AktualitetPolitikëTë fundit

Rama kritika në BILD ministrit gjerman të Shëndetësisë: Skandal që denoncon Ballkanin, s’lejoj që Shqipëria të portretizohet zonë risku

Kryeministri Edi Rama ka kritikuar ministrin gjerman të Shëndetësisë, Jens Spahn për një deklaratë të këtij të fundit lidhur me udhëtime jashtë vendit dhe Ballkanit. Ka qenë gazeta prestigjoze BILD ajo që ka publikuar një shkrim ku tregon një përplasje deklaratash mes Ramës dhe ministrit Spahn pasi ky i fundit ka deklaruar se vitin e kaluar rreth 50% e rasteve të reja në Gjermani erdhën si pasojë e udhëtimeve në Ballkan e Turqi dhe këtë vit sipas tij duhet parandaluar.

“Ne mësuam nga vera e kaluar. Në atë kohë, udhëtimet jashtë vendit, shpesh vizitat te të afërmit në Turqi dhe Ballkan, shkaktuan rreth 50 përqind të infeksioneve tona të reja në faza. Ne duhet ta parandalojmë këtë këtë vit “.- deklaroi Spahn.

Por kjo deklaratë për Ramën është e papranueshme, madje ka reaguar përBILD ndaj Spahn duke e cilësuar si një skandal faktin që ministri gjerman ka denoncuar publikisht Ballkanin. Rama thekson se nuk do të lejojë që Shqipëria këtë verë të cilësohet si zonë rreziku e ti ndalohen udhëtimet pasi nuk ka shifra që ta provojnë këtë.

“Është një skandal që një ministër gjerman denoncon publikisht Ballkanin dhe kështu gjithashtu zhvlerëson njerëzit me një sfond migrimi.Unë nuk do të lejoj që Shqipëria të portretizohet si një zonë rreziku për udhëtimet e pushimeve, nuk ka shifra për ta provuar këtë. Një ministër gjerman i shëndetësisë duhet të kujdeset për vaksinimin e popullsisë gjermane dhe të mos zgjojë pakënaqësi stereotipike kundër Ballkanit në mënyrë që të mbrojë një rekord të dukshëm të keq”, thotë Rama.

 

Fraksion.com