Rrjet i ri muzeumesh në qytetin e gurtë; Golemi : Resurse të rëndësishme për zhvillimin e turizmit
Muzeumet në Gjirokastër janë ndër pikat kryesore, të cilat tërheqin vizitorët vendas dhe të huaj.
Muzeu Etnografik i Armëve, muzeu Kadare, etj pasurojnë guidën turistike në qytetin e gurtë, duke e bërë më interesante dhe të larmishme për vizitorët.
Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, tha për ATSH-në se “për të pasuruar ofertën turistike dhe për të vendosur një standard të ri në këto hapësira kaq shumë të domosdoshme për vizitorët, po punohet për një rrjet të ri muzeumesh në qytetin e gurtë”.
“Shtëpia e Ismail Kadaresë, muzeu Etnografik, muzeu i Armëve, muzeu i Burgut të Shtatë Penxhereve etj do të kenë një strukturë e pamje tjetër shumë shpejt. Projekti synon rikonceptimin e këtyre muzeve, pasurimin e fondit të relikeve në dispozicion të vizitorëve si dhe standardizimin e tyre në bazë të kërkesave bashkëkohore, për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm”, – tha Golemi.
Kryebashkiaku Golemi shprehet se “Gjirokastra e gurtë është një muze i vërtetë për nga vlerat dhe trashëgimia kulturore që mbart si qytet i UNESCO-s”.
Sipas tij, promovimi i këtyre vlerave do t’i kthejë në resurse të rëndësishme për zhvillimin e turizmit.
Muzeumet në qytetin e Gjirokastrës mirëpresin vizitorë vendas dhe të huaj në çdo stinë. Muzeu i Armëve, Etnografik apo “Shtëpia Kadare” janë qendra të rëndësishme për nxitjen dhe zhvillimin e turizmit. Përgjatë vitit 2020 muzeumet u vizituan nga rreth 8 mijë turistë, kryesisht vendas, por edhe nga shtete të ndryshme.
Fraksion.com