Ballkani Perëndimor zonë e përgjegjësisë Euro-Atlantike
Nga Msc. Mimoza Golikja
Të e martën, më 18 maj 2021, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg u takua me Presidentin e Malit të ZI, Milo Dukanoviç, në Selinë e NATO-s në Bruksel. Ata shkëmbyen mendime mbi situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe përgatitjet për Samitin e NATO-s muajin tjetër. “Mali i Zi është një aleat i vlerësuar, duke dhënë kontribute të rëndësishme në sigurinë Euro-Atlantike”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s dhe theksoi se të gjitha këto kontribute e bëjnë Aleancën “më të fortë dhe më të sigurt”. Jens Stoltenberg theksoi mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s për Malin e Zi, siç është përgjigja ndaj pandemisë COVID-19, përmes sigurimit të furnizimeve thelbësore mjekësore nga rezervat e reja mjekësore të NATO-s, dhe në mbajtjen e hapësirës ajrore të vendit të sigurt përmes misionit të policimit ajror të NATO-s, “me avionë nga Italia dhe nga Greqia”.
Ndërsa një ditë më parë, të hënë më 17 maj 2021, Stoltenberg priti në Selinë e NATO-s Presidentin e Republikës të Serbisë Aleksandar Vuçiç. Diskutimet ishin mbi partneritetin midis NATO-s dhe Serbisë, rolin e NATO-s në mbajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe tendencat e sigurisë në të gjithë rajonin. “Serbia është një partner i vjetër për Aleancën tonë dhe unë ju falënderoj për angazhimin tuaj personal në partneritetin tonë”, tha Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg. “NATO është e angazhuar për ndërtimin e një partneriteti të fortë me Serbinë”, duke respektuar plotësisht neutralitetin e saj. “Si një komb sovran, Serbia ka të drejtë të zgjedhë rrugën e saj. Ne përballemi me sfida të përbashkëta të sigurisë; dhe partneriteti me NATO-n mund të sjellë përfitime të vërteta për Serbinë dhe qytetarët e saj dhe rajonin e gjerë”, shtoi ai.
NATO e angazhuar për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor
Pas takimit në Selinë e NATO-s, Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg dhe Presidenti i Malit të Zi, Milo Dukanoviç mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp. “Mali i Zi është një aleat i vlerësuar”, sepse jep “kontribute të rëndësishme në sigurinë Euro-Atlantike, siguron mbështetje financiare për Forcat e Sigurisë Afgane” dhe “kontribuon në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, ndërtimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor” si dhe po “rrit shpenzimet e tij për mbrojtjen”. Të gjitha këto kontribute “e bëjnë Aleancën tonë më të fortë dhe më të sigurt”, tha Stoltenberg dhe nënvizoi se ashtu si NATO mund të mbështet në Malin e Zi edhe Mali i Zi mund të mbështet në NATO. “Ne vazhdojmë t’ju mbështesim në luftën kundër COVID-19. Sigurimi i furnizimeve thelbësore mjekësore, përfshirë ventilatorët nga rezervat e reja mjekësore të NATO-s. Ky është solidariteti i NATO-s në veprim. Në të njëjtën kohë, sfidat e sigurisë me të cilat u përballëm para pandemisë nuk janë zhdukur. Kështu që misioni i policisë ajrore të NATO-s vazhdon të mbrojë sigurinë e qiellit tuaj me avionë nga Italia dhe nga Greqia”, tha Jens Stoltenberg në deklaratën për mediet dhe informoi se në takim ishte diskutuar mbi situatën në rajon. “Sot, ne adresuam situatën rajonale. Siguria dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është i rëndësishëm për NATO-n dhe për paqen dhe stabilitetin në Evropë. Ne gjithashtu adresuam veprimet destabilizuese të Rusisë në të gjithë zonën Euro-Atlantike. Nga aktivitetet hibride te operacionet e rrezikshme të inteligjencës në vendet tona deri në vendosjen e konsiderueshme ushtarake në dhe rreth Ukrainës. Këto zhvillime ngrenë shqetësime serioze. Ne jemi dakord që duhet të vazhdojmë të mbështesim partnerët tanë, përfshirë Ballkanin Perëndimor dhe të vazhdojmë të forcojmë parandalimin dhe mbrojtjen e NATO-s. Ne diskutuam gjithashtu iniciativën NATO 2030, e cila është në qendër të Samitit të NATO-s në qershor. Ne duhet të forcojmë mbrojtjen dhe parandalimin tonë, të zgjerojmë qasjen tonë ndaj sigurisë dhe të punojmë me partnerët për të mbrojtur rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, njoftoi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s. “Kështu që unë e mirëpres mbështetjen e Malit të Zi në këtë proces”.
