Heroinë në shtëpi: Arrestohet në Korçë shpërndarësi 32-vjeçar, i dënuar edhe më parë
Një 32-vjeçar është arrestuar në Korçë pasi iu gjetën në shtëpi 23 doza të vogla me heroinë.
Korçë
Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta, në doza të vogla.
Vihet në pranga poseduesi i lëndës narkotike dhe procedohet penalisht blerësi, i cili kur konstatoi shërbimet e policisë, nuk iu bind urdhrit të tyre për të ndaluar. Sekuestrohen 23 doza me lëndë të dyshuar narkotike heroinë. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë Korçë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, goditën një rast të shpërndarjes së tyre në doza të vogla, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit S. Ç., 32 vjeç (i dënuar më parë për veprën “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”) dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin O. K., 40 vjeç, banues në Korçë.
Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, se në lagjen nr. 17, Korçë, një shtetas shpërndante lëndë narkotike të forta, janë organizuar shërbimet dhe kanë bërë të mundur lokalizimin e shtetasit S. Ç. Ky shtetas, në banesën e tij, i kishte shitur shtetasit O. K., disa doza me lëndë të dyshuar narkotike heroinë, i cili sapo ka konstatuar ndërhyrjen e shërbimeve të policisë ka tentuar të largohet me vrap, duke mos iu bindur urdhrit të tyre për të ndaluar, por më pas u neutralizua. Nga veprimet e mëtejshme procedurale, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit S. Ç., u gjetën 23 doza me lëndë të dyshuar narkotike heroinë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
Fraksion.com