Asambleja Kombëtare e PS miraton 4 vendime, nga Kongresi i Jashtëzakonshëm tek mbledhjet zgjedhore në Strukturat Vendore të partisë, ja çfarë parashikohet
Asambleja Kombëtare e PS ka miratuar sot 4 vendime që kanë të bëjnë me thirrjen e Kongresit të Jashtëzakonshëm më 12 qershor, analizën e zgjedhjeve të 25 prillit apo me zgjedhjet në strukturat vendore të PS.
Në vendimin për thirrjen e Kongresit të jashtëzakonshëm të partisë është miratuar dhe data më 12 qershor dhe rendi i ditës.
1. Hapja e Kongresit (Himni Kombëtar);
2. Rrugëtimi i Partisë Socialiste prej 12 Qershorit 1991;
3. Vizioni për Shqipërinë 2030 dhe Programi ynë Qeverisës në Mandatin e Ri.
4. Miratimi i Vendimeve të Asamblesë Kombëtare të Partisë:
a. Vendim “Për ngritjen dhe funksionimin e Komisionit të Posaçëm të Analizës për Zgjedhjet e Përgjithshme të 25 Prill 2021”;
b. Vendim “Për zhvillimin e analizave për rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme të 25 Prillit 2021”;
c. Vendim “Për zgjedhjet e reja në strukturat vendore të partisë”;
d. Vendim “Për zhvillimin e fushatës së anëtarësimeve të reja në parti”;
e. Vendim “Për përfundimin e procesit të ngritjes dhe funksionimit të Regjistrit Digjital të Partisë”;
f. Vendim “Për miratimin e Kalendarit Politiko-Organizativ të Partisë për periudhën Qershor-Dhjetor 2021”.
Po kështu është miratuar nga Asambleja Kombëtare edhe vendimi për Zhvillimin e Analizës së Rezultateve në Zgjedhjet e Përgjithshme të 25 Prillit 2021.
Në zbatim të Statutit të Partisë, neni 37 “Detyrat e Asamblesë Kombëtare të Partisë”, Asambleja Kombëtare e Partisë,
VENDOSI:
I. Në periudhën 15 Qershor 2021 – 15 Janar 2022 në strukturat vendore të partisë (OS, KSNjA, Bashki, Qark) do të zhvillohen analizat për rezultatet në Zgjedhjet e Përgjithshme të 25 Prillit 2021.
II. Sipas Vendimit përkatës të Asamblesë Kombëtare do të ngrihet dhe funksionojë një Komision i Posaçëm i Analizës për Rezultatin e Zgjedhjeve të Përgjithshme të 25 Prillit, i cili do të përcaktojë metodologjinë e procesit të analizës.
III. Mbledhjet dhe takimet për analizën e rezultateve zgjedhore do të zhvillohen sipas këtyre fazave:
1. Faza e parë: Analizat për rezultatet e zgjedhjeve në OS të zhvillohen në periudhën 15 Qershor – 15 Nëntor 2021. Brenda kësaj faze do të zgjidhen edhe bashkë-drejtuesit e rinj të organizatave socialiste.
2. Faza e dytë: Analizat për rezultatet e zgjedhjeve në Këshillat Socialiste të Njësive Administrative (KS të NJA) të zhvillohen në periudhën 15 Nëntor- 15 Dhjetor 2021.
3. Faza e tretë: Analizat për rezultatet zgjedhore në AS të bashkive dhe shkallë qarku të zhvillohen në periudhën 15 Dhjetor 2021 – 15 Janar 2022 dhe zgjedhja e kryetarëve të PS në nivel bashkie.
IV. Komisioni i Posaçëm i Analizës, drejtuesit politikë të qarqeve dhe kryetarët e partisë të bashkive të marrin masat organizative për përgatitjen në kohë dhe ndjekjen e analizave që do të zhvillohen në strukturat vendore të partisë.
Vendimi i tretë i Asamblesë së PS ka të bëjë me ngritjen dhe funksionimin e Komisionit të Posaçëm të Analizës së Rezultatit të Zgjedhjeve të Përgjithshme të 25 Prillit 2021.