“Mundësi e jashtëzakonshme” për tu takuar në 4 vjetorin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, ku “mund të flasim për çështjet më aktuale që lidhen me marrëdhëniet tona, çështjet aktuale të stabilitetit dhe sigurisë në rajonin tonë dhe në zonën e përgjegjësisë Euro-Atlantike”, tha në deklaratën e tij Presidenti i Malit të Zi Milo Dukanoviç. Ai vlerësoi se katër vjetët e anëtarësimit ishin shumë pozitive, “nga këndvështrimi ynë”. ‘Përvoja me Malin e Zi konfirmoi Aleancën e NATO-s dhe shtetet anëtare se ishte e justifikuar të na besonin në 2017. Ne jemi të lumtur që NATO ka vazhduar të ndjekë me shumë vëmendje situatën në BP dhe që NATO po shpreh përmes politikës së saj të dyerve të hapura, gatishmërinë e saj për të zgjeruar zonën Euro-Atlantike në rajonin tonë”, tha Dukanoviç. “Ne besojmë në një politikë të tillë, ku ju do të vazhdoni të konfirmoni ose mbështesni forcimin e stabilitetit në zonën Euro-Atlantike dhe stabilitetin rajonal”. Ai gjithashtu konfirmoi se Mali i Zi “është absolutisht i gatshëm” të zbatojë të gjitha angazhimet që ka ndërmarrë në planin kombëtar të veprimit dhe në shpërndarjrn e barabartë të barrës së financimit të NATO-s. “Unë dua të konfirmoj se jemi të gatshëm, deri në vitin 2024, siç kemi premtuar në planin tonë kombëtar, të alokojmë 2% të PBB-së për nevojat e ushtrisë dhe mbrojtjes. Dua t’ju them se në vitin 2020 ne tashmë kemi arritur 20% të alokimit të fondeve për modernizimin dhe sipas planit tonë, kjo do të konfirmohet edhe këtë vit” për modernizimin e sistemit të mbrojtjes. Duke konfirmuar deklaratën për shtyp të Sekretarit të Përgjithshëm, Dukanoviç tha se “Pjesa më e rëndësishme e takimit tonë sot u përqendrua në vazhdimin e bashkëpunimit të NATO-s, me vendet e BP, me qëllim që të sigurojmë përforcimin e stabilitetit tonë dhe arritjen e qëllimeve evropiane dhe euro-atlantike. Jam i lumtur që ndajmë plotësisht mendimet në lidhje me rrezikimin e orientimit evropian dhe euro-atlantik të BP përmes depërtimit të interesave të caktuara politike të vendeve, sistemi i vlerave të të cilave dhe qëllimet e të cilave janë të kundërta me Aleancën Evropiane Atlantike”, tha ai dhe pohoi se “ky është një kërcënim serioz, jo vetëm për të ardhmen e BP, por edhe për stabilitetin sot. Kjo është diçka për të cilën unë doja të tërhiqja vëmendjen tuaj përveç kësaj, megjithëse kurrë nuk dyshoj që Ballkani Perëndimor është në monitorin e NATO-s dhe se ju po ndiqni nga afër gjithçka që po ndodh”, tha presidenti malazez duke dashur “të ndajë përvojën aktuale” të Malit të Zi. “Eshtë përshtypja jonë që një aktivitet i tillë shkatërrues po vazhdon, dhe për këtë arsye, mendova se përmes takimit tonë të sotëm dhe takimit me partnerët evropianë që do të kem sot, doja të mobilizoja, të gjithë më tej, në mënyrë që të gjithë të shihnin Ballkanin Perëndimor si fushë që është nën përpjekjen e disa vendeve të treta dhe që ata duan ta