Miratohet raporti përfundimtar për shkarkimin e Presidentit Meta
Raporti për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta është miratuar me unanimitet të plotë, pak më parë në Komisionin Hetimor.
Të gjithë anëtarët e Komisionit kanë votuar pro shkarkimit të Kreut të Shtetit.
Sipas relatorit Alket Hyseni, komisioni gjeti shkelje të 16 neneve kushtetuese nga Kreu i Shtetit: “Qartësisht rezulton se Presidenti ka kryer veprimtari të njëanshme partiake, antimazhorancë, që bie ndesh me nenin 89 të Kushtetutës, ku parashikohet se Presidenti nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike, nuk mund të jetë anëtar partie dhe as të kryejë veprimtari të tjera. Presidenti nuk duhet që të përfshihet në fushatë zgjedhore kundër një ose disa forcave politike, apo të mbështesë grupe të tjera. Qëndrimet e veta publike, të ashpra kundër mazhorancës, Presidenti i ka mbajtur në mënyrë konstante. Komisioni Hetimor çmon se Presidenti nuk qëndroi mbi palët dhe me qëndrimet e tij humbi funksionin e të qënit faktor ekuilibri”.
Top Channel raportoi pak ditë më parë se raporti përfundimtar për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta do të kalojë në Parlament dhe pritet të miratohet në datën 10 qershor. Duhen 94 vota për të shkarkuar Ilir Metën, kurse vendimin final do ta japë Gjykata Kushtetuese.
“Presidenti ka intimiduar votuesit duke thënë se ai vetë do i presë dorën, thirrje luftarake, vetëgjyqësie janë mesazhe të qarta drejt popullit. Kjo nxitje dhune detyroi ambasadoren e SHBA të apelojë presidentin meta të ndaloje këtë fushatë. Në vend të ishte neutral, tregoi qartë anësi ndaj opozitës. Presidenti mori përsipër të jap leksione demokracie, që nuk gjendjen askund”, tha ndër të tjera Hyseni, sot, duke iu referuar raportit, për të cilin u shpreh se do i dërgohet Kuvendit për votim brenda 7 ditëve.
Fraksion.com