Presidentja Osmani: Të paluhatshëm në partneritetin me aleatët perëndimorë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu dhe kryeministri, Albin Kurti kanë vlerësuar rëndësinë e pjesëmarrjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtrimin e NATO-s “Defender 21” derisa kanë theksuar rëndësinë e fuqizimit të partneritetit me vendet aleate në dobi të sigurisë dhe paqes në Evropë dhe botë.
Më 29 prill, në rajonin e Ballkanit Perëndimor, NATO-ja nisi ushtrimi ushtarak “Defender Europe 21”, që është stërvitja me shkallën më të gjerë që është mbajtur në Ballkanin Perëndimor që nga Lufta e Dytë Botërore. Në këtë stërvitje po marrin pjesë mijëra forca nga Shtetet e Bashkuara.
Një pjesë e ushtrimeve po zhvillohet edhe në territorin e Kosovës, me pjesëmarrje të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovë.
Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, tha më 5 maj se Kosova po merr pjesë në stërvitjen ushtarake të NATO-s “Defender Europe 21” me 330 pjesëtarë.
Gjatë vizitës në një lokacion në jugperëndim të Kosovës, ku po zhvillohen këto ushtrime, presidentja Osmani-Sadriu tha se gatishmëria për të thelluar partneritetin tonë strategjik me aleatët perëndimorë është e paluhatshme.
“Ngritja e kapaciteteve të ushtrisë sot po e merr vulën e përkrahjes nga partnerët tanë strategjikë. Prandaj jam e lumtur të shoh sesi ajo po shndërrohet jo vetëm në fuqi moderne, por edhe në partnere e besueshme të aleatëve tanë, synimet e të cilëve përkojnë me qëllimet tona strategjike. Forca e Sigurisë së Kosovës është sinonim i shtetësisë, sovranitetit dhe paprekshmërisë së territorit tonë”, tha presidentja Osmani.
Ndërkaq, kryeministri Kurti tha se ushtrimi është me rëndësi të posaçme për vendin.
“Veçantia e tij lidhet me faktin se partnerja jonë strategjike SHBA-ja i dha besim vendit tonë dhe FSK-së që për herë të parë të mirëpres një pjesë të këtij ushtrimi në territorin e vendit tonë. Pjesmarrja e FSK-së në ‘Defender 21’ dëshmon qartë synimin e vendit tonë për të formuar një ambient të sigurt dhe paqësor në Evropë dhe më gjerë. FSK-ja jo vetëm që është e vullnetshme, por edhe e gatshme – sepse e aftë për të kontribuar në sigurinë kontinentale e globale”, tha Kurti.
Ai u zotua se mbështetja e qeverisë që drejton do të vazhdojë përmes rritjes së buxhetit për ngritjen e kapaciteteve operacionale të FSK-së.
Në kuadër të kësaj stërvitjeje, rreth 28,000 forca të SHBA-së dhe 26 vendeve të tjera anëtare të NATO-s, do të kryejnë operacione në më shumë se 30 zona trajnimi, nisur nga Baltiku dhe Afrika deri në rajonet e Detit të Zi dhe Ballkanit.
Manovra e NATO-s “Defender 21”, që përbën njërin nga ushtrimet më të mëdha fushore amerikane në Evropë në 25 vjetët e fundit, ka filluar në fund të muajit mars dhe do te përmbyllet në muajin qershor përgjatë Ballkanit dhe rajonit të Detit të Zi, në pikat strategjike që lidhin Evropën, Azinë dhe Afrikën./REL
Fraksion.com