përdorin atë për aktivitete të mëtejshme kundër NATO-s. Kështu që unë mendoj se kjo është zona e përgjegjësisë së përbashkët dhe mendoj se duhet të forcojmë aktivitetet tona në mënyrë që të sigurojmë dhe forcojmë stabilitetin e rajonit tonë dhe të krijojmë kushte që vendet tona në BP të mund të shkojnë drejt qëllimeve strategjike, dhe ky është miratimi i sistemit evropian të vlerës dhe anëtarësimit të plotë në BE dhe NATO”, tha ai. “Jam i bindur që kjo është zgjidhja më e mirë për të gjitha vendet e rajonit tonë dhe jam i bindur se përkundër sfidave me të cilat jemi ballafaquar aktualisht, përmes bashkëpunimit edhe më intensiv të rajonit tonë me NATO-n dhe BE, dhe përmes angazhimit edhe më intensiv të NATO-s dhe BE në Ballkanin Perëndimor, ne mund të të sigurojmë arritjen e këtij qëllimi dhe mund të forcojmë stabilitetin evropian dhe euro-atlantik në BP. Mali i Zi mbetet vendi që do të vazhdojë promovimin e vlerave Euro-Atlantike në rajonin tonë në një mënyrë të përkushtuar”, tha Dukanoviç.
Dialogu Beograd-Prishtinë, platforma më e mirë për të gjetur një zgjidhje
“Serbia është një partner i vjetër për Aleancën tonë dhe unë ju falënderoj për angazhimin tuaj personal në partneritetin tonë”, tha në deklaratën e tij për mediet Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg në takimin e përbashkët me Presidentin e Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiç, më 17 maj 2021. “Sapo kemi pasur një takim shumë konstruktiv. Sot kemi diskutuar shumë sfida të ndryshme të sigurisë me të cilat përballet Ballkani Perëndimor. NATO ka qenë e angazhuar për paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor për dekada dhe ne do të vazhdojmë të qëndrojmë të përkushtuar. Misioni ynë i KFOR-it është demonstrimi më i prekshëm i këtij angazhimi. KFOR-i siguron një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur dhe garanton lirinë e lëvizjes për të mirën e të gjitha komuniteteve në Kosovë, bazuar në mandatin tonë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Aleatët e NATO-s janë të vendosur për KFOR-in dhe për misionin e tij të rëndësishëm. NATO gjithashtu mbështet plotësisht procesin e normalizimit midis Beogradit dhe Prishtinës. Dialogu Beograd-Prishtinë është platforma më e mirë për të gjetur një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve dhe për të ndërtuar një paqe të qëndrueshme. Kjo garanton një të ardhme më të mirë dhe më të begatë për të gjithë. Dialogu konstruktiv është thelbësor për stabilitetin në këtë rajon dhe unë vazhdoj t’u bëj thirrje të gjitha palëve që të përfshihen në dialog”, tha Sekretari i Përgjithshë i NATO-s. Ai theksoi se “NATO është e angazhuar për ndërtimin e një partneriteti të fortë me Serbinë. Ne e respektojmë plotësisht neutralitetin tuaj. Si një komb sovran, Serbia ka të drejtë të zgjedhë rrugën e saj. Ne përballemi me sfida të përbashkëta të sigurisë dhe partneriteti me NATO mund të