Lajçak dhe Palmer po vizitojnë Kosovën
Sot dhe nesër (31 maj – 1 qershor) në Kosovë do të qëndrojnë Përfaqësuesit Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit të SH.B.A.-ve, Matthew A. Palmer.
Arsyeja e vizitës merret vesh se është përgatitja për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, përkatësisht përgatitja e takimit mes Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Sipas një njoftimi të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë gjatë vizitës së tij dy ditore, Lajçak do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, kryeministrin, Albin Kurti dhe zyrtarë tjerë.
“Lajçak gjithashtu do të takohet me komunitetin ndërkombëtar në Kosovë dhe do t’u drejtohet Shefave të Misioneve të BE-së”, thuhet në njoftim.
Edhe ambasada amerikane në Prishtinë përmes një postimi në rrjetin social, Twitter, konfirmoi arritjen e zyrtarit të Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew A. Palmer.
Sipas njoftimit, Palmer do të diskutojë me zyrtarët e Kosovës për sfidat, mundësinë dhe çështjet e ngutshme me të cilat ballafaqohet Kosova.
Gjatë vizitës së fundit në Brusksel, më 18 maj, kryeministri Kurti kishte deklaruar se takimi me Vuçiqin mund të ndodh diku në mesin e muajit qershor. Ndërkaq, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe Siguri, Josep Borrell kishte deklaruar se shpreson që dialogu në nivel të lartë të ndodhë para 22 qershorit.
Vizita e përbashkët e Lajçakut me Palmerin në Kosovë, sipas burimeve diplomatike në Bruksel, do të bëhet edhe për të dërguar mesazhin se SHBA-ja dhe BE-ja bashkëpunojnë ngushtë sa i përket dialogut dhe kanë qëllime të ngjashme për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Edhe në Kosovë është kërkuar që të ketë një angazhim më të madh amerikan në dialog.
Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Ky proces ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit./rel
Fraksion.com