AktualitetPolitikëTë fundit

Del Monaco: Vlerësimi i zgjedhjeve bëhet nga ODIHR, presim raportin përfundimtar

Ambasadori i OSBE në Shqipëri, Vincenzo Del Monaco po zhvillon sot një vizitë në qytetin e Shkodrës.

Paradite ai mori pjesë në një veprimtari të organizuar nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit me temë rritjen e ndërgjegjësimit të publikut për drejtësinë tranzitore dhe pajtuese.

Më pas, zhvilloi një vizitë në Shkollën austriake dhe u takua me prefekten e Shkodrës, Majlinda Angoni.

Më pas ambasadori zhvilloi një takim me kryetaren e bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi.

Vizita do të mbyllet në Pikën e Kalimit Kufitar të Muriqanit, ku ambasadori Del Monaco do të takohet me personelin dhe drejtuesit e Policisë Kufitare.

Pas pjesëmarrjes në veprimtarinë e AIDSSH-së, Del Monaco dha një deklaratë për mediet ku foli për rritjen e ndërgjegjësimit të publikut ndaj krimeve të komunizmit.

“Si qenie njerëzore që jemi nuk mund t’i justifikojmë në asnjë mënyrë këto shkelje madhore ndaj qenieve të tjera njerëzore duke i mohuar atyre emrin, apo një varrim të denjë. Realisht e vlerësoj shumë veprimtarinë e mëngjesit të sotëm, sepse për mendimin tim në të u shpreh shumë qartë gatishmëria e përbashkët e autoriteteve shqiptare dhe shoqërisë civile për ta trajtuar seriozisht dhe konkretisht çështjen në fjalë. Mund të dëshmoj se, edhe nga ana jonë, në bashkëbisedimet që vazhdimisht zhvillojmë me autoritetet qendrore në Tiranë marrim të njëjtin mesazh serioziteti, vullneti dhe konkretësie. Në emër të Prezencës së OSBE-së në Tiranë, vetëm mund ta përshëndes dhe mbështes vazhdimin e këtij procesi. Me sa di unë, jemi të angazhuar në mënyrë aktive në fushën e drejtësisë tranzitore dhe për më tepër tema e veprimtarisë së sotme, që ishte Drejtësia dhe Pajtimi, është diçka që na bën të reflektojmë pozitivisht lidhur me pjekurinë e demokracisë shqiptare, sepse kjo është pikërisht fryma e duhur: të bësh diçka që është e drejtë dhe të bësh diçka që është në shenjën e pajtimit me qëllim që të kemi një Shqipëri gjithnjë e më të vetëdijshme dhe për këtë arsye edhe më të fortë për t’u ballafaquar me sfidat e së ardhmes”, tha ai.

I pyetur në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit, Del Monaco u shpreh se, “vlerësimi i procesit zgjedhor brenda familjes së OSBE-së është një punë që kryhet përherë nga ODIHR-i, apo Zyra jonë për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut. Ata kanë botuar tashmë një raport që, në përputhje me normat demokratike dhe të transparencës, është botuar gjithkund, madje edhe në internet. Mbetemi në pritje të raportit përfundimtar, i cili uroj që t’i paraqitet publikut dhe autoriteteve shqiptare së afërmi, megjithëse me thënë të drejtën nuk e di datën e saktë se kur do të ndodhë kjo. Këshilloj që si për gjithçka tjetër, edhe për këtë çështje të mbajmë një qëndrim racional. Kemi lexuar raportin e parë, i cili ishte një raport i mirë sidoqoftë, tani pres të lexoj edhe raportin përfundimtar që do të hartohet nga kolegët e ODIHR-it, përpara se të jem i aftë që të shpreh një opinion më racional e të mirëmenduar”.

I pyetur se si i duket klima politike në Shqipëri, Del Monaco tha se, “me një nivel të lartë dinamizmi dhe gjallërie”.

 

Fraksion.com