AktualitetTë fundit

Zbardhet e dëshmia e pasagjerit në atentatin e Vlorës

Zbardhet e dëshmia e pasagjerit që ndodhej në makinë me biznesmenin 40-vjeçar Bledar Birçaj, i cili u ekzekutua një ditë më parë, në Vlorë me kallashnikov teksa po lëvizte me makinën e tij BMW X5.

Pasagjeri që i shpëtoi më shumë se 30 plumbave të kallashit është punonjës policie. Burime bëjnë me dije se ai është identifikuar me iniciale G.Ç.

Polici arriti t’u shpëtoi agresorëve duke dalë nga makina në momentin e ngjarjes dhe u fsheh në garazh derisa autorët u larguan.

Burime bëjnë me dije se ai ka deklaruar se kanë qenë të papërgatitur për sulmin në momentin kur autorët u kanë bërë pritë.

“Ishim të papërgatitur, na bënë pritë. Ramë direkt pre e breshërisë së kallashnikovit. Pashë dy veta me maska por nuk i njoha dot. Ishin të kamufluar. Nuk jam në dijeni të ndonjë konflikti të fundit”, është shprehur ai.

Deri më tani në lidhje me këtë ngjarje janë shoqëruar më shumë se 15 persona për t’u marrë në pyetje në lidhje me ngjarje. Ndërkohë në vendin e krimit policia ka gjetur më shumë se 30 gëzhoja.

Dyshimet e uniformave blu janë se makina e autorëve mund të jetë fshehur në ndonjë garazh jo shumë larg zonës ku ndodhi vrasja pasi deri më tani nuk ka asnjë gjurmë prej tyre.

Pistë kryesore e grupit të hetimit është e shkuara e victimës në Spanjë.

Ai rezulton i dyshuar si i përfshirë në një tjetër ngjarje në vitin 2011, por hetimet në lidhje me këtë çështje u pushuan për mungesë provash.

Së fundmi ai kishte qëndruar më shumë kohë në Spanjë prej nga bënte shpesh vajtje ardhje nga Shqipëria. Në Vlorë nuk njihej si person problematik por si biznesmen pasi ishte pronar i një lokali të njohur në zonën e Lungomares.

 

Fraksion.com