AktualitetTë fundit

“Kishte informator në çdo kryqëzim”; Dëshmi e pamje filmike: Nga motori i fuqishëm te rrengu i autorëve, detaje nga ekzekutimi i 41-vjeçarit në Elbasan

Për të zbardhur dinamikën e vrasjes së 41-vjeçarit Everest Çaka u shoqëruan në komisarit 25 persona, të cilët u morën në pyetje përgjatë 21 orëve të fundit dhe mbrëmjen e të mërkurës janë lënë të lirë.

Nga dëshmitë dhe verifikimet e kryera, ka dyshime se autorët mund të jenë vrasës me pagesë dhe hetimet paraprakisht janë përqendruar në disa pista, ku më kryesoret mbeten ajo e vrasjes për shkak të përplasjes së grupeve kriminale për prishjen e pazareve të drogës, ajo e hakmarrjes, por nuk përjashtohet edhe ndonjë konflikt i ashpër që mund të ketë pasur viktima kohët e fundit.

Ndërkaq, një fakt mjaft i rëndësishëm është qarkullimi i një motori mjaft të fuqishëm me katër rrota, prodhim i fundit, mbi të cilin ndodheshin dy të rinj me trup muskuloz që mbanin skafandra. Qarkullimi i këtij motori me shpejtësi të madhe para dhe pas ekzekutimit të 41-vjeçarit ka tërhequr vëmendjen e banorëve të familjeve që jetojnë përgjatë “Rrugës Mbretërore”, ku në orën 20:10 të së martës u krye vrasja e 41-vjeçarit Everest Çaka, si dhe mbeti e plagosur bashkëshortja e tij, Silvana Çaka.

Njëkohësisht, nga dëshmitë e siguruara nga hetuesit e këtij krimi hidhen dyshime se autorët e vrasjes kanë pasur në disa kryqëzime informatorë për sigurimin e informacioneve të sakta të lëvizjeve të objektivit të përcaktuar për t’u ekzekutuar. Ndërkaq, nga dëshmitë e shumta që përputhen janë ngritur dyshime se automjeti i gjendur i djegur në një fshat të Kavajës, pak orë pas vrasjes, nuk është ai në të cilin ndodheshin autorët e krimit.

Ky është rrengu i radhës i përdorur nga vrasësit e përfshirë në ekzekutimin e Everest Çakës, pas provokimit të aksidentit të bërë ndaj automjetit, ku ndodheshin çifti i bashkëshortëve Everest dhe Silvana Çaka. Dëshmitë e siguruara janë vërtetuar edhe me pamjet filmike të siguruara nga prokuroria dhe pritet që të hedhin dritë për identifikimin e autorëve të ekzekutimit të Everest Çakës.

 

Fraksion.com