Basha nga Shkodra: 25 prilli, vjedhja më e madhe në historinë e pluralizmit
Kryetari i PD, Lulzim Basha, zhvilloi sot një takim me demokratët në Shkodër.
“Sot nga Shkodra e krenarisë kombëtare më vjen keq të pohoj se jemi në një nga skenat e krimit të 25 prillit. Këtu hileja e regjimit Rama-Doshi fshehu koncesionin e Partisë Socialiste si kamuflazh nën siglën e PSD-së”, tha Basha.
Por, shtoi ai, “sikurse e dinë shkodranët dhe e gjithë Shqipëria, nuk ka PSD”.
“Ka një ndërmarrje të përbashkët të Edi Ramës dhe të Tom Doshit për të fshehur nën siglën e kësaj ndërmarrjeje, të padëshiruarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nuk ka PSD, sepse ka tre kandidate të dalë nga masakra zgjedhore e 25 prillit, që të tre drejtorë të Partisë Socialiste. Nuk ka as PSD, as PS, por është regjimi Rama-Doshi që bleu me paratë e grabitura të shqiptarëve mjerimin që ua ka shtruar në sofra çdo familje shkodrane dhe shqiptare”, u shpreh Basha.
E kështu pra, theksoi Basha, “fatkeqësisht, Shkodra e njerëzve me shpirt fisnik nuk përmendet për gjigandët e kulturës që e ndritën imazhin e kombit, por përmendet për Tom Doshin që është bërë i famshëm përtej Atlantikut për aferat e tij kriminale dhe korruptive si një nga kokat e gjarprit që ka shtrënguar dhe po asfikson Shqipërinë në morsën e krimit dhe të korrupsionit”.
“Si asnjëherë tjetër, shteti u përvesh me të gjitha mjetet në aleancë me krimin kundër opozitës, kundër Partisë Demokratike për të tjetërsuar vullnetin e shqiptarëve. Të gjithë jemi dëshmitar se si i derdhën lumë paratë e korrupsionit dhe i përdoren banditët për të shantazhuar, intimiduar dhe blerë votuesit. Në mënyrën më të paimagjinueshme që nga kohërat më të egra të diktaturës”, theksoi ai.
“Dhe në fakt e pamendueshmja ndodhi këtu në Shkodër, ku për herë të parë në 30 vite Tom Doshi dhe banditët e tij detyruan të largohet dhe të mbyllë mbledhjen një ambasadore perëndimore, pasi grabitën në sy të saj një të ri shkodran i cili pati guximin të ngrihej në këmbë dhe të thoshte: këtu po blen vota Tom Doshi”, u shpreh Basha.
“Por, e them me krenari që nuk ia dolën të trysnojnë demokratët e Shkodrës dhe qytetarët shkodranë. Nuk ia dolën sepse ju dhe i gjithë ekipi juaj, i demokratëve dhe i mbështetësve tanë, dolët në këtë betejë me zemër dhe jo me frikë, dolët në këtë betejë me njerëz të ndershëm në krah dhe jo me banditë, dolët në këtë betejë me program, me vizion dhe jo me ankthin e atyre që luftonin për të mbajtur dhe ruajtur plaçkën e vjedhur këto 8 vite shkodranëve dhe shqiptarëve”, tha Basha.
“Ju dolët në betejë si njerëz të lirë pa asnjë pushtet dhe pavarësisht vjedhjes më të madhe në historinë e pluralizmit ia dolët dhe e patë në sytë e njerëzve, e ndjetë në zemrat e tyre sesi e ngritët peshë shpirtin e tyre, pasionin e tyre për ndryshim. Jam i vetëdijshëm se edhe përtej vështirësive të parrëfyera të gjithsecilit prej demokratëve, këtë nuk e bëtë për veten tuaj, nuk e bëtë për mua, nuk e bëtë për drejtuesit tanë politikë, por e bëtë sepse gjithsecili prej jush hyri në këtë betejë me besimin se fitorja e Shqipërisë ishte më e rëndësishme sesa fitorja me çdo çmim e partisë”, u shpreh Basha.
“Po sot Shqypni po më thuaj si je”- do të thoshte Pashko Vasa. Si është pra, Shqipëria pas 25 prillit? A është më e mirë Shqipëria pas 25 prillit? A ka Shqipëria një parlament pa krim pas 25 prillit? A është më e bashkuar Shqipëria pas 25 prillit? A ka një të ardhme të qartë europiane Shqipëria dhe shqiptarët pas 25 prillit? Përgjigja është jo. 25 prilli jo vetëm nuk zgjidhi asnjë nga këto, por i thelloi plagët e vjetra të vjedhjes së zgjedhjeve e të aleancës së pushtetit me krimin të korrupsionit dhe të varfërimit të qytetarëve si pasojë e tyre”, tha ai.
“Në këto kushte ne kemi një dhe vetëm një detyrë, të vazhdojmë deri në fund betejën derisa e drejta për 25 prillin të jetë e qartë dhe e kthjellët si qielli. Të gjithë e dimë se çfarë ka ndodhur, të gjithë e dimë se forca dhe vullneti juaj bënë diferencën pavarësisht prej makinerisë shtetërore të bërë njësh me mafien, pavarësisht regjimit Rama-Doshi. Tani Shqipëria ndodhet në udhëkryq dhe është në dorën tonë dhe të askujt tjetër për të nxjerrë nga ky udhëkryq. Askush tjetër nuk ka forcën, pastërtinë, bashkimin për ta nxjerrë nga ky udhëkryq”, nënvizoi kreu i PD.
Ndaj, theksoi Basha, “sot kam ardhur tek ju për të vazhduar dhe për ta çuar së bashku deri në fitore betejën që kemi nisur. Nëse jemi të vetëdijshëm për arritjet e kësaj beteje e cila ngriti peshë zemrat e shqiptarëve për ndryshim, nëse jemi të bashkuar, nëse jemi të gatshëm të pranojmë dhe të ndreqim ato që janë në dorën tonë të ndreqim, atëherë i kemi të gjitha mjetet për ta mbajtur të ndezur shpresën dhe pasionin për ndryshim të shumicës dërrmuese të shqiptarëve dhe të shkodranëve, i kemi të gjitha mjetet për ta flakur me çdo mjet një orë e më parë këtë pakicë plaçkitëse”.
Fraksion.com