“Autorët të dënohen”; Yuri Kim: T’i jepet fund dhunës ndaj gruas
Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Rrëshen, ku u përdhunua nga 5 persona një 15-vjeçare.
Me një postim në Twitter, Kim kërkon dënimin e abuzuesve, ndërsa bën thirrje që t’i jepet fund dhunës ndaj gruas.
Ambasadorja veçon edhe dy pika që, sipas saj, duhet të bëhen duke përmendur drejtësinë dhe kujdesin shëndetësor deri në shërimin e plotë të të miturës.
“Ne i bashkohemi aktivistëve dhe të gjithë të tjerëve që flasin për dënimin e atyre personave që abuzuan seksualisht me një vajzë të re. Përdhunimi është një vepër penale dhe një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut. Ajo çfarë duhet të bëhet në krye të radhës është: 1) shërbim social dhe shëndetësor deri në shërimin e plotë të vajzës 2) drejtësi. Ti jepet fund dhunës ndaj gruas. Jo, do të thotë JO tinukjevetëm”, shkruan Kim.
Kjo ngjarje e rëndë ka sjellë reagimin e shoqërisë, që u pasua me protesta në qytetet kryesore të vendit.
15-vjeçarja është abuzuar nga 5 persona të cilët e shantazhuan dhe kërcënuan atë me video intime.
Ata janë Artan Kaçorri 31 vjeç, Albert Molla 27 vjeç, Ermal Tarazhi 30 vjeç, Nikë Lleshi 44 vjeç dhe 17-vjeçari me inicialet A.Xh janë arrestuar dhe ndodhen në burg.