AktualitetTë fundit

“DefenderEurope 21”; Rama publikon foto nga stërvitja e marinës amerikane dhe shqiptare në bazën detare Pashaliman

Në Portin e Durrësit po vijon stërvitja e madhe, me dislokimin që ndodh për herë të parë që prej Luftës së Dytë Botërore, në Europë, ku po demonstrohen aftësitë ndërvepruese të Shteteve të Bashkuara me ushtritë partnere të NATO-s, për sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe rajonet e Detit të Zi.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot disa foto nga stërvitja e marinës amerikane dhe shqiptare.

“Mirëmëngjes dhe me këto foto nga stërvitja e marinës amerikane dhe shqiptare në bazën detare Pashaliman në Vlorë si pjesë e “DefenderEurope21”, ju uroj një ditë të mbarë”, shprehet Rama.

Stërvitja ushtarake, e organizuar nga ushtria amerikane në Europë dhe Afrikë, ku marrin pjesë rreth 28 mijë trupa nga 26 vende aleate dhe partnere, po zhvillohet në 7 baza të ndryshme në vendin tonë.

“Defender 21” që u çel më 4 maj do të zgjasë deri në 9 qershor.

Shqipëria është një nga 16 vendet mirëpritëse në zhvillimin e kësaj stërvitjeje ushtarake. Forcat tona të Armatosura, po përfaqësohen me rreth 1000 trupa.

Ndërkohë 28.000 trupa shumëkombëshe po kryejnë aktivitete pothuajse në të njëjtën kohë në më shumë se 30 zona trajnimi, të shtrira në 12 vende.