Rritet më shumë se dyfish numri i viktimave nga COVID-19 në Peru
Peruja ka rritur numrin e viktimave nga koronavirusi për më shumë se dyfish, duke u bërë vendi me normën më të lartë të vdekshmërisë për kokë banori.
Pas një rishikimi të bërë nga autoritetet, numri i viktimave tani është mbi 180,000, krahasuar me 69,342 sa ka qenë deri më tash.
Kryeministrja Violeta Bermudez tha se numri është rritur me këshillën e ekspertëve peruanë dhe ndërkombëtarë.
Kjo është në përputhje me të ashtuquajturat shifra të vdekjeve shtesë.
Vdekjet shtesë tregojnë se sa njerëz vdesin më shumë seç pritej, bazuar në vitet e mëparshme.
“Mendoj se është detyra jonë që ta bëjmë publik këtë informacion të azhurnuar”, tha Bermudez.
Presidenti i Federatës Mjekësore të Perusë, Godofredo Talavera, tha se numri i rritur i viktimave nuk është befasi.
“Ne besojmë se kjo ka ndodhur sepse sistemi ynë shëndetësor nuk i ka kushtet e nevojshme për t’u kujdesur për pacientët”.
“Nuk ka pasur asnjë mbështetje nga ana e Qeverisë sa i përket oksigjenit, shtretërve të kujdesit intensiv. Ne nuk kemi vaksina të mjaftueshme për momentin… E gjithë kjo na bën vendin e parë në botë sa i përket vdekshmërisë”, tha Talavera.
Numri zyrtar i vdekjeve nga koronavirusi në Peru tani është 180,764.
Sipas Universitetit Johns Hopkins, që ndjek të dhënat për pandeminë, kjo shifër nënkupton mbi 500 vdekje nga koronavirusi në 100,000 njerëz.
Shifra e tejkalon Hungarinë që ka 300 viktima në 100,000 banorë.
Fraksion.com