Italia fiton Eurovision 2021 pas votave të publikut! Anxhela Peristeri renditet e 21 me 57 pikë
Italia ka fituar Eurovisionin pas 31 vitesh duke u përfaqësuar nga grupi “Maneskin” me këngën “Zitti e Buoni” një këngë rock. Italia u shpall fituese vetëm pas votave të publikut duke shkuar në total në 524 pikë.
Ishte vota e publikut ajo që përmbysi gjithcka, duke i dhënë Italisë vendin e parë në garë. ‘Rock n’roll nuk vdes kurrë’ ishin fjalët e para të grupit italian ndërsa ngjitej në skenë për të ngritur trofeun.
Shqipëria e përfaqësuar nga Anxhela Peristeri me këngën Karma mori vetëm 57 pikë të cilat e rendisin atë në vendin e 21.
Peristeri 22 pikë mori nga juria profesioniste e 39 shteteve pjesëmarrëse të Eurovioson 2021 dhe 35 pikë ishin nga publiku. Nga juritë profesioniste Shqipëria u votua nga: San Marino me 2 pikë, Malta me 12 pikë të cilat janë edhe pikët maksimale, Danimarka me 7 pikë dhe Holanda 1 pikë.
Në vendin e dytë, u rendit Franca e cila në total mori 499 pikë.
Zvicra e cila përfaqësohej nga ‘Gjon’s Tears’, një i ri me origjinë nga Shqipëria ishte shumë pranë fitores. Ai ishte më i vlerësuari nga juritë profesioniste duke grumbulluar 267 pikë por që mori shumë pak vota nga publiku duke bërë që në renditjen përfundimtare të përfundonte në vendin e 3 me 432 pikë.
Kompeticioni i këtij viti u zhvillua në Roterdam të Holandës, pas dy vitesh ndërprerje si pasojë e pandemisë Covid-19.
Grupi ‘Maneskin’ rikthen Eurovisionin në Itali pas 31 vitesh. Ata janë artistët e tretë italianë që fitojnë festivalin evropian pas Gigliola Cinquetti në 1964 dhe Toto Cutugno në 1990. Edicioni i radhës do të organizohet në Itali.
Fraksion.com