AktualitetPolitikëTë fundit

Shkarkimi i Metës, Komisioni Hetimor Presidentit: Ke kohë deri të hënën, mund të vish kur të duash! Meta: Kërkesa palegjitimuar dhe fiktive

Në ambientet e Kryesisë së Kuvendit është zhvilluar mbledhja e radhës e Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

Mbledhja ka nisur me votimin e vendimit që Presidentit të Republikës t’i lihet një afat për tu paraqitur në komision. Metës i është dhënë afat nga nesër deri të hënën e ardhshme që të vendosë dhe të vijë kur të dojë.

Presidenti Meta i ka kthyer përgjigje Kuvendit lidhur me ftesën për t’u paraqitur në seancë dëgjimore në Komisionin Hetimor Parlamentar për shkarkimin e tij. Në një përgjigje të gjatë, Meta thotë se sipas tij kjo kërkesë, në përmbajtje të saj, nuk referon asnjë dispozitë kushtetuese dhe ligjore për bazueshmërinë e saj.

“Kuvendi duhet të mbajë në konsideratë se, çdo kërkesë për informacion në kuadër të ndonjë procesi “hetimor”, është e palegjitimuar, fiktive, jashtë çdo lloj afati, dhe jo vetëm që cenon hapur të gjitha parimet kushtetuese demokratike të shtetit të së drejtës, por në mënyrën se si është iniciuar, vlerësuar, miratuar dhe po vijon të realizohet, tregon qartë se përpiqet të krijojë idenë se Kuvendi po ushtron funksionet e tij, ndërkohë që, asnjë proces i kësaj natyre (hetimor) nuk mund të ushtrohet e të zhvillohet në këtë periudhë tranzitore të përfundimit të mandatit të Kuvendit aktual, dhe fillimit të ushtrimit të detyrës së Kuvendit të ri të zgjedhur më 25 prill 2021”, shkruan ndër të tjera Meta.

 

Fraksion.com