AktualitetTë fundit

Video: U ekzekutua me breshëri kallashnikovi, pamjet e frikshme të atentatit ndaj biznesmenit në Vlorë

Dje gjatë mesditës, qyteti bregdetar i Vlorës u trondit nga ekzekutimi i biznesmenit Bledar Birçaj, i cili kishte vetëm tre javë që ishte kthyer në Shqipëri nga Spanja, ku edhe jetonte.

Ai u qëllua  me kallashnikov teksa po lëvizte me automjetin e tij “BMW” X5 në vendin e quajtur Bishti i Kalldrëmit, ku dhe i dolën në pritë.

Ndërkohë kanë dalë pamjet e ekzekutimit mafioz të Birçajt, i cili siç duket edhe nga video ka qenë i shoqëruar edhe nga dy persona të tjerë, të cilët i kanë shpëtuar mrekullisht plumbave.

Ndërkohë që makina BMW e Birçajt afrohet, nga makina ku i kishin zënë pritë dalin dy persona të pajisur me kallashnikov, të cilët me breshëri qëllojnë drejt mjetit.

Për më shumë shihni videon:

 

Por kush ishte Bledar Birçaj?

40-vjeçari ishte pronar i një bar-kafe në qytetin bregdetar, pranë Lungomares. Në ekstraktin e QKB rezulton se Bledar Birçaj ishte pronar i një biznesi në fushën e veprimtarisë bar-kafe, birrari dhe tregti me pakicë e artikujve të ndryshëm.

“Panorama” ka zbuluar një vendim të Gjykatës së Lartë, ku thuhet se viktima ishte arrestuar për vrasje në vitin 2011. Ai dyshohej për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim mbetur në tentativë, si dhe veprat “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”; si dhe “Shkatërrim prone”.

Gjykata e Vlorës vendosi ndaj tij më 27 janar të vitit 2011 masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 45 ditë. Ndërsa në 9 mars do të caktonte  masën e “arrestit me burg” pa afat. Ndërsa në 26 prill masa e sigurisë u zbut në  “detyrim paraqitje në policinë gjyqësore” dhe masa “ndalim i daljes jashtë shtetit” deri në përfundim të hetimeve.

 

Fraksion.com