AktualitetPolitikëTë fundit

“Fëmijët e Republikës”; Rama: Vendimi i parë i qeverisë së re, mbështetje fëmijëve të gjithë atyre që humbën jetën në krye të detyrës

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se vendimi i parë i qeverisë së re do të jetë ai për “Fëmijët e Republikës”, që do të mbështesë të gjithë fëmijët e njerëzve që humbasin jetën në krye të detyrës.

Duke folur në një takim me infermieret dhe infermierët me rastin e Ditës Botërore të Infermierëve, Rama tha se, “nga ana tjetër, duke parë fotografitë e kolegeve dhe kolegëve tuaj që humbën jetën në këtë përpjekje më duket vendi i duhur për ta përsëritur një angazhim, që mbase e keni dëgjuar, mbase nuk e keni dëgjuar, e kam marrë qysh përpara ditës së zgjedhjeve, që vendimin e parë të qeverisë së re ne do t’ia kushtojmë atyre që i quajmë me plot gojën Fëmijë të Republikës, që do të thotë: vajzat dhe djemtë e të gjithë njerëzve që i kanë shërbyer qytetarëve, që i kanë shërbyer shtetit dhe kanë rënë në krye të detyrës”.

“Dhe sigurisht që fëmijët e të rënëve në krye të detyrës mes bluzave të bardha nuk do të jenë vetëm, pasi me këtë ligj të ri që ne do të miratojmë për ta, deri në ditën e daljes së tyre të pavarur në jetë, do të kujdeset Republika e Shqipërisë në mënyrë të posaçme”, tha Rama.

“Besoj që është sëkëlldisëse, shumë sëkëlldisëse, dhe më besoni që e kam provuar këtë sëkëlldi, jo një herë të vetme, kur dikush bën një akt heroik, siç ishte akti i atij djali të ri që ishte njëkohësisht dhe një baba i ri, i një fëmije 4 vjeç, që humbi jetën për të shpëtuar të tjerë nga flakët dhe gjëja që shteti bën, si rezultat i vendimeve të marra më parë dhe i një inercie që ka vazhduar gjithë këto vite, është t’i dorëzojë një certifikatë dhe t’i lidhë familjes një pension shumë modest”, u shpreh Rama.

“Patjetër, – shtoi Rama, – që kjo është më shumë sesa asgjë, por unë besoj se ne jemi më të mirë se kaq, dhe ne mund të bëjmë më shumë se kaq si shoqëri dhe si qeveri në emër të shoqërisë”.

“Prandaj është koha që jo vetëm t’i nderojmë këta njerëz të mirë dhe profesionistë të përkushtuar me titullin e “Dëshmorit”, por të marrim përsipër të kujdesemi për fëmijët e tyre, në mënyrë që bashkëshortet e tyre të mbetur për bashkëshortë, apo bashkëshortët të mbetur pa bashkëshorte, si rezultat i rënies në krye të detyrës, të mos kenë vetëm certifikatën e varur në mur dhe atë pensionin krejt modest, për një jetë të humbur që nuk kthehet më dhe që është më e shtrenjta gjë e humbur për ta për gjithë jetën, por edhe një mbështetje të vazhdueshme, konkrete dhe të pandërprerë për fëmijët deri ditën kur fëmijët të dalin të pavarur në jetën e tyre”, tha Rama.

 

Fraksion.com