Sekretari Blinken në Lindjen e Mesme për të mbështetur armëpushimin në Gaza
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, udhëton për në Lindjen e Mesme të hënën pasi një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit hyri në fuqi mëngjesin e së premtes.
Ky është udhëtimi i parë i sekretarit Blinken në rajon si diplomati më i lartë amerikan. Ai do të takohet me udhëheqës izraelitë, palestinezë dhe rajonalë.
Shtetet e Bashkuara thanë se janë të përkushtuara për të punuar me Autoritetin Palestinez dhe Kombet e Bashkuara, për të siguruar ndihmë të shpejtë humanitare dhe mbështetje ndërkombëtare për Gazën dhe përpjekjet për rindërtimin e saj.
“Përqendrimi ynë i vazhdueshëm është të merremi me situatën humanitare, duke filluar rindërtimin dhe të angazhohemi intensivisht me të gjithë, me palestinezët, me izraelitët, me partnerët në rajon,” i tha të dielën sekretari Blinken rrjetit CNN.
Ndërkohë, ndërmjetësuesit egjiptianë udhëtuan përtej kufirit të Gazës dhe u takuan me presidentin palestinez, Mahmoud Abbas, rivali kryesor i Hamasit me seli në Bregun Perëndimor, në një përpjekje për të ruajtur armëpushimin. Egjipti ndërmjetësoi armëpushimin e Gazës midis Izraelit dhe militantëve palestinezë të udhëhequr nga Hamasi.
Në Kombet e Bashkuara, anëtarët e Këshillit të Sigurimit në një deklaratë të fundjavës, mirëpritën armëpushimin midis Izraelit dhe Hamasit, duke ripërtërirë një thirrje për një paqe gjithëpërfshirëse “mbështetur në pikëpamjen mbi një rajon ku dy shtete demokratike, Izraeli dhe Palestina, jetojnë krah për krah në paqe, me kufij të sigurt dhe të njohur”.
Disa ekspertë thanë se një armëpushim nuk do të zgjidhë çështjet afatgjata që kanë parandaluar një zgjidhje të konfliktit.
“Shtetet e Bashkuara duhet të sqarojnë pozicionin e tyre se si do të dukej një shtet i Palestinës i qëndrueshëm e sovran” dhe “duhet të përshkruajnë veprimet që i konsiderojnë të dëmshme për perspektivën e një zgjidhjeje me dy shtete”, shkroi ish-diplomati egjiptian, ambasadori Hesham Youssef , i cili tani është anëtar i Institutit të Paqes në Shtetet e Bashkuara.
Pas ndërprerjes së konfliktit, sekretari Blinken tha të dielën se Shtetet e Bashkuara besojnë se është koha për një zgjidhje që ofron “të drejta të barabarta të izraelitëve dhe palestinezëve”.
Ai tha për televizionin ABC se palestinezët duhet të “ndiejnë shpresë për të jetuar në siguri dhe dinjitet në një shtet palestinez” dhes e presidenti Joe Biden “mbetet i përkushtuar për një zgjidhje me dy shtete”.
Sekretari Blinken fajësoi militantët e Hamasit për luftimet e fundit, duke thënë se “Hamasi nuk i ka sjellë asgjë tjetër popullit palestinez, përveç shkatërrimit”.
Administrata e e presidentit Biden, ka thënë se një zgjidhje me dy shtete është e vetmja përgjigje për zgjidhjen e konfliktit midis të dyja palëve.
“Le të jemi të qartë: derisa rajoni të thotë, pa mëdyshje, se e pranon të drejtën e Izraelit për të ekzistuar si një shtet i pavarur hebre, nuk do të ketë paqe”, tha presidenti Biden të premten gjatë një konference të përbashkët me presidentin e Koresë së Jugut Moon Jae-in.
Uashingtoni tha se do të punojë me Autoritetin Palestinez për të rindërtuar Gazën por jo me Hamasin dhe “në një mënyrë që nuk do të lejojë Hamasin të armatoset përsëri”. Ky është parë si një plan i vështirë pasi që militantët palestinezë të udhëhequr nga Hamasi kontrollojnë Gazën.
Hamasi qëlloi me raketa mbi qytetet izraelite nga Gaza që prej 10 majit, duke iu kundërvënë siç tha, shkeljes së të drejte të palestinezëve në Jerudsalem nga ana e Izraelit.
Izraeli u kundërpërgjigj me artileri dhe sulme ajrore ndaj udhëheqësve të Hamasit dhe infrastrukturës së grupit. Izraelitët u përballën me një dënim ndërkombëtar për hedhjen në erë të ndërtesave të larta dhe goditjen e kampeve të refugjatëve dhe caqeve të tjera, që shkaktuan viktima të shumta civile.
Luftimet më të ashpra në rajon që nga viti 2014, lanë 248 njerëz të vdekur në Gaza dhe 13 në Izrael./VOA
Fraksion.com