AktualitetTë fundit

Sekuestrohen pasuritë e mjekut Edvin Prifti; Hetim për korrupsion, SPAK: Paraqiste fatura false për të mos paguar tatim

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur sekuestro mbi llogaritë bankare të mjekut kardio-kirurg Edvin Priftit, duke i sekuestruar shumën prej 51.479.368 lekësh dhe shumën prej 177.497 Euro.

Në njoftimin e SPAK thuhet se policia gjyqësore ka kryer një hetim të thelluar financiar dhe pasuror të Priftit  dhe subjekteve tregtare të krijuar prej tij. Pas këtij hetimi intensiv u grumbulluan prova që krijojnë dyshimet se Prifti ka ngritur një skemë të mirëfilltë kriminale që konsistonte në paraqitjen e faturave tatimore fallco me qëllim shmangien nga pagimi i tatimeve.

Dhe jo vetëm kaq! Nga verifikimet e llogarive bankare të Edvin Priftit apo personave fizik të regjistruar në emër të tij është konstatuar se Prifti kryente depozitime cash në llogari bankare të hapura në banka të ndryshme të nivelit të dytë.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po kryen hetime në kuadër të procedimit penal nr.102/2 të vitit 2020, në ngarkim të të hetuarit E. P. (aktualisht nën masën e sigurimit “Pezullim i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale), i dyshuar për kryerjen e veprave të “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” (më shumë se një rast) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga nenet 259 dhe 287 të Kodit Penal.
Policia Gjyqësore pranë Policisë së Shtetit ka kryer një hetim të thelluar financiar dhe pasuror të shtetasit E.P. dhe subjekteve tregëtare të krijuar prej tij (Persona Fizik). Falë një hetimi intensiv u grumbulluan prova që krijojnë dyshime se nga ana e të hetuarit është ngritur një skemë e mirëfilltë kriminale që konsistonte në paraqitjen e faturave tatimore fallco me qëllim shmangien nga pagimi i tatimeve. Gjithashtu nga verifikimi i llogarive bankare të shtetasit E.P. apo personave fizik të regjistruar në emër të tij është konstatuar se ky shtetas kryente depozitime Cash në llogari bankare të hapura në banka të ndryshme të nivelit të dytë.
Nisur nga sa më sipër, duke qenë se ekziston dyshimi që shumat e parave të depozituara në bankë, në Cash, nga ana e të hetuarit E. P. (në llogarinë personale apo të PF të krijuar prej tij) janë produkte të veprës penale Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar Gjykatës vendosjen e sekuestros preventive.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.150 datë 11.05.2021, ndërmjet të tjerave ka vendosur:
Vendosjen e sekuestros preventive mbi llogaritë bankare (llogari rrjedhëse, depozitë pa/me afat apo investime në obligacione) në emër të shtetasit E. P. apo subjekteve tregëtare në pronësi të tij në shumat:
• Sekuestrimin e shumës 51.479.368 Lek.
• Sekuestrimin e shumës 177.497 Euro.

Emri i mjekut Edvin Prifti doli nga përgjimet që po kryheshin në Gjykatën e Krujës. Ai mori ryshfet nga kryesekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuçi për t’i operuar nënën.

Në shtëpinë dhe zyrën e mjekut  me detyrë kardiokirurg në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” u gjetën dhe sekuestrohen në total 250 mijë euro dhe 16 milionë lekë, për të cilat avokati, Henrik Ligori këmbënguli se shuma prej eurosh që u gjet në banesën e mjekut ka qenë shumë e fituar nga çmimet ndërkombëtare.

 

Fraksion.com