sjellë përfitime të vërteta për Serbinë dhe qytetarët e saj dhe rajonin më të gjerë. Ne punojmë me Serbinë në reformën e forcave dhe institucioneve tuaja të sigurisë kombëtare. Ne trajnojmë oficerë serbë në mënyrë që ata të marrin pjesë më mirë dhe më sigurt në stërvitjet paqeruajtëse ndërkombëtare”. Stoltenberg kujtoi se Serbia ka punuar me NATO-n për të trajnuar mjekë ushtarakë irakianë dhe se ka morë pjesë në stërvitjen më të madhe të emergjencës civile të NATO-s, e cila u organizua nga Serbia disa vjet më parë. “Ndihmojmë aleatët e NATO-s, si dhe Serbinë dhe partnerë të tjerë, që të bëhen më të përgatitur për t’u marrë me katastrofat natyrore, të tilla si përmbytjet dhe zjarret në pyje. Kështu që bashkëpunimi ynë ka sjellë përfitime reale dhe unë pres partneritetin tonë të vazhdueshëm”, tha Jens Stoltenberg. Duke informuar mediat presidenti Aleksandr Vuçiç nga ana e tij tha se kjo ishte një bisedë shumë e rëndësishme për palën serbe dhe sqaroi zërat e disa ditëve më parë që qarkulluan në media. “Siç mund ta shihni, njerëzit e mi përgatitën shumë letra, të bëra bukur, por unë do të thosha diçka të vërtetë për bisedën tonë. Mund të them se jam shumë i kënaqur me përmbajtjen e bisedave tona. Ne morëm shumë siguri nga Z. Stoltenberg, nga Sekretari i Përgjithshëm për të gjitha çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Ne kishim disa pyetje në lidhje me disa thashetheme dhe gjithçka tjetër dhe ajo që morëm nga Z. Stoltenberg ishte një përgjigje shumë e qartë për domosdoshmërinë e ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon dhe përqendrimin e KFOR-it, forcave të NATO-s në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, siç e thashë tashmë dhe kjo ishte diçka që ne e kërkuam. Mendoj se kjo do të sjellë më shumë qetësi në zemrat e njerëzve, jo vetëm në Kosovë, dhe për të cilën po flasim në një rajon të tërë. Kjo ishte diçka me një domethënie të madhe për të gjithë ne. Ne diskutuam të gjitha çështjet e ndryshme, të rëndësishme për një rajon të tërë. Mund të them se jam shumë i kënaqur me këtë deklaratë të z. Stoltenberg që respekton neutralitetin e Serbisë dhe sovranitetin e Serbisë. Ne nuk jemi nxitur, për të mos përmendur, të detyruar nga NATO, nga Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg, për të bërë diçka ndryshe dhe ne e konsiderojmë veten si partnerë. Në fund të tetorit, fillim të nëntorit, ne do të shënojmë 15 vjetorin e Partneritetit për Paqe. I bëra një ftesë z. Stoltenberg dhe shpresoj se ai do të gjejë mjaft kohë dhe arsye të mjaftueshme për të vizituar Serbinë në atë pjesë të vitit, sepse mendoj se do të ishte një konfirmim i shkëlqyeshëm i marrëdhënies sonë të mirë”, tha Vuçiç dhe nënvizoi se kjo gjithashtu “do të forcojë marrëdhëniet tona për të ardhmen, gjë që do të bëhet, mendoj, për hir të, natyrisht të Serbisë së vogël dhe popullit serb. Kjo është puna ime, por gjithashtu mendoj se do të