AktualitetPolitikëTë fundit

Basha nga Fieri: Këtë betejë e nisëm për shqiptarët dhe do ta vazhdojmë për ta

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me demokratë në Fier.

Në fjalën e tij, Basha tha se, “vullneti i qytetarëve më 25 prill u tjetërsua. U tjetërsua përmes përdorimit masiv të makinerisë shtetërore në kundërshtim flagrant me ligjin, u tjetërsua përmes vjedhjes dhe përdorimit si në kohët e sigurimit të shtetit të dhënave personale të qytetarëve për t’i intimiduar ata. U tjetërsua duke e nxjerr zbuluar atë që e di gjithë bota, e di gjithë Europa, e di Amerika, të cilët janë shprehur qartë për nevojën për ndryshim. Binomin Rama-Krim, regjimin Rama-Doshi i cili kësaj radhë ka lënë gjurmët e gishtave kudo. Jo vetëm në Shkodër, por kudo, nga Vermoshi në Konispol, edhe këtu në Fier. Se çfarë programi ofroi Tom Doshi fierakëve, këtë pres të ma shpjegojë zonja ose zotëria më i zgjuar i Fierit, qoftë socialist apo jo. Sigurisht që nuk ka nevojë për shpjegim. Por ne sot nuk jemi këtu për të ulur kokën dhe për të thënë atë që e dinë të gjithë: që 25 prilli ishte ditë e një masakre elektorale të nisur muaj më parë. Ne jemi këtu në radhë të parë për të pohuar se ne u futëm në këtë betejë me vetëdijen e  plotë se vetë në fushatën tonë, në shpirtrat tanë, në raportin tonë me qytetarët kishim zbritur në të  njëjtin nivel dhe ishim rritur në të njëjtin nivel morali si ata. Për herë të parë që nga 91-shi pa asnjë pushtet, por me zemrat dhe mendjet e mbushura me  hallet dhe problemet e tyre që  nga naftëtarët e Ballshit tek  fermerët e Myzeqesë, që nga pensionistët e mjeruar në ekstrem tek të rinjtë në dëshpërim, që nga bizneset e vogla për të cilat Fieri mban rekordin e mbylljeve përditë tek largimi dhe emigracioni masiv për të cili Fieri është qarku i dytë që  është zbrazur më shumë pas Kukësit, por dhe me zgjidhje, jo pallavra, zgjidhje reale. Jo çfarë donin të dëgjonin të gjithë këta vëllezërit, motrat, prindërit, fëmijët tanë. Por çfarë merrnim ne përsipër? Çfarë marrim ne përsipër? Sepse në fund të fundit këtë betejë ndryshe nga regjimi Rama-Doshi ne nuk e nisëm për veten tonë dhe për këtë provat i kemi dhënë të qarta. Kur ishte puna për  t’i dhënë shqiptarëve mundësinë e rrëzimit të regjimit në mënyrë të parakohshme ne dorëzuam edhe atë pushtet që kishim duke djegur mandatet jo për të tradhtuar besimin e atyre që kishin votuar demokratët siç na thonë sot disa si kofini pas të vjelit, por për t’u përballur siç u përballëm dhemb për dhemb. Pra, kjo betejë nuk ishte për pushtetin tonë, e kam thënë prej  ditës së parë, e keni dëgjuar nga goja ime, e keni dëgjuar nga goja e përfaqësuesve tanë  politikë, e kandidatëve tanë në çdo takim fushate. Ndaj dhe moto dhe mesazhi kryesor i fushatës tonë ngërthente atë që do çdo shqiptar, çdo shqiptar pa përjashtim: Bashkë për ndryshim, Shqipëria Fiton”.

