Basha nga Gjirokastra: 25 prilli, masakra më e madhe zgjedhore jo ndaj nesh, por ndaj shqiptarëve
Kryetari në detyrë Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me demokratë të qarkut të Gjirokastrës.
Ai tha se 25 prilli është masakra më e madhe zgjedhore jo ndaj nesh, por ndaj shqiptarëve. Do luftojmë bashkë me gjithë fuqinë qe na dhanë njerëzit deri në fitore.
“Një prej betejave më të paprecedenta në pabarazinë e tyre, një betejë ku përballë nuk kishim një kundërshtarë politik, por një regjim i cili shkatërroi një nga një të gjitha rregullat e garës demokratike dhe me të cilin u përballëm dhëmbë për dhëmbë jo thjesht në një muaj fushatë, por në 8 vite, e në veçanti në vitin e fundit, që nga momenti i marrëveshjes së 5 qershorit dhe përballja vazhdon akoma në komisionin zgjedhor, së shpejti fillon në Kolegjin Zgjedhor, e do të vazhdojë sa më takon mua deri në realizimin e asaj që presin shqiptarët dhe asaj që ka ndalur përkohësisht më 25 prill, që është largimi i këtij regjimi dhe ndryshimi që presin përmes Partisë Demokratike. Ndryshe ç’ndodh rëndom kur ndodhem para medieve, në takimet me anëtarësinë, në takimet me strukturat, nuk kam zgjedhur të bëj katalogun e dhunimeve, krimeve të masakrës zgjedhore të 25 prillit, për një arsye të thjeshtë: sepse ju e keni të shënuar në lëkurën tuaj këtë betejë dhe gjithë pasojat e masakrës zgjedhore me të cilën jeni përballur në mënyrë të përditshme e të përnatshme në çdo lagje të qyteteve e të fshatrave të qarkut të Gjirokastrës, si kudo anembanë Shqipërisë”, tha ai.
Basha shtoi se një masakër zgjedhore e padiskutueshme, një padrejtësi kombëtare jo ndaj nesh që ishim dhe mbetemi vektori për ndryshim, mjeti i ndryshimit, por ndaj atyre që e donin ndryshimin dhe që më 25 prill jo vetëm nuk ju dha asnjë përgjigje, por përkundrazi, hallet, problemet e tyre un rënduan dhe më shumë. Dilemat e Shqipërisë u shtuan dhe më shumë, që nga dilema e fermerit dhe blektorit më të largët e deri tek dilemat dhe pikëpyetjet për rrugën e ashpër të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Po ashtu, Basha u ndal në Tepelenë, ku deklaroi se Rama-Doshi i vodhën zgjedhjet dhe po mbajn peng ndryshimin që duan njerëzit. Të vendosur t’ua kthejmë Shqipërinë shqiptarëve!
“Nuk ka ndarje pas 25 prillit sepse ëndrra e tyre vazhdon. Është ndaluar përkohësisht me 25 prill, por 25 prilli nuk ka zgjidhur asgjë për ata përkundrazi i ka bërë më të rënda problemet. Të gjitha problemet që nga problemet e fermerëve e të papunëve e deri tek integrimi europian i vendit. Gjithçka, 25 prilli jo vetëm nuk e ka zgjidhur, por e ka bërë më të rëndë. Prandaj nuk i qesh buza se e di krimin që ka bërë, e di faturën që ka prek dhe tani do të bëjë gjithçka që ata që do të presin faturën të jenë sa më të përçarë dhe sa më të dobësuar. Ne fakt kemi dalë më të fuqishëm”, tha ai.
Po ashtu Basha ka zhvilluar takim me demokratë në Përmet.
“Ne ofruam program, ne ofruam vizion, por ne ofruam po kështu qëndresë. Dhe ishte falë kësaj qëndrese që jemi sot këtu më të mëdhenj seç ishim, më të fortë seç ishim, ndonëse me revoltë dhe zemërim në zemrat tona për tjetërsimin e vullnetit dhe masakrën zgjedhore të 25 prillit. Është falë kësaj qëndrese dhe vetëm falë qëndresës tuaj plot sakrifica deri në vetëmohim të shumë djemve, e burrave e zonjave në këtë fushatë, se përndryshe edhe ky rezultat do të ishte një mrekulli e pamendueshme përballë asaj që kishim, një makinerie të paparë manipulimi, dhune dhe shitblerje të votës. Por tani ndodhemi në një fazë e cila diktohet nga statuti, është vendosur nga institucionet e Partisë dhe padiskutim as nuk mund ti mbivendoset dhe as do të zëvendësojë analizën e plotë të asaj që ka ndodhur në raport me zgjedhjet e 25 prillit. Përkundrazi dje dhe gjatë ditës së sotme ka përfunduar raporti i plotë dhe po përkthehet për t”u dërguar kudo, si hapi i parë për të avancuar më tej në këtë betejë. Për mua objektivi kryesor nuk ka ndryshuar. Tërësia e betejave i pari. Nga fillimi e deri me 25 prill ka patur një dhe vetëm një objektiv, t’ia kthejmë Shqipërinë shqiptarëve duke duke sjellë një demokraci funksionale, me insituticione funksionale dhe me një qeveri që u shërben atyre. Pra, beteja ka nisur për demokracinë, jo thjesht për fitoren e një palë zgjedhjeve dhe padiskutim do të vazhdojë për demokraci dhe bashkë me të do të konfirmojë atë që 25 prilli padrejtësisht e vodhi”, tha ai.
Fraksion.com