AktualitetEkonomiTë fundit

Regjistrimi dhe monitorimi elektronik i mjeteve lundruese; Drejtoria Detare: Sistemet e reja do jenë gati para 1 korrikut

Regjistrimi elektronik i mjeteve lundruese dhe sistemi elektronik për monitorimin e tyre që do të funksionojë pranë kapitenerive të porteve parashikohet të jetë gati para nisjes të sezonit të ri turistik.

Për zbatimin e procedurave të reja te mjetet lundruese në tetor 2020 u miratuan ndryshimet në ligjin “Për regjistrimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese, turistike e të argëtimit, me motor me fuqi mbi 30 kë dhe me tonazh nën 150 GT”.

Paulin Ndreu nga Drejtoria Detare tha për Monitor se operimi i dy sistemeve elektronike pritet te jetë gati para 1 korrikut. “Deri tani janë dixhitalizuar nga ADISA shumica e dokumenteve dhe bashkë me AKSHI-n parashikojmë që para 1 korrikut, si regjistri elektronik i mjeteve lundruese dhe sistemi i posaçëm elektronik për lëvizjen e mjeteve të jenë funksionalë.

Sistemi i parë do të ketë si funksion krijimin e një regjistri elektronik ku do të regjistrohen të gjitha mjetet lundruese dhe në të cilin do të kenë akses institucionet ligjëzbatuese si Gjykata, Prokuroria, Policia etj. Sistemi i dytë do të vendoset në kapiteneritë e porteve të cilat në zbatim të Kodit Detar të Republikës së Shqipërisë do të monitorojnë lundrimin e të gjitha mjeteve lundruese në hapësirën detare dhe ujërat e brendshëm tokësor të Republikës së Shqipërisë. Ky sistem lehtëson veprimtarinë monitoruese të kapitanerive të porteve, të cilat do të kryejnë verifikimet në formë dixhitale, pa qenë e nevojshme të dalin në det. Procesi i monitorimit në kohë reale do të kryhet nëpërmjet tabletës elektronike”, pohoi z. Ndreu.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme Detare shumë shpejt pritet të jetë gati edhe rregullorja për funksionimin e Regjistrit Elektronik e cila do të miratohet me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për transportin dhe ministrisë përgjegjëse për policinë e shtetit. Rregullorja për monitorimin elektronik të lëvizjes të mjeteve lundruese propozohet nga Drejtoria Detare.

Mjetet lundruese të kënaqësisë dhe ato turistike të njoftojnë në nisje dhe mbërritje. Njoftimi për hyrjen dhe daljen apo lëvizjen në hapësirën detare të Republikës së Shqipërisë, bëhet në sistemin posaçëm elektronik të lëvizjes së mjeteve lundruese. Njoftimi për lëvizje duhet të përfshijë: Emri i mjetit, Numri Regjistrimit; Emri pronarit/Drejtuesit të mjetit; Ora e përafërt e nisjes/mbërritjes; Destinacioni; Numri dhe gjeneralitetet e personave në bord.

Sipas një vlerësimi paraprak të Ministrisë të Infrastrukturës në fazën e konsultimit të ndryshimeve ligjore u parashikua që kostoja ekonomike për ngritjen e këtyre dy sistemeve do të jetë afërsisht 35 milion lekë të cilat do të mbulohen nga buxheti i shtetit

Me ndryshimet e ligjit, sistemi aktual do të mundësojë aplikim dhe dhënie të lejes të lundrimit në rrugë elektronike. Në Fletoren Zyrtare u botua udhëzimi me procedurat e reja për marrjen e lejes profesionale të lundrimit, sipër mjetet e peshkimit dhe ato turistike të pasagjerëve./monitor

 

Fraksion.com