Debati mbi ligjin për reformën policore në Kongres
Në përvjetorin e parë të vdekjes së George Floydit ndërsa mbahej i arrestuar nga policia në Mineapolis, një ngjarje që shkaktoi protesta në të gjithë botën, ligjvënësit amerikanë nuk kanë arritur ende të miratojnë një legjislacion gjithëpërfshirës të reformës policore.
Nëntë minuta dhe njëzet e nëntë sekonda – kaq u desh që polici i bardhë të shkaktonte vdekjen e George Floydit … Ngjarja mobilizoi miliona protestues në të gjithë botën.
Por, megjithë vendosjen e një afati nga Presidenti Joe Biden – Kongresi amerikan është ende duke u përpjekur të miratojë ligjet e reformës policore, që do të mbajnë emrin e George Floydit, pikërisht një vit pas vdekjes së tij.
“Ajo që është e rëndësishme është që kur të arrijë në tryezën e Presidentit Biden, të jetë një ligj thelbësor. Kjo është shumë më e rëndësishme se sa respektimi i afatit. Ne do të punojmë derisa të kryejmë detyrën”, thotë ligjvënësja demokrate Karen Bass.
Pika kryesore e diskutimeve në negociata? Koncepti i imunitetit të kufizuar që mbron oficerët e zbatimit të ligjit nga paditja për shkelje.
“Ne kemi qenë të angazhuar ngushtë me negociatorët dhe palë të tjera në Kongres. Ne gjithashtu kemi respektuar hapësirën që u nevojitet negociatorëve për të patur këto diskutime dhe për të gjetur një gjuhë të përbashkët “, tha zëdhënësja e shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
Ligjvënësit nuk mundën të arrinin një marrëveshje verën e kaluar për të njëjtat arsye, në kulmin e protestave mbi vdekjen e Floydit. Familja e tij e shënoi këtë përvjetor me presidentin Biden mes njoftimeve se Shtëpia e Bardhë po kërkon një marrëveshje me sindikatat e policisë për legjislacionin.
“Ne nuk mendojmë se duhet të jetë njëra palë kundër tjetrës. Të gjithë duam procedura më të mira policore. Të gjithë duam thjesht një polici, ku njerëz si George Floyd të kenë mundësi të marrin frymë pa pasur gjurin në qafë”, thotë Benjamin Crump, avokat i familjes Floyd.
Familja Floyd është gjithashtu duke u takuar me negociatorët kryesorë të legjislacionit – senatorin demokrat Cory Booker dhe senatorin republikan Tim Scott.
“Mendoj se duhet të flas vetëm për atë që kam jam i sigurtë dhe kam besim se jemi duke bërë përparim”, tha senatori republikan Tim Scott.
Nëse miratohet, ligji mund të përfshijë gjithashtu një regjistër kombëtar të shkeljeve të kryera nga policët dhe ndalimin e praktikës së shtrëngimit të fytit dhe bastisjeve pa autorizim./VOA
Fraksion.com