AktualitetBota+Të fundit

Rusia zgjeron praninë ushtarake në Arktik

Gjatë Luftës së Ftohtë, baza ajrore ruse Nagurskoye shërbente thjesht si një pistë për ulje avionësh, stacion meteorologjik dhe një postë komunikimi në arkipelagun “Franz Josef Land”.

Temperaturat në dimër aty arrijnë në minus 42 gradë celsius dhe bora zhduket vetëm nga gushti e deri në mes të shtatorit.

Aktualisht, baza më veriore ruse po mbushet me raketa dhe radarë dhe në pistën e saj të zgjeruar mund të ulet çdo lloj avioni, përfshirë bombarduesit strategjikë bërthamorë. Me këtë veprim Moska po tregon muskujt dhe ndikimin në Akrtik mes intesifikimit të konkurrencës ndërkombëtare për burimet e mëdha të rajonit.

Rusia është përpjekur të tregojë influencën e saj mbi zona të mëdha të Arktikut në konkurrencë me Shtetet e Bashkuara, Kanadanë, Danimarkën dhe Norvegjinë, ndërsa shkrirja e akullit ofron mundësi të reja për burimet dhe rrugë transporti. Kina gjithashtu ka treguar një interes në rritje për rajonin, që besohet se mban një të katërtën e naftës dhe gazit të pazbuluar të planetit.

Presidenti rus Vladimir Putin ka cituar vlerësime që thonë se pasuritë minerare të Arktikut shkojnë në 30 trilionë dollarë.

Tensionet mes Rusisë dhe Perëndimit ka të ngjarë të jenë të larta gjatë takimit të së enjtes të ministrave të jashtëm të vendeve të Arktikut. Takimi mbahet në Rejkjavik të Islandës, ku Moska do të marrë drejtimin me rotacion të Këshillit të Arktikut.

“Kemi shqetësime në lidhje me disa aktivitete ushtarake në Arktik”, tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken të martën, pas mbërritjes në Islandë. Kryediplomati amerikan do të zhvillojë bisedime me tetë ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Këshillit të Arktikut.

“Kjo shton rreziqet e aksidenteve dhe llogaritjet e gabuara, si dhe minon qëllimin e përbashkët për një të ardhme paqësore dhe të qëndrueshme për rajonin. Ndaj duhet të jemi vigjilentë për këtë.”

Baza ruse, e cila ndodhet rreth 1 mijë kilometra në jug të Polit të Veriut, u ndërtua duke përdorur teknologji të reja si pjesë e përpjekjeve të Kremlinit për të forcuar ushtrinë mes tensioneve në rritje me Perëndimin, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014.

Në vitin 2015, Rusia paraqiti në Kombet e Bashkuara një kërkesë të rishikuar për territore të mëdha të Arktikut, duke pretenduar 1.2 milionë kilometra katrorë të basenit detar, një zgjatim prej mbi 650 kilometrash nga bregu.

Ndërsa OKB-ja peshon pretendimet e Rusisë dhe vendeve të tjera, Moska ka thënë se e sheh si të sajën Rrugën e Detit të Veriut, që kërkon autorizim nga Moska për anijet e huaja, që duan të lundrojnë atje. Shtetet e Bashkuara i kanë hedhur poshtë si të paligjshme pretendimet ruse për disa pjesë të rrugës detare.

Moska ka bërë të ditur se synon të miratojë procedura të reja për anijet e huaja dhe për të caktuar pilotë rusë si udhërrëfyes përgjatë rrugës detare e cila shkon nga Norvegjia deri në Alaskë.

Si pjesë e kësaj përpjekjeje, Rusia ka rindërtuar dhe zgjeruar objektet në zonën polare, duke dislokuar mjete mbrojtëse dhe survejimi. Mes shqetësimeve në rritje të NATO-s mbi shtimin e pranisë ushtarake ruse në Arktik, Uashingtoni dërgoi këtë vit bombardues B-1 në Norvegji.

“Rritja e pranisë ruse, me më shumë baza në Arktik, ka shkaktuar nevojën për prani më të madhe të NATO-s. Kemi shtuar praninë tonë detare dhe ajrore. Gjithashtu rëndësia e mbrojtjes së kabllove nënujore të transatlantikut që transmetojnë shumë të dhëna”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg.

Gjatë takimit të Këshillit të Arktikut këtë javë në Islandë, kryediplomati rus Lavrov do të zhvillojë bisedime me Sekretarin Blinken, një takim që synon të hedhë bazat e takimit Putin-Biden të planifikuar për muajin e ardhshëm. Zoti Blinken ka theksuar se me ngrohjen e Arktikut me rreth dyfishin e mesatares globale, Rusia ka shtuar përpjekjet për rritjen e pranisë në rajon.

“Rusia po shfrytëzon këtë ndryshim me përpjekjet për të ushtruar kontroll mbi hapësirat e reja”, tha zoti Blinken muajin e kaluar. “Po modernizon bazat e saj në Arktik dhe po ndërton baza të reja”.

Zoti Blinken po ashtu vuri në pozitë kryediplomatin Lavrov lidhur me komentet e tij të mëparshme, pasi diplomati rus hodhi poshtë kritikat ndërsa u shpreh se Arktiku “është territori ynë, toka jonë”, siç ishte shprehur ai.

“Ne duhet të mbrojmë të gjithë ne, përfshi Rusinë, bazuar në rregulla, bazuar në norma, bazuar në angazhimet që secili prej nesh ka marrë dhe duhen mënjanuar deklarata që bien ndesh me këto”, tha zoti Blinken.

Që nga vizita e Presidentit Putin në vitin 2017, baza Nagurskoye është forcuar dhe zgjeruar. Në atë bazë aktualisht strehohet një grup taktik që drejton survejimin elektronik, asetet e mbrojtjes ajrore dhe një bateri të sistemeve raketore kundër anijeve.

Të hënën, zotu Lavrov hodhi poshtë kritikat e Perëndimit për zgjerimin rus në Arktik ndërsa kundërshtoi përpjekjet e Norvegjisë për një prani më të fortë të NATO-s atje.

“Ne dëgjojmë ankesa kundër zgjerimit të aktiviteteve ushtarake ruse në Arktik”, tha Lavrov. “Por të gjithë e dinë se është territori ynë, toka jonë. Ne mbajmë përgjegjësi për sigurinë në brigjet e Arktikut, dhe gjithçka bën vendi ynë atje është plotësisht legjitime”, tha kryediplomati rus.