Rindërtimi i shkollave pas tërmetit; Rama e Soreca në Kurbin: Drejt finalizimit faza e parë me fondet e qeverisë, faza e dytë me fondet e BE-së
Kryeministri Edi Rama ishte sot në Kurbin, ku pa nga afër punimet që po kryhen në shkollat “Gjokë Elezi” dhe “Demokracia”, të cilat po rilindin për bukuri pas shkatërrimit nga tërmeti i 26 nëntorit, falë financimit nga Bashkimi Europian.
I shoqëruar nga ambasadori i delegacionit të BE-së në Tiranë, Luigi Soreca dhe Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, Rama u ndal fillimisht te shkolla “Gjok Elezi”, e cila po rindërtohet nga e para.
“Projekti ku jemi këtu është pjesë e fazës së dytë, pasi jemi drejt finalizimit të fazës së parë me fondet e qeverisë. Tani jemi në fazën e dytë me fondet e BE-së për të vazhduar të ndërtojmë shkolla me një cilësi të lartë, që nuk kanë asnjë gjë më pak se sa shkollat e mira në vendet e BE-së”, tha Rama.
Kryeministri solli në vëmendje se “përveç të tjerave, shkollat e reja janë shkolla me eficencë energjetike që garantojnë kursim energjie dhe një mikroklimë shumë më të këndshme qoftë në verë kur ambientet janë më të freskëta, dhe në dimë kur ambientet janë më të ngrohta”.
Rama shprehu falënderime për të gjithë partnerët dhe posaçërisht mikun tonë napoletan, ambasadorin e BE-së, Luigi Soreca.
Ministri Ahmetaj informoi se shkolla “Gjok Elezi” do të dorëzohet në muajin gusht. “Kjo është një shkollë e madhe me 28 klasa dhe me mbi 330 nxënës. Shkolla ka ambientet laboratorike dhe është ndërtuar pasi është konsultuar me komunitetin që ka kontribuar me mendimet e veta se si e do shkollën”, tha Ahmetaj.
Ministri theksoi se te kjo shkollë investimi shkon në 1.5 milionë euro, ndërsa shtoi se janë 58 shkolla që ndërtohen me financimet e KE-së.
Ndërkohë kryetarja e bashkisë Kurbin, Majlinda Cara tha se shkolla është më e madhe, pasi shkolla ekzistuese ka qenë e ndarë në dy objekte. “Këtu kemi 5400 metër katror ndërtim. Kemi kopsht, terrene sportive të jashtme dhe palestër të brendshme”, tha.
Ndërkohë Ahmetaj informoi se shkolla “Demokracia” në Mamurras është për rikonstruksion. “Me grantin e dhënë nga KE është nënkontraktuar UNDP. Janë 58 shkolla me programin e KE-së, 22 me lotin e parë dhe 36 me lotin e dytë”, tha ai.
Në Kurbin janë 4 shkolla dhe 2 kopshte që po ndërtohen nga programi i KE-së.
Fraksion.com