ishte mirë dhe do të bëhej siç duhet për të mirën e NATO-s gjithashtu. Ne diskutuam, siç e kam thënë tashmë, shumë çështje nga rajoni dhe, veçanërisht, të gjitha çështjet në lidhje me Kosovën, në lidhje me marrëdhëniet Beograd-Prishtinë dhe kjo kishte të bënte me hapësirën e ulët ajrore, kishte të bënte me procesin e dialogut dhe unë doja dhe bëra çmos për të bindur Jens Stoltenberg se Serbia është plotësisht e përkushtuar, 100%, 100% e përkushtuar, në procesin e dialogut dhe që ne do të bëjmë më të mirën tonë në arritjen e një zgjidhje kompromisi. E dimë që është një proces nën kujdesin e BE-së dhe shpresojmë se do të kemi fuqinë e mjaftueshme për të përfunduar procesin në një mënyrë pozitive”. Por “nëse jo”, tha Vuçiç, “gjithsesi duhet të ruajmë paqen dhe stabilitetin, që është gjithmonë më mirë sesa të kemi dhunë, incidente, kryengritje, trazira dhe gjithçka tjetër. Edhe një herë, doja të falënderoja shumë personalisht Jens Stoltenberg. Sepse ai ka qenë gjithmonë i gatshëm për të diskutuar të gjitha çështjet e nevojshme dhe të pazgjidhura me Serbinë. Dhe sa herë që kishim ndonjë lloj problemi ai ishte i hapur për diskutim, për të diskutuar gjithçka me ne, për të shqyrtuar, ose rishikuar, çështje shumë të vështira nga rajoni, gjithmonë në një mënyrë për t’u qetësuar, për të qetësuar situatën dhe kjo është arsyeja pse unë jam thellësisht mirënjohës ndaj tij personalisht, dhe natyrisht ndaj partnerëve tanë nga NATO. Serbia do të mbetet dhe Serbia do të ruajë neutralitetin e saj, por kjo nuk do të thotë që ne nuk do të rrisim nivelin e aktiviteteve tona të përbashkëta. Përkundrazi, jam absolutisht i sigurt që mund të bëjmë shumë më tepër në fusha të ndryshme, në sfera të ndryshme dhe se mund të bashkëpunojmë shumë më mirë në të ardhmen”, duke i ripërsëritur ftesën “shpresoj t’ju shoh shumë shpejt në Beograd dhe Serbi”, pasi dhe “ ky është qyteti juaj i lindjes dhe ju jeni gjithmonë shumë i mirëpritur.”
Presidenti Vuçiç dha spjegime gjithashtu pë mediat nëse kishte pasur ndonjë “temë të veçantë” gjatë takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s. “E vetmja gjë që mund të them është se – po kishte dy ose tre pyetje për të cilat unë insistova vërtet. Unë kërkova mbështetje dhe u përpoqa të insistoja në të”, tha ai “Unë insistova në pyetje për çështje, dhe mora shpjegime të shkëlqyera dhe përgjigje të shkëlqyera nga Jens. Për shkak se ai e kupton situatën në rajon, ai e kupton situatën në Serbi, ai i njeh të gjitha problemet tona, edhe pse ai përfaqëson 30 vende, ai e di se si duhet të trajtohen problemet dhe çështjet në rajon dhe edhe një herë unë jam shumë mirënjohës ndaj tij që ai e kuptoi pozicionin tonë. Unë nuk do të flas për këtë publikisht. Diçka për këtë e kam thënë tashmë. Por ka fusha, sfera dhe çështje që ne i trajtuam që unë nuk do të flas publikisht, por gjithsesi, unë mund t’ju them se jam shumë i kënaqur me rezultatet.”
