AktualitetRajoniTë fundit

Pahor: Jam kundër prekjes së kufijve në Ballkan

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, tha të enjten në Prishtinë, se përshpejtimi i procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian do të shmangte alternativat e rrezikshme si ndryshimi i kufijve.

Ai i bëri këto komente gjatë një vizite në Prishtinë, prej nga të premten do të shkojë në Beograd në prag të samtit të presidentëve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, i njohur si Procesi Bërdo-Brioni.

Kjo është një nismë Sllovenisë dhe të Kroacisë, si shtete anëtare të Bashkimit Evropian që synon forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe nxitjen e dialogut politik midis rajonit të Ballkanit dhe BE-së.

“Në aspektin e paqes, sigurisë dhe mirëqenies së njerëzve si në zonën e Ballkanit Perëndimor por edhe në krejt Evropën, është shumë me rëndësi që të arrihet deri te një qëndrim i Bashkimit Evropian se zgjerimi në hapësirën e Ballkanit Perëndimor është domosdoshmëri gjeopolitike e kategorisë së parë. Me përshpejtimin e zgjerimit në këtë hapësirë njëkohësisht BE-ja do ta përforconte besimin e qytetarëve dhe udhëheqësve në ardhmërinë evropiane, do të nxiste vullnetin politik për reforma dhe para së gjithash, do të shmangte rrezikun nga alternativat e rrezikshme si ndryshimi i kufijve”, tha presidenti Pahor.

Gjatë muajit të kaluar, u ngritën debate pas shkrimeve në mediet kroate e boshnjake për një dokument joformal (non paper) me siç thuhet, propozimin për ndryshimin e kufijve ne Ballkan. Sipas tyre një dokument i tillë i hartuar nga kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, propozon ripërcaktimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor si zgjidhje për problemet e hapura në rajon.

Por, presidenti slloven Pahor, vendi i të cilit do të kryesojë Bashkimin Evropian në pjesën e dytë të këtij viti, tha se nuk mbështet idetë e përfolura në atë dokument.

“Me porositë nga non paper nuk pajtohem. Qëndrimi im lidhur me këtë është plotësisht i kundërt, unë jam që të mos bisedohet për mundësi të tilla të ndryshimit të kufijve. Unë dëshiroj t’i bind vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian që të vazhdohet me procesin e zgjerimit dhe reformave. Kjo është një domosdoshmëri historike”, tha ai.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se pavarësisht kush harton dokumente me ide të tilla, Kosova asnjëherë nuk do t’i pranojë ato.

“Ne duhet mbi të gjitha të kemi vetëbesim, pavarësisht se kush publikon non papers, pavarësisht se kush mund të shtyjë ide të ndryshimit të kufijve, e rëndësishmja është që përfaqësuesit tuaj, përfaqësuesit e Republikës së Kosovës asnjëherë nuk do t’i pranojnë ato”, tha ajo.

Në fund të muajit të kaluar edhe diplomatët e Gjermanisë dhe Francës mohuan të kenë hartuar një dokument tjetër për rrugën e përmbylljes së procesit të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pritet të rifillojnë në pjesën e dytë të muajit qershor. Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur në vitin 2008, por të dyja palët janë të detyruara të kërkojnë një marrëveshje normalizimi si kusht për integrimet evropiane.

 

Fraksion.com