AktualitetPolitikëTë fundit

Zhupa: Basha do jepte dorëheqjen nëse zgjedhjet do ishin të ndershme

Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, tha sot se nëse zgjedhjet do të ishin të ndershme, kreu i PD-së, Lulzim Basha do të jepte dorëheqje.

Gjatë një interviste televizive, Zhupa tha se “nëse zgjedhjet do të ishin zhvilluar në minimumin e standardit, Lulzim Basha do të kishte dhënë dorëheqjen, por kjo nuk është diçka që mund të ndodhë kur zgjedhjet, siç i cilëson Partia Demokratike ishin një masakër elektorale”.

“Nëse ne do të kishim zgjedhje të lira dhe të ndershme, të paktën me minimumin e standardeve demokratike, Lulzim Basha do të kishte dhënë dorëheqjen dhe këtë gjë e konfirmoi dhe dje në mbledhjen që kishim në Këshillin Kombëtar, ku të gjithë pa përjashtim e dinë që ne nuk kemi arritur të kemi një palë zgjedhje të lira dhe të ndershme, përkundrazi kemi një palë zgjedhje të tjetërsuar dhe manipuluar. Në këto kushte ne nuk mund ta quajmë hajdutin e zgjedhjeve fitues dhe vjedhjen ta quajmë sukses”, tha ajo.

Po ashtu, Zhupa tha se deri tani kemi dy kandidatë, Bashën dhe Kadillin, por deri më 23 maj në mbledhjen e kryesisë mund të ketë edhe kandidatë të tjerë.

“Çdo anëtar i Partisë Demokratike do të vijë me alternativat për kryetar. Deri sot kemi dy alternativa, Basha dhe Kadilli. Mund të kemi të tjera pasi kryesia e partisë pret deri më 23 maj, data kur  do të zhvillohet dhe mbledhja e radhës, të gjitha kandidaturat që do të vijnë të vetëshpallura sipas kritereve që kërkon statuti i Partisë Demokratike dhe pastaj çdo kandidat do të ketë të drejtën e tij për t’i folur anëtarësisë në çdo qark, në çdo degë për të dhënë programin e tij,” – u shpreh Zhupa.

Në lidhje me zhvendosja e datës së zgjedhjeve të kryetarit të PD-së nga muaji korrik në 13 qershor, Zhupa tha se kjo ka ndodhur, sepse turizmi është më i zhvilluar gjatë muajit korrik.

“Muaj korrik është një muaj i cili karakterizohet nga turizmi në Shqipëri dhe ka vuajtur edhe nga viti pandemik, por dhe shqiptarët kanë trendin e tyre për të pushuar dhe ne morëm një vendim për t’i afruar zgjedhjet dhe caktuar më 13 qershor me parimin një anëtar një votë, ku çdo anëtar i partisë do zgjedhë nga dy alternativat për kryetar, pasi deri më sot kemi Bashën dhe Kadillin, sepse kryesia e PD-së deri më 23 maj do të zhvillojë dhe mbledhjen e radhës. Të gjitha kandidaturat që do të vijnë të vetëshpallura sipas kritereve që përcakton statuti të PD-së dhe pastaj çdo kandidat do të ketë të drejtën e tij për t’i folur anëtarësisë në çdo qark, në çdo rreth”, tha ajo.

 

Fraksion.com