Ekzekutimi mafioz në Vlorë; Kush ishte personi i tretë në makinë me viktimën dhe policin e anti-drogës
Panorama.al ka publikuar pamjet e ekzekutimit mafioz të Birçajt, i cili siç duket edhe nga video ka qenë i shoqëruar edhe nga dy persona të tjerë, të cilët i kanë shpëtuar mrekullisht plumbave.
Ndërkohë që makina BMW e Birçajt afrohet, nga makina ku i kishin zënë pritë dalin dy persona të pajisur me kallashnikov, të cilët me breshëri qëllojnë drejt mjetit që drejtohej nga Birçaj. Me sa duket autorët e kanë ditur mirë që mjeti drejtohej nga Birçaj dhe plumbat i kanë përqendruar nga ana e shoferit.
Fatmirësisht personi tjetër, polici i anti-drogës Granit Deromemaj, që ishte edhe shok me viktimën ka shpëtuar mrekullisht.
Por kush ishte personi i tretë që gjendej në makinë?
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se në makinë ishte edhe një 20 vjeçar, i cili në momentin e atentatit ka qenë duke luajtur në telefon. Policia konfirmon se ai është traumatizuar nga ngjarja dhe nuk ka dhënë asnjë informacion të vlefshëm për hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes.
Bledar Birçaj është arrestuar më 27 janar 2011 nga Policia dhe Prokuroria e Vlorës, pasi dyshohej për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”, si dhe “Shkatërrim prone”. Ai ka qëndruar fillimisht në burg në masën e arrestit në burg 45- ditor dhe më pas në 9 mars 2011 Gjykata e Vlorës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, derisa Prokuroria ka pushuar hetimet për të. Birçaj ishte kthyer nga Spanja pak kohë më parë. Duket se pikërisht këtu janë përqendruar më shumë hetimet. Burimet thanë se lidhjet e mundshme me grupe kriminale në Spanje apo edhe ngjarje që lidhen me Spanjën janë pista kryesore e hetimit për atentatin e djeshëm në Vlorë.
Në Spanjë 40-vjeçari shkonte shpesh dhe e bënte vajtje-ardhje drejt Shqipërisë, ndaj edhe Policia po verifikon lëvizjet dhe aktivitetin e tij atje./© Panorama.al
Fraksion.com