“Beteja do të vazhdojë, beteja do të vazhdojë pikërisht për ata të cilët e nisëm, jo për karrigen time, as të Enkelejdit e as të kandidatëve tanë të tjerë, jo për poste drejtorësh apo për tendera, apo për të hapur dyert e doganave  për kontrabandë apo  për të bërë aleancë me krimin. Jo, jo. Ky degradim, kjo dekadencë, ku degjenerim është për fatin  e keq të Shqipërisë sot sëmundja që ka mbërthyer për vdekje kundërshtarin tonë politik. Beteja jonë do të vazhdojë për shqiptarët, beteja jonë do të vazhdojë për  fierakët, beteja jonë do të vazhdojë për prindërit që duan t’i rrisin e t’i mbajnë fëmijët këtu. Beteja jonë do të vazhdojë për Shqipërinë dhe për demokracinë. Si do të vazhdojë kjo betejë? Në të gjitha format, në të gjitha mënyrat, në çdo fushë beteje. Një gjë është e sigurt si drita e diellit sot fundi i kësaj beteje nuk mund të jetë  triumfi i regjimit Rama-Doshi, por përmbysja e këtij regjimi dhe fitorja e Shqipërisë dhe e shqiptarëve.  Natyrisht nuk duhet të kemi asnjë iluzion se rruga që kemi përpara do jetë e lehtë dhe se orët dhe ditët e sakrificave kanë mbaruar. Është detyra ime t’ju shoh në sy e t’ju them që atë që kemi nisur së bashku krah për krah do ta vazhdojmë deri në fund. Por është po kështu detyra ime t’ju them se në këtë betejë keni vetëm një  garanci për sukses, të marrim me vete vullnetin e secilit prej atyre 680 mijë shqiptarëve që na besuan drejtpërdrejt me votë si dhe të qindra, mijëra të tjerëve vota të koalicionit tonë dhe të qindra, mijëra të tjerëve të cilët kësaj radhe u trysnuan dhe u detyruan të qëndrojnë në shtëpi apo të tjetërsojnë votën e tyre”, tha ai.

Basha shtoi se siç e keni parë, shteti përdori në Fier gjithë makinerinë e tij për të tjetërsuar vullnetin, për të vjedhur votën, për të blerë votën, për të intimiduar qytetarët dhe përsëri me gjithë makinerinë shtetërore kundër një opozite, kundër një Partie Demokratike, pa asnjë pushtet shtetëror, diferenca në atë që e konsiderojnë si bastionin e tyre historik, arriti në rekordet historike më të ulëta. Pa pikë diskutimi, që në zgjedhje të lira e të ndershme, Fieri do të shënonte jo thjesht barazim, po përmbysjen e një klike që i ka mbajtur fierakët peng tash 30 vite.

“Ne u treguam të vendosur dhe të duruar përballë makinerisë shtetërore të terrorit, intimidimit, shantazhit dhe shitblerjes së votës. Po populli e ka një thënie “Ruaju nga zemërimi i të duruarit.” Ndaj, koha po skadon me shpejtësi që institucionet t’i përgjigjen sfidës që kanë, sfidës që kanë për të arrestuar dhe vënë prapa hekurave autorët dhe urdhëruesit e masakrës elektorale të 25 prillit, jo cironkat. Sfidës që ka institucioni zgjedhor deri në nivelin e Kolegjit Zgjedhor. Edhe një herë nuk duhet të kemi asnjë iluzion, është i njëjti KAS sot, ai që ishte dje dhe pardje. Ishte KAS-i që hoqi emrat e kandidatëve nga fleta e votimit siç urdhëroi Edi Rama, i njëjti KAS që votoi për të mos i kërkuar prova institucioneve shtetërore. Por detyra jonë është të konsumojmë çdo hap dhe betejën ta shtrijmë në çdo fushë, ta shtrijmë në çdo rrugë, në çdo qytet e në çdo fshat. Fundi i kësaj beteje do të jetë fitorja për arsyen e thjeshtë sepse ne nuk do ta humbim asetin më të vyer, më të çmuar që mund të ketë një forcë politike që është ai momenti magjik kur njerëzit e besojnë që betejën nuk po e bëjmë për veten tonë por po e bëjmë për ta. Ndaj ajo që ju kërkoj sot janë dy gjëra. Së pari, si drejtues, si kapiten të betejës këtu në qarkun e Fierit, t’ia drejtoni këtë mesazh çdo bashkëluftëtari tuaj, çdo anëtari të strukturave tona, çdo mbështetësi, simpatizanti, vullnetarëve të fushatës, të rinjve në veçanti, dhe t’i thoni se ajo që duket si fundi i betejës për Edi Ramën më 25 prill, është fillimi i një makthi që do të përfundojë vetëm me rrëzimin e tij dhe të regjimit të tij”, tha Basha.

 

Fraksion.com