Gazeta amerikane: Personeli i laboratorit të Wuhan-it ka kërkuar trajtim spitalor para shpërthimit të Covid-19
Tre studiues të Institutit të Virologjisë në Wuhan të Kinës kishin kërkuar trajtim spitalor në nëntor të vitit 2019, një muaj para se Kina të raportonte rastet e para të COVID-19, njoftoi të dielën gazeta Wall Street Journal, duke cituar një raport të inteligjencës amerikane.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha të hënën se Shtetet e Bashkuara nuk mund të konfirmojnë raportin e gazetës Wall Street Journal mbi origjinën e COVID-19 dhe kishte nevojë për më shumë informacion.
Psaki tha se Shtetet e Bashkuara shpresojnë që Organizata Botërore e Shëndetësisë mund të lëvizë drejt një hetimi më transparent të origjinës së pandemisë së koronavirusit.
Gazeta tha se raporti që nuk ishte publikuar më parë dhe që ofron detaje të reja mbi numrin e studiuesve të prekur, kohën e sëmurjes së tyre dhe vizitat e tyre në spital, mund të intensifikojë thirrjet për një hetim më të gjerë mbi faktin nëse virusi i COVID-19 mund të ketë rrjedhur nga laboratori kinez.
Gazeta Wall Street Journal tha se zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë të njohur me raportin e inteligjencës shprehën një sërë pikëpamjesh në lidhje me fuqinë e provave mbështetëse të raportit. Një person, që kërkoi të mbetej anonim, tha se ishin të nevojshme “hetime të mëtejshme dhe vërtetime shtesë”.
Rastet e para të asaj që do të njihej përfundimisht si COVID-19 u raportuan në fund të dhjetorit të vitit 2019 në qytetin qendror kinez të Wuhan-it, ku ndodhet laboratori i specializuar në kërkimet për koronavirusin.
Shkencëtarët dhe zyrtarët kinezë vazhdimisht kanë hedhur poshtë hipotezën e rrjedhjes së virusit nga laboratori, duke thënë se SARS-CoV-2 mund të ketë qarkulluar në rajone të tjera para se të godiste Wuhan-in, dhe madje mund të ketë hyrë në Kinë nga një vend tjetër përmes dërgesave të importuara të ushqimeve të ngrira ose tregtisë së shtazëve të egra.
Zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Kinës, Zhao Lijian, tha të hënën se ishte “plotësisht e pavërtetë” që tre anëtarë të personelit në laboratorin e Wuhanit ishin sëmurë.
“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të përhapin teorinë e rrjedhjes së virusit nga laboratori”, tha ai. “A po kërkojnë (Shtetete e Bashkuara) gjurmimin e origjinës apo thjesht po përpiqen të zhvendosin vëmendjen diku tjetër?”, pyeti zyrtari kinez.
Raporti i gazetës amerikane u botua në prag të një takimi të organit vendimmarrës të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili pritet të diskutojë fazën tjetër të një hetimi mbi origjinën e COVID-19.
I pyetur në lidhje me raportin, zëdhënësi i OBSH-së Tarik Jasarevic tha përmes postës elektronike se ekipet teknike të organizatës tani po vendosnin për hapat e ardhshëm. Ai tha se studimi i mëtejshëm është i nevojshëm për të mësuar mbi rolin e tregut të kafshëve, si dhe hipotezën e rrjedhjes së virusit nga laboratori.
Një zëdhënëse e Këshillit të Sigurisë Kombëtar të Shteteve të Bashkuara nuk kishte asnjë koment mbi raportin, por tha se administrata e Presidentit Biden vazhdon të ketë “pyetje serioze në lidhje me ditët më të hershme të pandemisë së COVID-19, duke përfshirë origjinën e saj brenda Republikës Popullore të Kinës”.
Ajo tha se qeveria amerikane po punon me OBSH-në dhe vendet e tjera anëtare për të mbështetur një vlerësim të drejtuar nga ekspertët për origjinën e pandemisë “që është i lirë nga ndërhyrjet ose politizimi”.
“Ne nuk do të bëjmë deklarata që paragjykojnë një studim të OBSH-së mbi burimin e SARS-CoV-2, por kemi qenë të qartë se teoritë e arsyeshme dhe të besueshme nga pikëpamja teknike duhet të vlerësohen plotësisht nga ekspertët ndërkombëtarë”, tha ajo.
Në një studim të përbashkët mbi origjinën e COVID-19 nga OBSH-ja dhe Kina të botuar në fund të marsit thuhet se është “jashtëzakonisht e vështirë” që virusi të ketë rrjedhur nga një laborator.
Por, Kina u akuzua për mungesë të transparencës dhe për mosdhënien e të dhënave të papërpunuara për rastet e hershme të COVID-19 ekipit të OBSH-së, dhe për këtë arsye Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe vende të tjera perëndimore i kanë bërë thirrje Pekinit që t’u japë “qasje të plotë” ekspertëve të pavarur.
Një raport faktik i Departamentit të Shtetit, i publikuar në fund të mandatit të administratës së Presidentit Trump thotë se “qeveria amerikane ka arsye të besojë se disa studiues brenda Institutit të Virologjisë në Wuhan u sëmurën në vjeshtë të vitit 2019, para shfaqjes së rastit të parë të identifikuar të koronavirusit, me simptomatë ngjashme me ato të COVID- 19 dhe sëmundjet e zakonshme sezonale”. Raporti nuk përmend numrin e studiuesve të sëmurë./VOA
Fraksion.com