Hapja e negociatave, ambasadori gjerman Zingraf: Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet! Berisha non grata? ‘No Comment’
Ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë, Peter Zingraf, nuk ka preferuar të japë një koment në lidhje me shpalljen ‘non grata’ të Sali Berishës nga ana e qeverisë së SHBA-ve.
I pyetur nga mediat në Korçë Zingraf ka thënë vetëm ‘no comment’.
Zingraf është shprehur i sigurt se BE do të çelë shumë shpejt negociatat me Shqipërinë pasi janë plotësuar të gjitha kushtet.
“Më lejoni që në emër të qeverisë federale për të cilën mua më lejohet të flas të them që kushtet për çeljen e negociatave janë plotësuar tashmë dhe unë jam i bindur se kjo do të vijë shumë shpejt. Por duhet të keni parasysh që duhet të bien dakord të gjitha vendet anëtare”, tha ndër të tjera Zingraf.
Zingraf ka vizituar një projekt të KFW gjermane për trajtimin e mbetjeve duke thënë se projekte të tilla do vijojnë në rang vendi.
“Unë ndodhem këtu jo për të çelur diçka por për të parë një projekt mjaft të rëndësishëm. Si projekt u çel para 3 vitesh e gjysmë në praninë e paraardhëses sime dhe të kryeministrit. Asokohe ne çelëm një koncept projekt për trajtimin e mbetjeve, një trajtim i integruar i mbetjeve të cilat mblidheshin nga 6 komuna pranë Maliqit, projekt i KFË që ka qenë mjaft i suksesshëm. Është një projekt që iu kushtohet qytetarëve. Ne do të vazhdojmë të angazhohemi në këtë kontekst në kuadër kombëtar. Kuvendi ka miratuar një plan kombëtar në këtë sektor dhe Gjermania së bashku me Zvicrën do angazhohen në një projekt të përbashkët, dhe ky shembull këto është mjaft i mirë”, tha Zingraf.
Sa i përket Berishës, i pyetur nëse ka një koment ai tha: “Jo nuk kam komente, jam këtu për të vizituar këtë projekt”.
Ndërkohë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ai shprehur vullnetin e qeverisë federale për të cilën kushtet nga Shqipëria janë plotësuar.
“Le të themi që unë shpresoj që bisedimet e anëtarësimit të nisin sa më shpejt të jetë e mundur. Ky është një proces që kërkon mjaft punë, bashkëpunimin e gjithë aktorëve. Projekte të tilla çojnë në plotësimin e standardeve europiane.
Në emër të qeverisë federale për të cilën mua më lejohet të flas. Qeveria federale ka thënë që kushtet janë plotësuar tanimë. Të njëjtën gjë konfirmoi dhe BE. Unë jam optimist për nisjen e negociatave. Por ky është një proces që kërkon dakordësinë e të gjitha vendeve. Ministri federal është pro këtyre negociatave”, tha Zingraf.
Fraksion.com