AktualitetPolitikëTë fundit

Merr formë lagjja e re në Vaqarr; Rama: Vijojmë çdo ditë punën për të fshirë çdo gjurmë të tërmetit

Kryeministri Edi Rama ishte sot në lagjen e re në Vaqarr të Tiranës, e ndërtuar nga e para për familjet e prekura nga tërmeti, me objekte arsimore, qendër komunitare dhe hapësira të dedikuara për aktivitete sociale dhe rekreative, e cila po merr formën e vet të bukur.

Kryeministri shprehu mirënjohjen fondacionin “Fundjavë ndryshe”, i cili ka ndërtuar nga e para banesat në Vaqarr.

“Mirënjohje për Arbërin e palodhur, fondacionin “Fundjavë ndryshe” dhe të gjithë ata, që bashkë me ne vijojnë çdo ditë punën, për të shëruar deri në fund çdo plagë e fshirë çdo gjurmë të katastrofës së 26 nëntorit tragjik”, tha Rama.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se nga ana e bashkisë është ndërtuar komplet infrastruktura e kësaj lagjeje si dhe do të nisë ndërtimi i shkollës. Ai tha se “është prishur edhe Pallati i Kulturës që do të bëhet e gjitha qendër komunitare, ndërkohë që kjo lagje do të ketë edhe një stacion autobusi meqë është bërë komunitet i madh”.

Ndërkohë 20 banesa të Vaqarrit janë ndërtuar me kontributin e fondacionit “Fundjavë ndryshe” dhe do të dorëzohen të mobiluara te banorët.

“Këtu jemi në fazën e fundit, ka vazhduar mobilimi i shtëpive. Presim që të përfundojë infrastruktura që pastaj të bëhet edhe lyerja e banesave dhe të dorëzohen të përfunduara”, tha Arbër Hajdari.

Ai tha se “ishin 10 mijë donatorë me donacione të vogla që kanë kontribuar në këtë proces”.

Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj u shpreh se në total nga fondacioni “Fundjavë ndryshe” po ndërtohen 50 shtëpi në gjithë Tiranën në koordinim kjo me ministrinë që të vendosen shtëpitë aty ku duhen

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com