Përkushtimi përballë pandemisë; Rama falënderon infermierët: Rezistenca juaj, jashtëzakonisht e çmuar
Kryeministri Edi Rama shprehu mirënjohjen e tij dhe falënderoi sot infermierët për të gjithë përkushtimin e tyre gjatë përballimit të pandemisë së COVID-19.
Duke folur në një takim me infermieret dhe infermierët me rastin e Ditës Botërore të Infermierëve, Rama tha se, “e vërteta është që ne kemi folur vijimësisht mes nesh për çdo rast tragjik humbjeje të jetës ndër bluzat e bardha dhe kemi qenë hera-herës të tunduar për të bërë nderimet përkatëse, por gjithmonë në fund kemi mbetur të mendimit që nderimet duhen bërë në fund të kësaj lufte”.
“Dhe prandaj i jam shumë mirënjohës Urdhrit të Infermierëve për këtë mundësi që na jep që të nderojmë me përulësi dhe mirënjohje të thellë ata të cilët nuk janë më mes jush dhe njëkohësisht ta shfrytëzojmë këtë mundësi për t’ju përcjellë të gjithëve ju shprehjen më të sinqertë të respektit dhe të mirënjohjes, sepse ju e dini më mirë se kushdo tjetër që cilado dhe cilido prej jush dhe prej gjithë atyre ndër ju që s’janë këtu sot, mund të ishte njëri prej atyre që nuk e përballuan dot deri në fund luftën me armikun e padukshëm në trupin e tyre. Dhe kjo e bën sigurisht jashtëzakonisht të çmuar rezistencën tuaj dhe papërkulshmërinë e secilit dhe secilës prej jush në këtë luftë nervash të jashtëzakonshme ku, siç e tha edhe Ogerta, ju keni lënë familjet tuaja dhe jeni vetëprivuar nga kontaktet normale për të ruajtur familjet tuaja që t’i përkushtoheni atyre që pa ju do ta kishin pasur absolutisht të pamundur t’i mbijetonin këtij armiku”, theksoi Rama.
Prandaj, nënvizoi Kryeministri Rama, “më lejoni t’ju them qysh në fillim, se edhe pse fjalët në këtë rast nuk mjaftojnë, realisht nga zemra një falemnderit shumë, shumë të madh për të gjitha dhe të gjithë ju që jeni këtu dhe për të gjitha dhe gjithë koleget dhe kolegët tuaj që nuk janë këtu sot bashkë me ne për shkak të detyrës. Shumë falemnderit!”
Fraksion.com