AktualitetKosovaTë fundit

Palmer: Njohja e ndërsjellë hap rrugën drejt Evropës

Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer tha të martën në Prishtinë se njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë qëllimi kryesor i dialogut mes dy shteteve.

Gjatë një konference të përbashkët për media së bashku me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, Palmer tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Sa i përket qëllimit përfunditar, ne vazhdojmë të besojmë se është njohja e ndërsjellë ajo që do ta lë pas këtë çështje dhe do të hapë rrugën drejt Evropës”, tha Palmer.

Duke folur për kompromiset e mundshme që do të çonin drejt arritjes së një marrëveshjeje, Palmer tha se për këto kompromise u takon palëve që të diskutojnë dhe të vendosin.

“Nuk është në dorën e SHBA-së që të identifikojë se cilat do të duhej të ishin kompromiset e nevojshme, parametrat e negociatave. Kjo nuk është as punë e mikut tim Lajçak. Kjo u takon palëve. Dialogu nuk udhëhiqet nga SHBA-ja e BE-ja, por udhëhiqet nga palët. Dialogu lehtësohet nga BE-ja dhe mbështetet nga SHBA-ja. Prandaj, u takon palëve të formësojnë dhe të pajtohen për parametrat e dialogut dhe të ndihmojnë që procesi të ecë përpara. Ne jemi këtu për të mbështetur, inkurajuar dhe avokuar teksa procesi ecën përpara”, tha Palmer.

Ndërkaq, sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Palmer tha se ky asociacion duhet të formohet ashtu siç palët janë marrë vesh.

Lajçak, në konferencën e përbashkët për media me Palmerin, tha se takimet e zhvilluara në Prishtinë ishin të dobishme dhe tha se qëllimi i kësaj vizite dyditore ishte që të sigurohet që takimi Kurti-Vuçiq të jetë i suksesshëm.

Palmer dhe Lajçak më 31 maj zhvilluan takime me liderët institucionalë dhe politikë në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se pret që bisedimet të përfundojnë me njohje të ndërsjellë, por duke respektuar integritetin territorial të Kosovës, rregullimin e brendshëm kushtetues dhe shtetëror si dhe funksionalitetin e vendit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti theksoi se bashkëpunimi mes SHBA-së dhe BE-së për dialogun është “i mirëseardhur, sepse është i domosdoshëm”.

Ndërkaq, partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kërkuan nga Palmeri një rol më të madh të Shteteve të Bashkuara në dialogun me Serbinë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Ky proces, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, është thënë se ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.

SHBA-ja, gjatë administratës së Donald Trumpit kishte emëruar Richard Grenellin të dërguar të presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi. Në kuadër të përpjekjeve amerikane për normalizimin e marrëdhënievemë 4 shtator, 2020, në Shtëpinë e Bardhë u arrit një marrëveshje për normalizimin ekonomik mes dy shteteve. Kjo marrëveshje, veç tjerash, parasheh disa projekte infrastrukturore, siç janë linja ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit, autostrada mes dy shteteve dhe lidhjet hekurudhore./REL

 

Fraksion.com