Misioni i KFOR-it nuk ka ndryshime në plane
“Misioni i KFOR-it është shprehja më e prekshme dhe konkrete e angazhimit të NATO-s në rajon. Ne jemi atje për të mbrojtur të gjitha komunitetet për të siguruar lirinë e lëvizjes, dhe aleatët mbeten të përkushtuar ndaj KFOR-it. Ky mision bazohet në një mandat të qartë të KB-së dhe më pas nuk ka ndryshime në plane, as ndryshime në angazhimin tonë për misionin e KFOR-it”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s në konferencën për shtyp me presidentin serb Aleksandër Vuçiç më 17 maj në Selinë e NATO-s, në Bruksel. Të njëjtë gjë pohoi edhe një ditë më pas para medias në daljen e përbashkët me presidentin malazes Milo Dukanoviç. “Misioni i KFOR-it në Kosovë është një mision i rëndësishëm. Bazohet në një mandat shumë të qartë të KB dhe është një nga shprehjet më të prekshme të angazhimit të NATO-s për paqe dhe stabilitet në rajon. KFOR ndihmon për të siguruar siguri për të gjitha komunitetet në Kosovë dhe për të siguruar lirinë e lëvizjes për të gjithë që jetojnë atje. Sigurisht që është një vendim kombëtar nëse do të dërgohen trupa në misionin e KFOR-it”, sqaroi Jens Stoltenberg kur u pyet se çfar komenti kish ai lidhur me vendimin e autoriteteve malazeze për të mos marrë pjesë në misionin e KFOR-it këtë vit dhe nëse ky ky vendim mund të kishte pasoja në marrëdhëniet midis Malit të Zi dhe NATO-s. “Eshtë një vendim që duhet të merret nga secili aleat. Duke thënë këtë, unë natyrisht do të mirëpres kontributet nga Mali i Zi për KFOR-in, sepse kjo do të jetë një mbështetje për punën e rëndësishme të KFOR-it. Kjo do të ndihmojë në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në rajonin e gjerë dhe për Malin e Zi do të jetë një mënyrë për të ndihmuar në stabilizimin e fqinjësisë së tij dhe gjithashtu të punojë së bashku me aleatët e tjerë të NATO-s dhe partnerët në misionin e KFOR-it”, tha Sekretari i Përgjithshëm dhe përmendi se meqenëse NATO tani po përfundon Misionin e saj të Mbështetjes së Vendosur në Afganistan, “shumë aleatë, përfshirë Malin e Zi, do të kenë më pak angazhime në Afganistan dhe nuk do të kenë më asnjë prani ushtarake në Afganistan” dhe “mund të kontribojnë në misionet e tjera të NATO-s, përfshirë misionin e NATO-s në KFOR”. Por ai tha se gjithsesi është një vendim kombëtar dhe “në të njëjtën kohë unë mirëpres pjesëmarrjen e shtuar nga aleatët e NATO-s, përfshirë Malin e Zi në misionin e KFOR-it”.
Kurse Presidenti i Republikës së Malit të Zi, Đukanoviç tha se bashkëpunimi me NATO-n ishte i kënaqshëm lidhur me pjesëmarrjen me cilësi të lartë të Malit të Zi në misionet e NATO-s në Afganistan, Letoni dhe Kosovë, por lidhur me dërgimin e trupave në misionin e KFOR-it ai tha se vendimet sipas sistemit kushtetues të Malit të Zi, meren në parlament, “vendimi për këtë duhet të merret në parlamentin e Malit të Zi”. Por lidhur me rritjen e pjesëmarrjes, ai mendonte se Mali i Zi “është një anëtar i NATO-s nga rajoni ku duhet të tregohet kjo pjesëmarrje dhe është dy herë më tepër përgjegjës për stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor sesa vendet e tjera anëtare të NATO-s” tha ai duke qënë më të interesuar “për stabilitet sesa të tjerët”, por tha ai “duhet t’i qasemi me shumë kujdes kësaj çështje”. Dukanoviç tha se trupat e tyre ushtarake kishin përfunduar rotacionin në Afganistan dhe se kishin një numër ushtarësh të stërvitur që “janë të interesuar të marrin pjesë në misionet e NATO-s”, por që ky ishte një qëndrim i qeverisë të Malit të Zi./Marrë nga gazeta Ushtria
Fraksio.com