se çfarë mund të bëjë më shumë NATO për të ndihmuar në luftën kundër terrorizmit në Sahel. Unë përgëzoj angazhimin e Portugalisë për këtë rajon, i cili është i një rëndësie strategjike për NATO-n. Ne po shikojmë mënyra për të rritur mbështetjen tonë, duke përfshirë përmes G5 Sahel dhe partnerin tonë të NATO-s, Mauritania”, deklaroi sekretari i Përgjithshë i NATO-s.
NATO mbështet sanksionet e BE-së ndaj Bjellorusisë
Lidhur me pozicionin e NATO-s, mbi uljen e detyruar të fluturimit të pasagjerëve, për të cilin NATO ka bërë thirrje për një hetim ndërkombëtar dhe lirimin e të arrestuarëve, shefi i NATO-s iu përgjigj interesit të medies që kërkoi të dinte nëse mund të zgjerohej më tej qëndrimi dhe se cila do të ishte konkretisht përgjigjja e NATO-s ndaj këtij incidenti. Jens Stoltenberg ritheksoi edhe njëherë qëndrimin e Aleancës, por tha se ky veprim tregon se sa larg mund të shkojë Minsku gjithashtu, për të goditur forcat demokratike dhe medien e pavarur. “Ne dënojmë me forcë zbarkimin e detyruar të një avioni civil që largohet në të vërtetë nga një kryeqytet i NATO-s, Athina dhe më pas, në rrugën e tij për në një kryeqytet tjetër të NATO-s, në Vilnius, në Lituani. Dhe kjo është absolutisht e papranueshme dhe mendoj gjithashtu, se zbulon se sa larg është i gatshëm të shkojë regjimi në Minsk për të goditur forcat demokratike në vendin e vet dhe që nuk është vetëm një sulm ndaj të drejtave themelore demokratike, por edhe ndaj rolit të rëndësishëm të mediave të pavarura. Ne mbështesim sanksionet e BE-së. Aleatët e tjerë të NATO-s po vendosin sanksione të ngjashme. Ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të të burgosurve politikë në Bjellorusi dhe do të vazhdojmë të bëjmë presion për një hetim të pavarur ndërkombëtar për këtë incident të egër. Pra, ne duhet të qëndrojmë së bashku, komuniteti ndërkombëtar dhe, mendoj se gjithashtu thekson rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë të NATO-s dhe BE-së.”
“Bjellorusia ka kaluar të gjitha vijat e kuqe të mundshme”
Ka disa vija të kuqe që janë kapërcyer në ngjarjen e ndodhur së fundmi në Bjellorusi, por a janë këto vija të kuqe të kapërcyera nga ana e disa vendeve apo nga ana e Bjellorusisë. “A jeni dakord me pozicionin e Lukashenkos? A është e mundur që ky veprim nga Bjellorusia të jetë udhëhequr pa dijeninë e Lukashenkos dhe a ekziston gjithashtu çështja e masave për të luftuar pandeminë?”, ishin këto disa pyetje që iu drejtuan Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg në Lizbonë nga gazetarët. Ai në përgjigjen e tij për medien në këtë grup pyetjesh rreshtoi “para së gjithash pandemia”, siç bëri të qartë ai. “Mendoj se ajo që kemi parë është se na ka kujtuar se duhet të jemi të përgatitur për një krizë dhe për ato të paparashikuarat. Sigurisht, në të gjithë NATO-n, ne kemi parë sesi shërbimet shëndetësore civile kanë qenë në vijën e frontit, por gjithashtu se si forcat tona të armatosura i kanë mbështetur ato përpjekje civile. Ushtarakët tanë në të gjithë NATO-n, dhe gjithashtu të organizuar dhe lehtësuar nga NATO, kanë ndihmuar në transportimin e pajisjeve kritike mjekësore, në transportimin e pacientëve, në ngritjen e spitaleve në terren, për të ndihmuar në përhapjen e vaksinave. Prandaj për mua, është mirë të shoh që NATO si Aleancë, dhe gjithashtu forcat e armatosura në të gjithë Aleancën janë në gjendje të rriten dhe të sigurojnë mbështetje për qeveritë dhe përpjekjet civile për të përballuar pandeminë”, tha ai dhe theksoi gatishmërinë e shtuar të Aleancës, sidomos në kohë krizash. “Mendoj se gjithashtu ilustron rëndësinë e gatishmërisë dhe gatishmërisë së shtuar për lloje të ndryshme krizash. Dhe pastaj unë do të doja të përgëzoja gjithashtu udhëheqjen e qeverisë në Portugali dhe Kryeministrin, në ngritjen dhe mobilizimin e aq shumë force në luftën kundër kësaj pandemie”. Kurse për Kryeministrin e Portugalisë António Costa është Bjellorusia ajo që ka kaluar të gjitha vijat e kuqe të mundshme, “Bjellorusia dhe Lukashenko”, tha ai. “Sigurisht, pse ata filluan një akt të paimagjinueshëm, për të organizuar rrëmbimin e një aeroplani civil, i cili po fluturonte midis dy kryeqyteteve të NATO-s, me synimin për të arrestuar, e duke mbajtur një gazetar. Është e papranueshme nga këndvështrimi i së drejtës ndërkombëtare. Nga këndvështrimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut”, tha kryeministri i Portugalisë António Costa. “Kjo është arsyeja pse Bashkimi Evropian ka një pozicion shumë të qartë duke ndaluar hapësirën ajrore Evropiane për çdo aeroplan nga Bjellorusia dhe duke ndaluar që të gjitha kompanitë Evropiane të afrohen me aeroplanin e Bjellorusisë. Dhe gjithashtu duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të të dyve, të çiftit, dhe të gjithë të burgosurve politikë në Bjellorusi. Sigurisht që ishte Bjellorusia që kaloi vijat e kuqe.”, tha ai.
Fraksion.com