AktualitetBota+Të fundit

Shtetet e Bashkuara hetojnë raste të sindromës Havana. Por çfarë është saktësisht kjo sindromë?

Një grup senatorësh amerikanë kanë propozuar një projektligj që do t’u ofronte mbështetje financiare zyrtarëve të qeverisë federale që janë ankuar për probleme nervore apo dëmtime në tru të njohura me termin “Sindroma e Havanës”. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Daria Dieguts shpjegon rrethanat e sëmundjes misterioze:

Në dhjetor 2017, Marc Polymeropoulos po përshtatej me kërkesat e reja të punës si zyrtar i CIA-s që kryesonte shërbimet sekrete

në Evropë. Një udhëtim pune në Moskë ishte i pashmangshëm.

“Më ka mbetur peng që shkova në atë udhëtim sepse në fillim të dhjetorit 2017 u ngrita në mes të natës me marrje mendsh dhe zhurmë të rëndë në vesh. Isha shumë i sëmurë. Kam qenë në zona lufte në Irak dhe Afganistan por kurrë nuk kam provuar një gjë të tillë,” tregon zoti Polymeropoulos.

Fillimisht zoti Polymeropoulos mendoi se ishte helmuar nga diçka që kishte ngrënë. Por kur nuk u përmirësua pas disa ditësh, shkoi për vizitë te mjeku.

“Më kontrolluan mjekët e qeverisë amerikane. Bënë analiza, më vizituan dhe e krahasuan gjendjen time me probleme që ishin vërejtur në Havanë,” tregon ish-agjenti i CIA-s.

Sindroma misterioze e Havanës u shfaq për herë të parë kur një punonjës i ambasadës amerikane në Havanë shkoi te mjeku duke u ankuar për marrje mendsh dhe dhimje të fortë koke. Pas disa ditësh dhjetëra vetë kërkuan ndihmë mjekësore me simptoma të ngjashme.Në verën e vitin 2017, neuro-kirurgut të Universitetit të Pensilvanisë Douglas Smith iu kërkua të analizonte simptomat misterioze.

Imazhet e rezonancës magnetike të trurit nuk zbuluan probleme.

“Simptomat e tyre na bënë të kalonim në kontrolle të avancuara të trurit,” tha Dr. Smith.

Dr. Smith thotë se skaneri i avancuar tregoi ndryshime të dukshme në trurin e viktimave.

Komuniteti i zbulimit filloi të analizonte mundësinë që rusët të ishin shkaktarë të kësaj sëmundjeje misterioze. Sipas CIA-s, agjentët rusë kanë bërë gjëra të ngjashme më parë:

“Kur isha në Moskë në vitet 1970-1980, kishim raste të tilla kur personeli dhe ambasada jonë bombardoheshin me rrezatime me mikrovalë,” thotë James Olson, ish-agjent i CIA-s.

Aktualisht, nuk ka të dhëna publike që i lidhin rusët me këto simptoma, por vjet një raport i Akademisë Kombëtare të Shkencave arriti në përfundimin se simptomat ka gjasa të jenë shkaktuar nga “energji e shenjestruar me impulse e frekuencave radiologjike”.

Por autorët e raportit thanë se nuk mund të dilnin me një përfundim zyrtar si rezultat i karakterit sekret të shumë të dhënave.

Zoti Smith thotë se sindroma është reale dhe se ka diçka që shkakton dëmtimet në tru që ai zbuloi tek pacientët që kontrolloi.

Në maj 2021, gazeta New York Times njoftoi se numri total i pacientëve me Sindromën e Havanës ka arritur në 130 vetë.

Marc Polymeropoulos ende nuk ka marrë një diagnozë specifike. Si rezultat i dhimbjeve të kokës dhe problemeve të tjera, ai dha dorëheqje vullnetarisht nga puna. Qeveria amerikane thotë se nuk ka identifikuar ende shkaqet e simptomave misterioze, por gjatë seancave për konfirmimin e zotit William Burns si drejtor i CIA-s, ai premtoi se do ta hetonte problemin.

Ka njoftime se hetimet janë zgjeruar dhe tani përfshijnë departamentet e Mbrojtjes, të Shtetit dhe CIA-n./voa

 

Fraksion.com