AktualitetPolitikëTë fundit

Rama inspekton punimet në DRSHTRR në Laç: Merr fund koncesioni rraskapitës e korruptiv që …

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Laç, ku ndoqi nga afër transformimin rrënjësor të Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor, ku kryhen mbi 110 mijë shërbime në vit për 54,209 drejtues automjetesh.

Ndërkohë, Rama tha se “prej ditës së djeshme ka nisur shërbimi publik i kontrollit të mjeteve, pas dhënies fund të koncesionit rraskapitës e korruptiv, që torturoi me vite drejtuesit e automjeteve”.

Kryeministri tha se, sipas një kalendari të mirëorganizuar përmes shërbimeve online dhe fizikisht të automjeteve, drejtuesit e automjeteve do të prekin një ndryshim rrënjësor në cilësinë e shërbimit.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se DRSHTRR e Laçit është
e dyta më e madhe e rajonit të veriut, pas asaj të Shkodrës, dhe e 6-ta në vend.

“Ne përpunojmë 50 mijë shërbime për qytetarët dhe kemi synimin të arrijmë në 100 mijë shërbime. Duke filluar që dje ne i jemi kthyer kontrollit fizik të automjeteve që ishin stopuar për dy arsye; për shkak të kalimit nga një koncesion privat te shteti për të cilën  kemi marrë të gjitha masat dhe kemi të gjitha kapacitetet edhe ato njerëzore edhe vendet ku përpunohet i gjithë ky fluks, por edhe për shkak të COVID-it i dhamë kohë qytetarëve dhe e stopuam për 3 muaj procesin”, tha Balluku.

Ministrja theksoi se “puna ka nisur në të gjitha pikat pa asnjë lloj problemi”. “Ne nuk kemi radha, kemi rritur numrin e punonjësve, jemi të sigurt që do të kemi sukses edhe në këtë mision me kontrollin fizik, duke qenë se një pjesë të mirë të shërbimeve i kemi kthyer online. DPSHTRR ka qenë një nga institucionet më avangard për shërbimet online ndërkohë që një pjesë e shërbimeve qëndrojnë fizike, pasi janë të nevojshme kështu, si për lëshimin e lejes së drejtimit dhe kontrollin fizik ku duhet të paraqiten vetë drejtuesit dhe automjetet”, tha ajo.

Balluku shtoi se drejtoria e Laçit nuk është vetmja ku është ndërhyrë pasi janë disa drejtori si Shkodra, Berati, Fieri, Lushnja, Vlora dhe nis edhe me Korçën.

“Në DPSHTRR përveç shërbimeve online që ofron, përveç radhëve që janë zhdukur dhe nuk i gjejmë më në asnjë sportel, çfarë kemi bërë në 3 vite, ka qenë puna shumë e rëndësishme për të rehabilituar të gjitha ndërtesat e kësaj drejtorie kudo ku ato ndodhen në Shqipëri. Jo vetëm për t’i ofruar qytetarëve kushte më të mira ku ata marrin shërbime, por edhe punonjësve, por edhe për arkivat që ishin ose nën ujë, ose në katet e dyta të pa ndërtuara për atë lloj peshe, si rasti i Fierit ku kishim një situatë alarmante pasi pesha e arkivave mund të hidhte ndërtesën”, tha ajo.

Ministrja shtoi se “të gjitha këto ndërhyrje kanë impaktin për publikun, por edhe punonjësit dhe ruajtjen e materialeve shumë të rëndësishme që kjo drejtori ka”.

“Kjo është një nga drejtoritë që ne e marrim për shembull për mënyrën se si është e organizuar dhe për mënyrën se si vetëfinancohet. Financat janë të shëndosha, ne kemi investuar përmes këtyre financave në objekte, në teknologji dhe trajnimet e burimeve njerëzore”, tha ajo.

Ministrja theksoi se “të gjitha komponentët e kësaj ndërmarrje janë optimale, nisur dhe  nga mënyra se si ne kemi ulur çmimin për shërbimet për qytetarët”.

“Duhet t’i referohem rastit kur qytetari duhet të shkonte të noterizonte gjithë dokumentacionin ndërkohë që dokumentacioni ishte origjinal brenda arkivave tona. E kemi hequr këtë hap duke e ulur çmimin nga 33 mijë lekë në 14 mijë lekë, kjo duke ulur çmimet por duke shëndoshur edhe financat e vetë kompanisë që sot arrin të investojë në ndërtesa më të mira, në trajnime. Mirëmenaxhimi ka sjellë këtë rezultat dhe ky shërbim që iu kthye shtetit, kontrolli fizik i automjeteve, do të ketë të njëjtin impakt”, tha ajo.

Ndërkohë drejtori i DPSHTRR, Blendi Gonxhja u shpreh se kalimi i kontrollit fizik nga privati në shtet është bërë një përputhje me direktivat e BE-së.

“Ndryshon cilësia e kontrollit, rritet dhe thellohet kontrolli në automjet, disiplinohet flota dhe bëhen të pakalueshme disa prej pikave që deri dje kanë qenë këshilluese, si dritat apo sisteme të tjera të automjetit dhe gomat. Rritet cilësia e kontrollit në mënyrë që të rrisim më shumë parametrat e sigurisë për mjetet. Kemi investuar me sisteme të vitit 2020-2021, krahas infrastrukturës fizike që do të bëhet edhe ajo krejtësisht e re. Linjat mekanike janë rimontuar tërësisht, bëhet identifikimi dixhital nga targa te shasia dhe të gjitha që të jenë të gjitha në mënyrë dixhitale. Gjithë verifikimet bëhen në kohë reale bashkë si mjeti, shoferi, detyrimet, taksat etj”, tha ai.

Po ashtu, Gonxhe tha se falë vetëfinancimit janë punësuar 250 veta në pandemi. “Janë të gjithë familjarë në gjithë Shqipërinë. Po ashtu kemi rritur pagat, shpërblimet, motivimin. Kemi rritur numrin e të punësuarve, pra kemi njerëz që paguhen më mirë, që janë motivuar më shumë dhe janë trajnuar më mirë”, tha ai.

Përsa i takon tarifës së kontrollit teknik të automjeteve, Gonxhja tha se “në vendet e tjera të botës do të donte 120-150 euro si procedurë për shkak të 150 shërbimeve që ndërmarrja kryen, por ne mund të mbajmë tarifa të ulëta për qytetarët”.

“Do të kemi dorë më të fortë. Do ta fillojmë nga shteti. Flotat publike janë sot ato që kanë problemet më të mëdha, flotat komunale, të bashkive, të enteve publike shpesh na paraqesin probleme më të mëdha. Do ta fillojmë nga vetja dhe t’i japim shembullin qytetarit që dimë të korrigjojmë flotat tona dhe pastaj jemi të aftë dhe me ata”, tha ai.

 

Fraksion.com