Ekzekutimi i Mehmet Qemës në Tiranë; Në vendngjarje gjendet makineria që prodhon Bitcoin (Fotot)
Një makineri që prodhon monedhën virtuale Bitcoin është gjetur në vendin e ngjarjes ku u vra 27-vjeçari Mehmet Qema, bënë me dije burime pranë krimit ekonomiko financiar për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha.
Në vendin e ngjarjes ka mbërritur krimi ekonomiko financiar për të zbardhur detaje që mund të lidhen me ekzekutimin e Qemës. Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha ka siguruar pamjet e makinerive që ndodhen pranë zonës ku po qëndronte 27-vjeçari së bashku me shokët e tij derisa u qëllua për vdekje.
Si ndodhi vrasja
Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Tiranë, ku si pasojë ka mbetur i vrarë me armë zjarri 27-vjeçari Mehmet Qema.
Mësohet se Qema është vrarë nga 28-vjeçari Marius Dema, me të cilin kishte qenë edhe i ulur në një lokal në lagjen “5 Maji”. Por nuk dihen ende rrethanat e ngjarjes se përse 28-vjeçari e ka qëlluar me plumb në gjoks duke i marrë edhe jetën.
Marius Dema, së bashku me Frenkli Myftarin janë vetëdorëzuar në polici. Ndërsa personat e tjerë të shpallur në kërkim për veprën penale “Moskallëzim krimi”, janë: Erlin Peka, Blerim Hoti, Braild Aga dhe Xhuliano Koçi.
Bëhet e ditur se Blerim Hoti është edhe ish i dashuri i Baby G, Blerim Hoti, njëkohësisht edhe mik i ngushtë i reperit Stresi.
Viktima Mehmet Qema kishte vetëm pak ditë që kishte ardhur nga Londra dhe njihej me nofkën “Tallman”, ose “Hasjanali”. Ai ka marrë pjesë edhe në videoklipe në këngë të ndryshme reperash.
Çfarë është Bitcoin
Bitcoin është një kriptomonedhë e krijuar në vitin 2008 nën pseudonimin Satoshi Nakamoto. Ende sot, pas 12 vitesh, ai ruan anonimatin. Monedha filloi të përdoret në 2009 kur u hodh në treg si softuer me burim të hapur, që gjithkush mund të kishte akses, pa pagesë.
Kur Nakamoto mendonte bitcoin ai do të shkruante në një letër të bardhë vizionin që kishte për kriptomonedhën. Ai mendonte një botë ku njerëzit mund të kryenin pagesa në internet mes njëri-tjetrit pa patur nevojën e një banke apo pay pal. Kjo ndodhi menjëherë pas krizës globale financiare.
Vizioni i tij ishte që secili nga ne të kishte bankën e vet, dhe ky sistem do të kryente veprimet në një kohë shumë më të shkurtër se banka dhe me kosto shumë më të ulët. Qëllimi i tij ishte ti kundërvihej sistemit financiar tradicional të kontrolluar.
Praktikisht bitcoin është një kod në kompjuter. Në fillim u deshën 30 mijë rreshta të kodit që të kishe kriptovalutën. Kurse blockchain është teknologjia që bën të mundur krijimin dhe mbajtjen e Bitcoin.
Procesi i prodhimit të kodeve që përkthehen në bitcoin quhet mining dhe vendi ku vendosen aparaturat që e prodhojnë atë quhet fermë.
Fraksion.com