Mbështetur në Statutin e Partisë, Neni 37 mbi “Detyrat e Asamblesë Kombëtare të Partisë”, me qëllim përgatitjen dhe ndjekjen e analizave në strukturat e partisë për rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme të 25 Prillit 2021, Asambleja Kombëtare e Partisë,
VENDOSI:
I. Të ngarkojë Kryetarin e Partisë dhe Sekretariatin Ekzekutiv të Partisë për ngritjen e Komisionit të Posaçëm të Analizës së Rezultatit të Zgjedhjeve të Përgjithshme të 25 Prillit 2021.
II. Përbërja e Komisionit të Posaçëm të Analizës përcaktohet me urdhër të veçantë të Kryetarit të Partisë.
III. Komisioni i Posaçëm i Analizës të organizojë punën e tij në nivel kombëtar, rajonal, qark dhe bashki.
IV. Komisioni i Posaçëm i Analizës do të hartojë raportin paraprak të analizës që identifikon situatën organizative, përbërjen gjinore, moshore, rezultatin e saj në tre zgjedhjet e fundit politike, përmbushjen ose jo të objektivit elektoral. Ky formular do të hartohet për të gjitha nivelet, duke filluar nga OS, KSNjA, Bashki dhe në Qark.
V. Brenda Periudhës 15 Qershor – 15 Korrik, Komisioni i Posaçëm i Analizës duhet të kryejë këto detyra:
1. Të hartojë raportin paraprak të gjendjes organizative të partisë dhe të rezultateve zgjedhore në tre zgjedhjet e fundit politike (2013, 2017 dhe 2021)
2. Të hartojë raportin për funksionimin e sistemit të patronazhit mbi bazën e të dhënave të administruara nga Sekretariati Ekzekutiv dhe drejtuesit politikë të qarqeve.
Vendimi i katërt i Asamblesë Kombëtare që u miratua sot ka të bëjë me Zhvillimin e Mbledhjeve Zgjedhore në Strukturat Vendore të Partisë.
Mbështetur në Statutin e Partisë, Neni 23, pika 6 dhe 7; Neni 26 pika 2, gërma d; Asambleja Kombëtare e Partisë,
VENDOSI
I. Në periudhën 15 Shtator 2021 – 15 Janar 2022 të zhvillohen mbledhjet zgjedhore në strukturat vendore të partisë.
II. Mbledhjet për zgjedhjet e reja në strukturat vendore të partisë do të zhvillohen sipas këtyre fazave:
1. Faza e parë: 15 Shtator- 15 Nëntor 2021 – Mbledhjet për zgjedhjet e reja në OS për zgjedhjen e bashkë-kryetarëve të OS dhe sekretarit/ëve të OS.
2. Faza e dytë: 15 Nëntor-15 Dhjetor 2021 – Gjatë kësaj faze sipas përcaktimeve në Statutin dhe Librin e rregullave të Partisë me ndryshimet në drejtimin e OS (zgjedhjen e bashkëkryetarëve të rinj të OS):
a. Të bëhen përmirësimet në përbërjen dhe drejtimin e KS, AS të bashkive dhe në Këshillin Koordinues të Qarkut;
b. Të bëhen ndryshimet në përbërjen e anëtarësisë së KS të NJA me përfshirjen në to të bashkë-kryetarëve të OS të zgjedhur të rinj;
c. Të bëhen ndryshimet në përbërjen e mbledhjeve të zgjeruara të AS të bashkive me përfshirjen e bashkëkryetarëve të rinj të zgjedhur në OS të bashkive;
3. Faza e tretë: 15 Dhjetor 2021-15 Janar 2022 të zhvillohen:
a. Mbledhjet e zgjeruara të AS të bashkive për zgjedhjen e kryetarëve të rinj të bashkive në të gjitha rastet kur ata janë të komanduar apo japin dorëheqjen për arsye të mosrealizimit të objektivave në zgjedhjet e përgjithshme.
b. Konstituimi i AS të bashkive, KSNjA dhe të Këshillave Koordinues të Qarqeve.
c. Drejtuesit politikë të qarqeve dhe kryetarët e partisë të bashkive të marrin masat organizative për zhvillimin e ndjekjen e mbledhjeve zgjedhore në OS dhe procesin e përmirësimeve në përbërjen dhe drejtimin e KSNjA, AS të bashkive dhe në Këshillat Koordinues të PS të qarqeve.
Fraksion.com