AktualitetPolitikëTë fundit

Rama për ”Financial Times”: Shqipëria po rritet

Edi Rama thotë se ai është prova se vendi i tij, Shqipëria, po  përparon drejt anëtarësimit në BE.

Duke folur në një intervistë për Valerie Hopkins të ”Financial Times”, Rama tha se zgjedhjet e 25 prillit, të cilat i dhanë atij një mandat të tretë si kryeministër, treguan se vendi, pasi rrëzoi një nga regjimet komuniste më diktatoriale, pas tri dekadave po përqafonte stabilitetin.

“Shqipëria është një demokraci adoleshente, dhe si çdo adoleshent ajo ka probleme, por ajo po rritet dhe do ta arrijë pjekurinë për një kohë të shkurtër”, thotë ai.

Partia e Ramës fitoi 74 nga 140 vende në parlament. Por, analistët thonë se rezultati  tregon për një shoqëri ende të polarizuar, që po përpiqet për të kapërcyer paralizën politike që ka pllakosur vendin gjatë katër viteve të fundit.

Zgjedhjet në Shqipëri kanë qenë të shoqëruara nga dhuna. Në dekadën e kaluar, qendra votimi janë sulmuar dhe fletë votimi janë djegur, shtuar edhe disa incidente fatale.

Partitë e opozitës bojkotuan zgjedhjet lokale të 2019 dhe refuzuan të marrin pjesë në parlament, duke bërë që mbështetësit perëndimorë të Shqipërisë, BE dhe SHBA të ndërmjetësojnë për një kompromis përpara votimit të muajit të kaluar.

Ata negociuan me premtimin për të kryer reformën zgjedhore – një kërkesë për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE.

Zgjedhjet ishin më të qeta, por kundërshtarët politikë kanë denoncuar blerjen dhe kërcënimin e votuesve. Vëzhguesit nga OSBE thanë se, ndërsa sondazhet ishin kryesisht të drejta, “partia në pushtet pati përparësi të konsiderueshme nga ky pushtet, përfshirë  kontrollin e administratës lokale dhe keqpërdorimin e burimeve administrative”.

Një mbështetës i Partisë Socialiste u vra gjatë trazirave në qytetin e Elbasanit. Ato u përshkallëzuan pasi presidenti Ilir Meta, themeluesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), akuzoi Ramën për drejtimin e një “regjimi kleptokratik” që “kishte rrëmbyer të gjitha fuqitë dhe sovranitetin e popullit shqiptar duke… mënjanuar të gjithë llogaridhënien “.

Rama hodhi poshtë ankesat e opozitës për parregullsitë zgjedhore dhe kapjen e shtetit.

“Ata që nuk dinë çfarë të bëjnë me lirinë e fjalës, ankohen për mungesë lirie”, deklaroi ai.

Ai tha se ky refuzim për t’u përfshirë në institucionet politike ishte arsyeja për performancën e dobët të Partisë Demokratike (PD) dhe LSI. PD rriti votat e saj në dëm të LSI.

“Opozita ka humbur betejën e pestë radhazi – tri zgjedhje parlamentare dhe dy lokale – sepse ajo kurrë nuk u bë një humbëse e mirë. Nëse je një humbës i keq, nuk mund të fitosh”, thotë ai.

“Shumë votues mendojnë se është e papranueshme për opozitën të luftojë për demokraci, vlera dhe tregje të hapura, kur nuk merr pjesë në zgjedhje”, thotë Gentiola Madhi, një bashkëpunëtore kërkimore në OBC Transeuropa, një think-tank i përqendruar në EJL.

Rama thotë se tani është më i përqendruar në zbatimin e një plani zhvillimi prej 10 miliardë eurosh me fokus turizmin.

Kjo do të përfshijë një projekt të një autostrade bregdetare, një port turistik prej 2 miliardë eurosh në qytetin e Durrësit, më i madhi në historinë e vendit, i zhvilluar nga grupi Emaar, ndërtuesi i rrokaqiellit Burj Khalifa dhe ”Dubai Mall”.

Rama i konsideroi dy “non-papers”, të rrjedhura kohët e fundit nga BE, mbi të ardhmen e rajonit të Ballkanit si “një mungesë vizioni”. E para, që doli në dritë muajin e kaluar përpara presidencës së radhës së Sllovenisë në BE, bënte thirrje për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. E dyta bënte fjalë për lëshimet që Kosova mund të bënte për të marrë njohjen nga Serbia.

“Kjo tregon një dobësi brenda vetes, një mungesë vizioni koheziv në lidhje me zgjerimin dhe mungesë të një procesi të qëndrueshëm për ta zbatuar atë”, thekson Rama.

Megjithëse më shumë se 100 vende e njohin Kosovën, fuqitë e mëdha përfshirë Rusinë, Kinën dhe pesë anëtare të BE nuk e njohin. Që nga viti 2011, Brukseli ka ndërmjetësuar negociata të pafrytshme midis Serbisë dhe Kosovës. Në mars, Kosova zgjodhi Albin Kurtin, një aktivist antikorrupsion, që mbështet bashkimin me Shqipërinë, si kryeministër.

Shqipëria është grupuar me Maqedoninë fqinje të Veriut në përparimin e saj drejt anëtarësimit në BE. Por, një mosmarrëveshje midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, një anëtare e BE-së, mbi njohjen e gjuhës ka penguar procesin. Javën e kaluar BE sinjalizoi se Shqipëria mund të ecte e vetme përpara pa Maqedoninë e Veriut.

Rama tha se anëtarësimi mbetej tërheqës pavarësisht shqetësimeve të BE gjatë krizës së refugjatëve të vitit 2015 dhe pandemisë.

“Nëse Shqipëria është një adoleshente, Brukseli po vuan nga një amnezi për atë se kush janë dhe cili është qëllimi i ekzistencës së tyre”, thotë Rama.

“BE është forca më e madhe e mirë që njerëzimi ka krijuar dhe shpresoj të shërohet shpejt sepse pa të bota do të ishte një vend shumë më i keq”, përfundon Rama.

 

Fraksion.com