AktualitetPolitikëTë fundit

Ristani: Zgjedhjet brenda PD të paligjshme, po shkelet ligji dhe statuti i partisë

Ish-Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani deklaroi sot se PD nuk po e zhvillon veprimtarinë e saj të bazuar në ligjet e vendit dhe statutin që ka.

Në reagimin e tij, Ristani shprehet se është e domosdoshme dhe duhen bërë të gjitha përpjekjet që PD të zhvillojë gjithë veprimtarinë e saj mbi baza ligjore dhe statutore.

“Kjo, jo vetëm për detyrimin ndaj ligjit, por edhe për shembullin që duhet të japë PD, si parti që ka drejtuar dhe do të drejtojë shtetin. Së pari, është detyrim ligjor, mbi bazën e ligjit për partitë politike, që çdo ndryshim i statutit te partisë, pasi ajo është regjistruar si person juridik nga gjykata, të bëhet me vendim gjyqësor dhe të regjistrohet në regjistrin e partive politike. Kjo si kusht për ligjërimin e ndryshimeve. Për të gjitha ndryshimet që i janë bërë statutit të PD, pas vitit 2005, nuk është kërkuar shqyrtimi gjyqësor dhe rrjedhimisht nuk janë të depozituara në regjistrin e partive politike pranë gjykatës”, theksoi ai.

Ai thekson se “ky mosrespektim i ligjit bën të cenueshme gjithë vendimmarrjen dhe veprimtarinë e partisë të bazuar mbi rregullat statutore të miratuara nga organet e partisë, por që s’kanë ndjekur procedurat ligjore”.

“Si shembull, le të mendojmë për ti dhënë përgjigje pyetjes:A janë të ligjshme zgjedhjet për kryetar të PD, mbi proceduren një anëtar një vote, në kushtet kur statuti i depozituar në gjykate parashikon se kryetari i PD-së zgjidhet me vote përfaqësuese? Si konkluzion i parë, kryetari në detyrë i PD duhet urgjentisht të dërgojë në gjykatë për regjistrim ndryshimet që i janë bërë statutit të partisë, në mënyrë që të ktheje në ligjitimitet veprimtarinë e partisë. Së dyti, aktualisht partia është futur në procesin e garës për kryetar të PD, proces i cili do të përfundojë me votimin sipas parimit një anëtar një votë. Sipas statutit të miratuar, por të paregjistruar në gjykatë, modalitetet e procesit zgjedhor, përcaktohen nga Rregullorja e Brendshme e PD”, u shpreh Ristani.

Ai shton se “Këshilli Kombëtar, i cili është organi statutor me kompetencën për ta miratuar rregulloren në fjalë, nuk është thirrur dhe rrjedhimisht nuk ka miratuar një rregullore të tillë”.

“Pyetja lind: A janë të cenueshme në gjykate zgjedhjet në parti, kur bëhen për një rregullore të miratuar sipas statutit te PD? Si konkluzion, Këshilli Kombëtar duhet të mblidhet urgjentisht për të miratuar Rregulloren e Brendshme të Partisë dhe aktet duhet ti bashkëngjiten ndryshimeve që do regjistrohen në regjistrin e partive në gjykatë. Së treti, statuti i partisë, megjithëse i palegalizuar nga gjykata, parashikon Komisionin e Apelimit, ose siç njihet Gjykatën e Partisë, si organin statutor, ku drejtohen dhe shqyrtohen ankesat që kanë të bëjnë me zbatimin e statutit dhe rregullave të funksionimit të partisë. Ky institucion i PD nuk është ngritur sipas statutit dhe rrjedhimisht nuk funksionon, duke hequr kështu mundësinë e çdo anëtari partie për t’u ankuar për shkelje të të drejtave statutore. Për me tepër mungesa e Gjykatës së Partisë, në kushtet e fillimit të garës midis 4 kandidatëve për kryetar partie, mohon të drejtën statutore të gjithsecilit prej tyre, për të garantuar një proces të rregullt ligjor në garë dhe kushte për një proces të lirë, të drejtë dhe të barabartë zgjedhor. Pyetja lind: a mundet që kandidatet në garë për kryetar partie të drejtohen drejtpërdrejt në gjykate, për të garantuar kushtet statutore të garës, apo pavlefshmërinë e procesit?”, tha Ristani.

Po ashtu, Ristani vijon duke u shprehur se “konkluzioni, Komisioni i Apelimit duhet të zgjidhet nga Këshilli Kombëtar dhe duhet të fillojë menjëherë funksionimin, duke qenë garanci për respektimin e statutit dhe për të drejtat statutore të kandidateve në garë”.

“Pa i ezauruar të gjitha problematikat ligjore të krijuara dhe duke menduar se PD, përpara se të nxitojë për të zgjedhur kryetarin, duhet të nxitoje dhe të futet menjëherë në shinat e ligjshmërisë, sepse vetëm kështu mund të riorganizohet shpejt  dhe  mund të hyjë fuqishëm në rrugën e fitores, për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, përfundoi Ristani.

 

Fraksion.com